Në kopshtin e muzikës shqiptare, ndër lulet më të çmuara, ka lulëzuar prej dekadash një trëndafil i brishtë e i fuqishëm njëherazi: Zhuliana Jorganxhi. Ajo nuk është thjesht një autore këngësh, është një gërshetuese e dritës me tingullin, e vargut me frymëmarrjen e shpirtit.
Fjalët e saj nuk shkruhen vetëm mbi letër, ato shpërthejnë si aroma e pranverës nga pentagramet, duke e bërë çdo këngë një faqe ditari ku ndjenjat janë të zhveshura nga çdo maskë.
Në poezitë e saj të kënduara, fjala bëhet flutur që i bie rreth zemrës, melodia bëhet ujëvarë që e lartëson shikuesin drejt një bote ku gjithçka është e pastër dhe e shenjtë. Në tekstet e saj, dashuria nuk është një fjalë e zakonshme.
Në çdo notë të pentagramit, është Ajo… Në çdo fije tingulli që del nga zemra e kompozitorit, është fryma e saj, fjala e saj e gdhendur me kujdesin e artizanit të shpirtit.
Në çdo këngë që na ka shoqëruar jetën – në dasma, në mbrëmje festive, në net vetmie a në çaste dashurie, ka lënë gjurmë Zhuliana Jorganxhi, kjo mjeshtre e rafinuar e fjalës që di t’i japë melodisë aromën e trëndafilit dhe forcën e gurit.
Krijimtaria e saj është si një vresht i mbjellë me vargje të pjekura në diellin e shpirtit shqiptar.
Nga ky vresht janë derdhur verërat më të ëmbla të muzikës sonë të lehtë, këngë që dehin jo për t’i marrë mendjen njeriut, por për t’i zgjuar kujtimet, për t’i kthyer njerëzit te vetja, për t’i bërë të ndiejnë se ende ka zemra që rrahin bukur dhe dinë të shpërndajnë ngado vetëm petale jete, dashurie e mirënjohjeje…
Kënga dhe Zhuliana, Zhuliana dhe kënga janë një binom që nuk mund të ndahet, ashtu siç nuk ndahet aroma nga lulja, as drita nga dielli.
Në pentagramet ku muzika shpërthen si ujëvarë, fjala e saj vjen si një rreze që e vesh tingullin me ngrohtësi. Në tekstet e saj, dashuria nuk është thjesht ndjenjë – ajo është një oaz paqeje ku mund të pushosh shpirtin, një shtëpi ku çdo dritare hapet drejt gëzimit, një kopsht ku çdo lule flet shqip.
Në festivalet e viteve të arta të muzikës shqiptare, fjalët e Zhuliana Jorganxhit janë bërë flamur i emocionit, e gëzimeve dhe triumfeve të mëdha…. Ato kanë udhëtuar nga skena e madhe drejt çdo zemre shqiptare – në qytet, në fshat, në emigracion, në çdo vatër ku flitet shqip dhe ku kujtimet mbahen gjallë me këngë.
Kënga e saj është një urë që bashkon brezat, një fill i padukshëm që lidh të shkuarën me të tashmen, dhe të tashmen me të ardhmen.
Sot, muzika moderne shqiptare ka një firmë, një vulë, një brand të patjetërsueshëm: Zhuliana Jorganxhi.
Nuk është thjesht një emër në historinë e këngës sonë të lehtë – ajo është vetë kapitulli më i ndritshëm i saj.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.