FB

July 7, 2025 | 19:00

Nga Ilir Çumani: Poezia e njohur e Agollit, si testament brezash për të ikurit e të gjallët…. (Letërsia humane)

 

Poezia e mirënjohur “Kur të jesh mërzitur shumë”, e Dritëro Agollit,  është padyshim një nga ndjesitë dhe përjetimet më prekëse e shpirtit të tij poetik dhe filozofik. Ajo ngjason si një himn i thjeshtë, por i përjetshëm për jetën, ikjen, mungesën dhe dashurinë që mbetet. Në këtë poezi, autori nuk shkruan thjesht vargje për ikjen e pashmangshme, por ndërton një urë të përjetshme lidhjeje mes jetës dhe mungesës, mes njeriut dhe kujtimit, mes të dashurve që mbeten dhe atyre që largohen.

dritero-agolli

“Kur të jesh mërzitur shumë”, është më shumë se një poezi: është një testament shpirtëror në një udhëtim brezash për të gjithë ata që do e ndjejnë mungesën e tij. Poeti flet për veten në kohën e pas ikjes, me një gjuhë të qetë, të thjeshtë, të çliruar nga dramatizimi. Ka një pranim të qetë të vdekjes:

“Këtu s’ do të jem, do jem larguar;

Në tokë i tretur si të tjerët…”

Këtu, Agolli zhvesh vdekjen nga frika, duke e paraqitur atë si një kthim natyral “si të tjerët”, pa pathos, pa bujë, por me ndjeshmëri njerëzore. Ai i jep fytyrë mungesës në përditshmëri – në kafenetë ku nuk do ta shohin më kamarierët, në rrugët ku s’do të dëgjohet më kolla e tij e thatë. Janë detajet intime, që e bëjnë mungesën e tij reale, të prekshme.

E gjithë struktura poetike mbështetet në një ton intim dhe bisedor. Është si një bisedë e heshtur, që poeti zhvillon me lexuesin e tij, por edhe me atë të afërm të imagjinuar që “do të trishtohet atëherë”.

Kjo i jep poezisë një karakter të thellë psikologjik: është përpjekja për të zbutur trishtimin e tjetrit, duke ofruar jo vetëm kujtimin, por një mënyrë për ta rikthyer veten përmes librave:

“Po kur të jesh mërzitur shumë,

Në raft të librave kërkomë…”

Ky varg është një gjetje e fuqishme artistike, një alegori për jetën e përtejme të shkrimtarëve, që nuk vdesin kurrë – sepse janë aty, në shkronjat e librave, në vargjet që nuk veniten. Poezia i jep lexuesit shpresën e pranisë së vazhdueshme, edhe kur trupi është tretur.

Kjo është edhe thelbi filozofik i poezisë: dashuria dhe kujtimi janë më të forta se vdekja. Në vend që të jetë një elegji e rëndë për humbjen, poezia kthehet në një himn për kujtesën, për letërsinë, për lidhjen që mbetet:

“Dhe unë do zbres, do vij pas teje;

Ti si dikur me mall do qeshësh…”

Është një përjetim që tejkalon trishtimin – sepse Dritëroi, si poet i jetës dhe i tokës, nuk e sheh vdekjen si fund, por si një kthim në formën më të pastër të ekzistencës që është dhe mbetet: FJALA….!

Në aspektin antropologjik, kjo poezi është dëshmi e një kulture që e përjeton ndarjen jo si shuarje, por si vazhdimësi në kujtesë, si një mënyrë e njeriut për të ruajtur lidhjen me të dashurit edhe pas ikjes së tyre. Në vend të zisë për largimin e përgjithmonshëm që krijon një gjendje pezmi dhe të zymtë, autori fton në një dialog me të padukshmen përmes librave dhe ndjenjës.

“Kur të jesh mërzitur shumë”, është një nga ato poezi që nuk lexohet vetëm me sy, por edhe përmes shpirtit. Ajo nuk flet vetëm për Dritëroin, por flet për çdo njeri që do të mungojë, dhe për çdo njeri që do të kërkojë një mënyrë për ta gjetur sërish dashurinë në mungesë.

Për të gjithë ata që e kanë ndjerë mungesën e një njeriu të dashur, për të gjithë ata që besojnë se njeriu jeton për aq kohë sa e kujtojnë, kjo poezi është një strehë e përbashkët.

Dhe Dritëroi, i kthyer në një varg apo një shkronjë, Ai do të jetë gjithmonë aty për të na pritur, sa herë të ndjehemi shumë të mërzitur….!

 

KUR TË JESH MËRZITUR SHUMË….

Dritëro Agolli

 

Këtu s’ do të jem, do jem larguar;

Në tokë i tretur si të tjerët,

Në kafenenë e preferuar

Nuk do më shohin kamerierët.

 

Dhe nëpër udhët ku kam ecur,

S’do ndihet kolla ime e thatë,

Mbi varrin tim do të rrijë i heshtur

Një qiparis si murg i ngratë.

 

Ti do trishtohesh atëherë,

Se s’do më kesh në dhomë gjallë,

Dhe, kur në xham të fryjë erë,

Do qash me erën dalëngadalë.

 

Po kur të jesh mërzitur shumë.

Në raft të librave kërkomë,

Atje do të jem i fshehur unë,

Në ndonjë varg a ndonjë shkronjë.

 

Mjafton që librin pak ta heqësh

Dhe unë do zbres, do vij pas teje;

Ti si dikur me mall do qeshësh,

Si një blerim pas një rrëkeje…

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top