Juristi i mirënjohur, Prof. dr. Ismet Elezi mbushi plot 104 vjeç.
8 vjet më parë, pata një bisedë të veçantë telefonike me profesorin e nderuar të jurisprudencës shqiptare, konstitucionalistin dhe penalistin e mirënjohur.
E mora ta uroja për festat e fundvitit dhe e pyeta së pari për shëndetin… Nga ana tjetër e telefonit, Ai e njohu zërin tim dhe më foli menjëherë në emër.
Si i moshuar jam mirë, më tha, kam kapur ca kohë shtratin, sepse u godita nga një problem kardiak, por tani jam më mirë, vijoi profesori me zërin e tij të shtruar dhe të qetë.
I kërkova t’i bëja një vizitë mikut tim të shtrenjtë dhe pa e bërë dy, më tha:
Ty të pres edhe kështu si jam….
U emocionova pa masë nga ajo përgjigje që kishte brenda saj mallëngjim, një dëlirësi ngazëllyese e transparente.
Si të thuash, ishte një komunikim gati i ngjashëm me sinqeritetin, çiltërsinë dhe pafajësinë e fëmijëve….
Brenda atyre fjalëve kishte aq shumë dashuri e mirënjohje, që shoqërohej me një sentiment të lartë njerëzor që vetëm njerëz si Ai dinë ta përçojnë përmes komunikimit…
U preka edhe më shumë kur e vizitova së afërmi dhe pashë me sytë e mi madhështinë e jetës kaq modeste e dinjitoze që bënte akademiku i nderuar….
Edhe sot ai jeton në një apartament të thjeshtë prej dy dhoma e një kuzhinë, me sende e orendi që vijnë si relike që nga koha kur dekada më parë jepte mësim në Fakultetin e Drejtësisë, (duke drejtuar katedrën penale qysh nga viti 1957 – 1990) në Universitetin Shtetëror të Tiranës.
Një jetë e tërë me kaq shumë kontribute të mëdha e të jashtëzakonshme në fushën akademike dhe ekspertizës, flet për një rrugëtim të gjatë prej dekadash e dekadash në edukimin, formimin dhe përgatitjen e brezave të rinj juristësh në dobi të vendit dhe mbarë shoqërisë…
Ky është një shembull i shkëlqyer i modelit pozitiv që na kujton se si mundet një njeri që ka jetuar mes mundësive të mëdha për të përfituar përmes “pushtetit të ofiqarit” dhe trafikut të influencave të korrupsionit administrativ, profesionit dhe privilegjeve që të sjell ky status shoqëror, ka zgjedhur në fakt të jetojë me dinjitet, mes ndershmërisë dhe modestisë, duke lënë së gjalli edhe në këtë 104 vjetor të jetës së Tij të vetmen pasuri për veten, familjen, shoqërinë dhe kombin, EMRIN e tij të ndritur, me mbi 30 vepra si autor librash, mijëra artikuj, shkrime e studime në shtypin vendas dhe atë të huaj.
Ndaj sot, ju shpreh mirënjohjen time të pafundme i nderuar prof. Ismet Elezi, që na kujtoni dhe na bëni të shpresojmë se ende ekzistojnë mes nesh vlerat e mëdha njerëzore….
Ato e zbehin dhe zhvlerësojnë çdo ditë edhe më tepër, pak e nga pak, çdo antivlerë që e ka marrë peng vendin dhe mbarë shoqërinë tonë në më shumë se tre dekada të tranzicionit të vështirë e të dhimbshëm kaotik….
Në 104 vjetorin e lindjes së Tij, Profesor Ismeti Elezi na dëshmon të gjithëve se, nuk duhet të humbasim shpresat për të sotmen dhe të ardhmen, ngase në mes tonë ekziston ende modeli i një Shqipërie të mirë…!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.