Sa herë dilja çdo mëngjes nga shtëpia ime, takohesha shpesh me artistin e madh Gaqo Çako. Ishin të rralla ato ditë që nuk takoheshim për t’u përshëndetur, atje tek Pazari i Ri, ku kishte edhe shtëpinë.
Pothuajse ky takim, ishte kthyer në ritual i përditshëm, dhe sa herë takoheshim, e shihja me një qenush të vogël, leshator i bardhë që, me sa dukej, vitet e fundit të jetës ia kishte dedikuar vetes, qetësisë së tij, por edhe asaj krijese me të cilin gjente paqen kur kalonte orë të tëra shëtitjeve. Unë, sa herë e takoja, i bëja pyetjen e zakonshme: “…Si je profesor, si ndjehesh….!? Sot më dukesh në formë…”, – e komplimentoja edhe për ta inkurajuar për shëndetin jo dhe aq të mirë që kishte vitet e fundit….
Pastaj, instinktivisht i fishkëlleja lehtë nëpër buzë tingujt e këngës së famshme që Ai e ka kënduar aq bukur me titull: “Këputa një gjethe dafine”, të interpretuar me aq mjeshtëri ato mote kur debutonte në skenë…. Sapo dëgjonte atë fishkëllimë, ngrinte kokën dhe më ngulte sytë e tij të vegjël gjithë adhurim, e, me atë shikimin e ngrohtë e të ëmbël, dukej sikur më thoshte: “….Vazhdoje, mos e ndërprit këngën, (fishkëllimën)…, ajo nuk lihet përgjysmë…”.
Ja, kështu komunikoja ngahera me të madhin Gaqo Çako. Ishte magji kur e dëgjoje në skenë… Magji ishte edhe kur e takoje në rrugë e bisedoje me maestron, kur e dëgjoje atë zë aq kumbues, të qetë e të shtruar.
Kështu janë virtuozët e mëdhenj. Janë të mëdhenj edhe në modestinë e tyre…. Këtu, në këtë foto, jemi së bashku me këngëtaren dhe artisten e madhe Justina Aliaj. Ai u kënaq kur u takua edhe me Justin…. Artisti ka nevojë të komunikojë, të takohet dhe të bisedojë me artistin, sepse ata mes vetes kanë kodin e tyre të heshtjes, por, edhe të komunikimit…
I paharruar qoftë kujtimi i Tij!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.