(Në 1-vjetorin e ndarjes nga jeta të balerinës së parë shqiptare, Zoica Haxho – Artiste e Merituar – Heroinë e Punës)
Nga historia e njerëzimit kemi mësuar se ka pasur dhe ka jetë që lindin në hijen e mungesës, e megjithatë arrijnë të shkëlqejnë më tepër se ata që rriten në dritë; jetë që rriten si filiza nën gur, por shpërthejnë me forcën e një dielli të padukshëm. Ashtu sikundër ka edhe fëmijëri që e vështrojnë botën nga dritaret e errësirës, por e përqafojnë atë më fuqishëm se kushdo, si sy që kanë parë pak, por kanë kuptuar shumë.

E tillë ishte edhe jeta e Zoica Haxhos, vajzës bonjake që fati e sprovoi herët, por që arti e përqafoi me duar të hapura, si një nënoke e vonuar, e dhembshur, e përmalluar, por e përjetshme; një nënë që nuk ia dha jeta, por ia dhuroi skena. Që në hapat e parë të jetës, ajo nuk u rrit në prehrin e sigurt të nënës që e solli në jetë, por në strehën e karakterit që u bë kështjella e vetme mbrojtëse e saj; një kështjellë pa gurë, por me vullnet.
Jetimëria nuk e mbylli, nuk e theu, nuk e mposhti, por e farkëtoi si hekuri në zjarr…
Në heshtjen që e rrethonte, ajo dëgjoi një ritëm të brendshëm që i vinte si një thirrje nga thellësia e shpirtit; ishte një ritëm që më vonë do të bëhej themeli i baletit shqiptar, si një zemër që rreh për një komb të tërë.
Zoica nuk ishte thjesht balerinë, por një fenomen sui generis për kohën që jetoi. Ajo ishte lindja e një epoke të re në artin modern shqiptar, si një agim i ri që çan retë e pasigurisë. Në trupin e saj të imët, që dukej si i gdhendur nga ajri i pastër i pasionit, busti i artit skenik shqiptar mori frymë për herë të parë, si një statujë që më në fund merr shpirt. Çdo lëvizje e saj në skenë krijonte një gjuhë të re figuracioni e simbolesh, një alfabet të elegancës dhe forcës; çdo hap dukej si një kapitull i shkruar me muskuj, përkushtim dhe sakrifica që s’i shihte askush, një libër i përditshëm i mundimeve të heshtura.
Në një vend që ende kërkonte të gjente identitetin kulturor, Zoica Haxho, vajza jetime e rritur në Shtëpinë e Fëmijës “8 Nëntori” në Tiranë (sot Shtëpia e Fëmijës Shkollore “Zyber Hallulli”), fluturoi në një hapësirë të panjohur më parë, si një trumcak paksa i trembur, por u ngrit si një figurë emblematike që nuk pranoi të imitojë askënd. Ajo e krijoi veten dhe identitetin e saj artistik me durim të hekurt, me dhimbje e përvujtëri, me një përditshmëri të lodhshme që, përmes punës, punës dhe vetëm punës, u shndërrua në madhështi, si një mal që ngrihet milimetër pas milimetri derisa bëhet majë.
Skena e pa të rritej. Salla e pa të shndriste, dhe publiku e pa të ngjitej në atë lartësi ku pak artistë mundin të arrijnë ato maja ku talenti nuk është më dhuratë, por përgjegjësi dhe sfidë e kthyer në mision; një mision që të djeg dhe të ngre njëkohësisht. E megjithatë, Zoica nuk u mbyll vetëm brenda magjisë së baletit. Ajo u shndërrua edhe në një ikonë të kinemasë shqiptare, duke u zhytur në një rol skenik tepër të vështirë e të ndërlikuar, që nuk kërkonte thjesht teknikë, por shpirt, vetëm shpirt dhe ambicie… një zhytje në thellësi ku vetëm të mëdhenjtë marrin frymë.
Në filmin artistik shqiptar “Cuca e Maleve”, me skenar nga Loni Papa dhe Agron Aliaj, me regji të Dhimitër Anagnostit dhe muzikë të Nikolla Zoraqit, ajo nuk skaliti vetëm një karakter, por fuqishëm i dha zë një epopeje femërore shqiptare që po përjetonte rilindjen dhe emancipimin e vërtetë; një zë që kumbon ende në malet e kujtesës tona. Zëri i saj i brendshëm, ai që kishte mbijetuar humbjet e mëdha dhe vetminë, u shkrinë me figurën e vajzës së maleve, duke e kthyer rolin në një emblemë të fuqisë, krenarisë dhe qëndresës së një epoke të re që lindi; një emblemë që rri pezull si një flamur në erë.
Roli nuk e ngriti Zoicën, por ishte Zoica ajo që e ngriti dhe e monumentalizoi atë rol, duke e shndërruar në gur themeli të një trashëgimie artistike. Ajo e mbushi personazhin me dritën e një gruaje që njeh plagët, por nuk i dorëzohet atyre; me ritmin e një artiste që më shumë se të kërcejë, di të ndërtojë një botë të brendshme, të gëzuar dhe të bukur, si një kopsht që lulëzon edhe në dimër.

Si pedagoge, ajo u bë një urë e gjallë mes brezave. Nuk u mësoi nxënësve vetëm të lëvizin bukur, por të ndihen të denjë për skenën. U mësoi se arti nuk fillon vetëm me talentin, por edhe me karakterin, me vullnetin dhe punën e madhe e të palodhur të njeriut, se bukuria e lëvizjes nuk lind nga rrugë të lehta, por vetëm nga puna dhe sakrificat e mëdha. Dhe se nuk ka balerinë të madhe pa një shpirt të madh, një shpirt që digjet si qiri dhe ndriçon si flakadan.
Sot, kur përkujtojmë 1-vjetorin e ndarjes së saj nga kjo botë, Zoica Haxho nuk qëndron në mendje si një kujtim i largët. Përkundrazi! Ajo është një prani e gjallë në historinë e artit shqiptar. E gjejmë në shpirtin e çdo balerine që ngjitet sot në skenë me besimin se mund të arrijë majën. E gjejmë në auditoret dhe korridoret e shkollave artistike të baletit, ku portreti i saj aspiron të mos jetë vetëm nderim, por frymëzim. E gjejmë në filmat që mbartin fytyrën e saj të paepur. E gjejmë në hapin ritmik të një arti që ajo e ngriti nga themelet, si një ritëm që nuk ndalet.

Zoica Haxho nuk është vetëm pjesë e kujtesës së historisë së artit, por një nga shtyllat e forta të identitetit artistik shqiptar. Një vajzë që erdhi nga heshtja, por që la një jehonë që nuk shuhet kurrë… një jehonë që udhëton si erë në krahët e kohës. Në çdo skenë ku vallëzohet sot, në çdo ngjarje të rëndësishme artistike ku kërkohet thellësi, në çdo nxënës që kërkon të gjejë veten mes dhimbjes dhe artit, Zoica vazhdon të marrë frymë.
Ajo është aty, me fuqinë e brendshme rrezëlluese që u ndriçon rrugën brezave të talenteve të rinj, si një trashëgimi që asesi nuk plaket, si një emër që nuk harrohet lehtë sado të largohet koha.
Tiranë, e hënë, 1 dhjetor, 2025


© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

