Një ditë teksa ndodhesha në linjat urbane duke shkuar për në punë, më rastisi të shihja një vajzë rreth 7-vjeçe, e cila, e turpëruar po mundohej t’i qëndronte besnike porosisë së mamit dhe babit për të mos marrë asgjë nga të panjohurit. Një mesoburrë, i ulur krahë saj po i ofronte 10 lekë. Përgjigjja e vajzës vazhdonte të këmbëngulte për “jo”, deri në momentin kur e ëma u zgjat, kishte pak minuta që po vëzhgonte, dhe i pëshpëriti butësisht vajzës “Merre mami!”. Pastaj, vajza e vogël u step, u skuq, u bë konfuze për të përcaktuar kur kjo sjellje do të ishte e duhur dhe kur jo, dhe gjithsesi, ashtu, e paqartë siç ishte, e mori 10-të lekëshin. Njoha në sytë e vajzës së vogël turpin, fajin, pasigurinë dhe paqartësinë për atë që bëri dhe atë çka prindërit me siguri dikur e kishin porositur!
Dhe në fakt, historia e vendit tonë flet qartë për një zhvillim në proces dhe për një dhimbje që e mban të veshur familjen shqiptare ndër vite. Të qenit familje patriarkale, ku familja kishte një zot dhe ai ishte kryetari i familjes, “detyronte” çdo anëtar të saj të pajtohej me logjikën dhe gjithçka sillte kryetari i familjes, duke humbur kështu mundësinë dhe të drejtën për të krijuar një identitet personal të qëndrueshëm. Veshur me “mentalitetin kolektiv”, familja investonte çdo ditë që “tjetri” të nënçmohej, nënshtrohej, objektivizohej dhe keqtrajtohej. Dhe “tjetri” ishin gratë dhe fëmijët. Këtë e kuptojmë më së miri sot, kur familja shqiptare lufton të zhbëjë familjen patriarkale dhe të formësojë familjen nukleare, në thelb të së cilës do të jenë marrëdhëniet ndërpersonale burrë-grua-fëmijë. Është shumë e qartë se si kjo marrëdhënie ndërtohet mbi dhimbje, plagë, sfida dhe sakrifica dhe se sa përkushtim dhe durim duhet për ta rritur të shëndetshme atë.
Ngjarja në autobusin e linjave shërbeu për mua si një kambanë që bie për të rishikuar dhe reflektuar çdo ditë e më shumë se çfarë bëjmë me fëmijët? Në ç’vend i kemi vendosur ata? Sa i përkrahim? Sa i dëgjojmë nevojat, ndjenjat apo mendimet e tyre? Dhe sa i ndihmojmë që të rriten shëndetshëm?
Familja është institucioni ku fëmija shkel për herë të parë. Aty rritet dhe përçapet të krijojë një identitet të tijin. Prindërit janë ata që në njëfarë mënyrë kushtëzojnë këtë rritje. Shpeshherë, ndodhur nën presionin e përgjegjësisë, si pasojë e veprimeve dhe sjelljeve të tyre, e gjejnë veten në dy skaje: fajtor dhe krenar për atë që fëmija bëhet. Ekziston një standard i thënë nën zë mes prindërish për atë çka fëmija është mirë të “bëhet”. Dhe në përpjekjen e vazhdueshme për të bërë më të mirën dhe për ta ndihmuar fëmijën të arrijë këto standarde, shpeshherë gabojnë. Tamam ashtu, si ajo nëna në linjën urbane e zënë ngushtë nga ai mesoburrë dhe nga gjesti i tij i dashurisë për fëmijët, theu atë këshillë për të cilën vajza e saj ishte “betuar” që nuk do ta shkelte kurrë. Shpeshherë prindit mendojnë se fëmijët ndryshojnë me rritjen dhe në këto kushte zihen ngushtë dhe janë konfuz për rolin e tyre.
Në fakt, jo! Fëmijët mbeten të njëjtë gjithë jetën. Tamam si atë ditën e parë kur vijnë në jetë duke qarë, dhe vazhdojnë të qajnë edhe kur pijnë gji apo kur nënat i përkundnin për t’i vënë në gjumë. Ata qanin sepse nuk donin të pinin, kishin pirë mjaftueshëm. Ata qanin sepse nuk donin të flinin, nuk kishin gjumë. Ata qanin sepse i frikësoheshin çdo tingulli që hynte shigjetë në veshët e tyre, çdo rrezeje që u shponte sytë, gurgullimave të aparatit tretës apo mbushjes së mushkërive me ajër. Ata, atë ditë u trembeshin çdo gjëje të re. E vetmja gjë për të cilën kishin nevojë ishte një përqafim, një ledhatim i ngrohtë. Kishin nevojë për zërin tuaj të ngrohtë dhe për aromën tuaj. Kishin nevojë që ju ta dëgjonit të qarën e tyre, ta kuptonit frikën e tyre dhe të qëndronit aty, me ta.
Nevoja mbetet e njëjtë për çdo ditë që kalon. Edhe kur reagimet e tyre sofistikohen, edhe kur ndoshta refuzojnë të flasin me ju, edhe kur rebelohen ndaj jush. Gjithmonë kanë dhe do të kenë nevojë që t’i dëgjoni!
Prandaj qëndroni me ta, krahë tyre, duke u treguar që vazhdojnë t’ju kenë aty dhe jeni të gatshëm t’ju bëheni mbështetja më e sigurtë dhe më e butë që mund t’ju ofrohet. Luani dhe bisedoni me ta edhe kur ato ç’ka ata ju tregojnë ju duken kaq të vockla dhe kaq pa kuptim. Nëse ata kanë diçka për të shtuar kur “të mëdhenjtë” e shtëpisë diskutojnë, ktheni kokën dhe i dëgjoni gjithë kërshëri edhe nëse do t’ju duken shumë të vegjël për çka po diskutohet. Në këtë mënyrë, do të investoni në zhvillimin e vetësigurisë dhe vetëbesimit. Kur të rriten do të shihni që fëmijët tuaj nuk do të kenë turp për të shprehur kudo mendimet dhe ndjenjat e tyre dhe do të ndiheni krenar për ta.
Shpeshherë impulsiviteti juaj (i zhvilluar gjithnjë e më shumë prej lodhjes dhe mungesës së kohës apo durimit) ndërpret fëmijët kur ata janë duke gabuar.
Kujdes! Është e rëndësishme t’i lini fëmijët të përfundojë atë çka po thonin apo atë çka po bënin. Do të ishte mirë të ndërhyni me qetësi vetëm kur fëmijët kanë mbaruar, në të kundërt i bindni që janë të gabuar dhe se nuk duhet të ndërmarrin iniciativa. Për të shmangur këtë, vetëm në fund të asaj çka fëmijët kanë dashur të përcjellin mund t’ju shprehni çfarë ndjetë ju dhe t’ju shpjegoni ku gabuan. Por sigurisht, e gjithë kjo të bëhet duke folur vetëm për sjelljen dhe kurrsesi për fëmijët. Mund t’u thoni që sjellja ishte e gabuar dhe mund t’u tregoni cila do ishte sjellja e duhur. Kështu i ndihmoni fëmijët të mos ndihen ata të kritikuar, por sjellja dhe të kenë mundësi të korrigjojnë sjelljen. Në këtë formë i ndihmoni fëmijët tuaj të rriten dhe të jenë të motivuar për arritje dhe sukses.
Një pikë tjetër shumë e rëndësishme është gjithashtu edhe vlerësimi që vazhdimisht duhet t’u bëhet fëmijëve për diçka që e thanë bukur, për një vizatim, për një lojë të bukur që bëjnë dhe për gjithçka që ata marrin iniciativa. Shpeshherë, shumë të zënë me punë dhe gjithnjë e më shumë të lodhur, prindërit bien në grackën e kritikave më shumë se sa vlerësimeve dhe përgëzimeve.
Fëmijët kanë shumë nevojë për një përgëzim të sinqertë çka do i bënte të ndiheshin kompetent për atë çfarë bëjnë dhe të kënaqur me veten. Spontaniteti dhe përfshirja në lojë është gjithçka që fëmijët kërkojnë, prandaj “blini” pakëz kohë për fëmijët tuaj dhe kushtojuani vetëm atyre. Do të shihni që bashkë me zhvillimin e pavarësisë, kreativitetit dhe zhvillimit intelektual të fëmijëve tuaj, do të kënaqeni dhe do të çlodheni edhe ju. Do të kuptoni që ndërsa keni qenë duke u përpjekur për t’u mësuar fëmijëve gjithçka për jetën, ata me lojërat e tyre do t’ju mësojnë ju çfarë është jeta.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.