Marrëdhënie

June 2, 2018 | 12:42

Nga Imo Alikaj / Meshkujt inteligjentë janë besnikë e të sinqertë

Perspektiva biologjike e trajton inteligjencën si një tipar që njeriu e ka fituar gjatë fenomenit të evolucionit. Dhe thotë që meshkujt me koeficient inteligjence IQ të lartë (të cilët përfaqësojnë meshkujt bashkëkohorë) kanë “fituar” mbi “mashkullin e shpellave”, instinktet e të cilit prireshin drejt mbijetesës dhe mbijetesa sigurohej nëpërmjet riprodhimit.

Msc.Imo Alikaj / Psikologe klinike / Terapiste EMDR (niveli 1) / Terapiste ABA

Msc.Imo Alikaj / Psikologe klinike / Terapiste EMDR (niveli 1) / Terapiste ABA

Në këto kushte, “njeriu i shpellave” për të lënë sa më shumë pasardhës dhe për të siguruar vazhdimësinë e “llojit” të vet, krijon marrëdhënie të shumta. Ndërkohë që nga ana tjetër, mashkulli bashkëkohor, që ka siguruar një pavarësi socio-ekonomike, nën cilësinë e njeriut të evoluar, nuk lufton për mbijetesën nëpërmjet riprodhimit, ai lufton për kuptimin e kësaj mbijetese të siguruar tashmë. Çka shpjegon se janë gjithnjë e më pak, krahasuar me “meshkujt e shpellave”, të prirur drejt lënies së sa më shumë pasardhësve.

Shumë studime konfirmojnë gjithashtu, besnikërinë e meshkujve inteligjentë, duke arritur në përfundimin shkencor dhe empirik që meshkujt inteligjentë më shumë vlerësojnë martesat monogame dhe ekskluzivitetin seksual. Por çfarë do të thotë kjo besnikëri për marrëdhënien? A është e mjaftueshme për të siguruar kënaqësinë në çift? Sigurisht që jo, është e domosdoshme, por jo e mjaftueshme.

Një marrëdhënie me një mashkull inteligjent nuk mund të mbetet e pacenuar nga karakteristikat e tjera të tij përtej besnikërisë, transparencës dhe sinqeritetit. E vërteta është se të qenit gjithmonë racional, në kërkim të arsyes, kuptimit, zgjidhjes dhe të përqendruar në objektiva afatgjatë, bëjnë që herë-herë të jetë i vetmuar dhe të mos ketë shumë dëshirë të përfshihet në takime të gjata me miq apo takime romantike me partneren.

Dhe në kushte të tilla, ku partneri vazhdimisht, edhe pse në shtëpi, mund të jetë duke mësuar, kërkuar apo punuar për ide dhe kuptime të tjera rreth botës së tij, lindin keqkuptimet. Partnerja nuk do të mund ta kuptoj dhe nuk do të mund t’i justifikojë orët e zgjatura të studimit dhe të punës apo nismat e reja që ndërmerren vazhdimisht, pavarësisht se gjithçka bëhet “për t’u rritur” dhe për të ecur përpara me të ardhura më të larta.

Ai nuk beson te fati, por te puna e palodhur dhe këmbëngulëse. Çka, nëse nuk kuptohet nga partnerja, mund ta drejtojë marrëdhënien në një linjë të errët pakënaqësish. Ajo mund të ndihet e lënë pas dore, e harruar, jo mjaftueshëm tërheqëse, jo mjaftueshëm e denjë për partnerin e saj dhe e paaftë për ta rikthyer atë edhe një herë vetëm ME dhe PËR familjen.

Kjo është edhe arsyeja pse, meshkujt inteligjentë, shpesh herë, ndihen të pakuptuar dhe të ndryshëm mes të tjerëve, sepse ata e shohin botën dhe jetën ndryshe. Ndoshta tani po pyesni të gjithë për fundin e kësaj marrëdhënie mes një partneri me koeficient inteligjence të lartë dhe një partnere me koeficient inteligjence më të ulët. A përfundon me një kolaps konfliktesh?

Nuk mund të kemi asnjëherë një përgjigje të sigurt për këtë, aq sa kemi të sigurta karakteristikat dhe pikat e forta problem-zgjidhëse të një mashkulli inteligjent. Ai ka një intuitë të fuqishme për të ndjerë çfarë po ndodh pa pasur ende asgjë konkrete mbi tavolinë dhe kjo sepse ai është vazhdimisht racional dhe i logjikshëm.

Vetëkontrolli i lartë që ai ka, e bën të jetë më mendjehapur, me sens humori, pranues dhe sigurisht aspak agresiv. Për më tepër është për t’u theksuar pika e tij më e fortë: komunikimi. Dhe nëse një marrëdhënie ndërtohet mbi bazat e një komunikimi të mirë, si mund të jetë vazhdimësia e saj?!

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 125

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top