Përgatiti Rudina Koromani, Psikologe Klinike
Ai udhëtar, shkencëtar, eksplorues dhe mistik i palodhshëm, mbërriti gati pa e kuptuar as vetë në një shpellë disi misterioze të fshehur pas një ujëvare, në mes të xhunglës, ku askush nuk kishte vënë këmbë.
Kur hyri, era që frynte tingëllonte si muzikë duke e thirrur të hynte brenda. Dhe ishte më shumë se një ndjesi, sepse kur arriti në qendrën e shpellës, pa hieroglifë të gdhendur në shkëmb.
Eksploruesi arriti të deshifrojë mesazhin me një përpjekje të vogël. Thoshte: “Mirë se erdhe udhëtar misterioz. Këtu është tempulli i fshehur i Ximelias. Ajo ka një dhuratë për t’ju ofruar. Ecni përpara dhe do të gjeni një sënduk. Mbi të do të shikoni gjurmët nga dora e saj. Vendosni pëllëmbën në gjurmë dhe nëse e meritoni vërtetë, çmimi do të jetë i juaji.”
Udhëtari vazhdoi pa frikë, derisa gjeti sëndukun dhe me besim vendosi pëllëmbën e tij mbi gjurmë. U dëgjua një zhurmë e mekanizmave të vjetër dhe kapaku i sëndukut u hap para syve të tij.
Një zë, i panjohur nga vinte, i foli në gjuhën e tij:
“Oh, udhëtar i panjohur. Jeni i zgjedhuri. Çmimi Ximelia është i juaji. Siç mund ta shihni, ka tre unaza në sënduk. Secila ka fuqi magjike dhe secila, nëse përdoret, neutralizon fuqinë e dy të tjerave. Duhet të zgjidhni … “
Udhëtari pa të tre unazat para tij. Secila kishte një gur të madh me ngjyra të lidhura me ar dhe platin.
“Unaza e kuqe vazhdoi zëri, do t’ju dhurojë rininë e përjetshme, me dashuri dhe seksualitet të përjetshëm. Kush grua të sheh do të bjerë në këmbët e tua, nëse dëshiron, dhe nuk do të mund të arrish të shijosh kënaqësinë që do të kesh pafund. Kurrë nuk do të përjetoni pleqëri ose ndonjë sëmundje, përveç nëse do ta dëshironi ju …
Unaza e verdhë do t’ju japë pasuri të pafund dhe çdo të mirë tokësore që dëshironi. Do të keni aq para sa të doni, bizhuteritë më të shtrenjta dhe çfarëdo sendi me vlerë që dëshironi, mjafton ta kërkoni …
Dhe së fundi, unaza blu mund t’ju ofrojë mençuri dhe njohuri të pafundme. E gjithë e vërteta e botës do të zbulohet për ju menjëherë dhe nuk do të ketë më asnjë mendim të gabuar në mendjen tuaj ose ndonjë vello që do të hijëzojë qartësinë e mendimit tuaj. Nëse e zgjidhni, do të mësoni gjithçka rreth vetes, për gjithçka dhe të gjithë.“
Udhëtari shikonte i magjepsur unazat.
“Por kini kujdes, udhëtar,” përfundoi zëri, “sepse kur të zgjidhni unazën tuaj dhe ta vendosni, menjëherë do t’ju japë atë që kërkuat, por dy të tjerat do të humbasin përgjithmonë. Zgjidhni siç duhet i dashur i huaj dhe kthehuni në qytetin tuaj sipas dëshirës tuaj … “
Me një zë të lartë, sikur ajo mund ta dëgjonte, udhëtari tha:
“Nuk është nevoja të mendoj fare. Asgjë nuk është më e rëndësishme për mua nga mençuria.”
Dhe, duke marrë unazën blu, e vendosi në gishtin e mesëm të dorës së majtë.
Papritur, një re tymi qielli e mbështolli, ndien unazën të bëhet njësh me gishtin e tij dhe sheh dy të tjerat të zhduken. Sënduku dhe shpella gjithashtu u zhdukën, dhe udhëtari qëndroi në këmbë mbi shkëmbin e zhveshur, nën rrezet e diellit.
Papritmas ndien mençurinë që përmbyt çdo qelizë të trupit të tij, dhe një mendim, mendimi i parë që mund të ishte i sigurt se ishte absolutisht i drejtë, lind në mendjen e tij.
Atëherë, udhëtari godet fort ballin dhe thotë:
“Duhet të kisha zgjedhur paratë!!!”
*Nga injoranca tek mençuria*.
Jorge Bucay
P.s: Siguria e tepërt ndonjëherë të çon në vendimin e gabuar. Nëse dikush e di ditën që do vdesë, atëherë i lejohet dhe luksi i të menduarit me siguri….
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.