Marrëdhënie

March 10, 2018 | 13:48

Nga Isida Lalaj / Shtatzënia e parë… Si t’ia dalim në çift?

Jeni në pritje të fëmijës së parë? E keni dëshiruar aq shumë dhe tani prisni me padurim lindjen e tij, e megjithatë jeni pak e shqetësuar? Keni frikë se ardhja e tij do t’ju trondisë jetën? A do të dini të jeni një nënë e mirë? Çfarë do të ndodhë me jetën tënde në çift? Me pak fjalë, si duhet të përgatiteni për ardhjen e tij apo të saj?

Nga: Isida Lalaj Psikologe Këshillimi

Nga Isida Lalaj
Psikologe Këshillimi

Ndryshimi fizik dhe emotiv i të qenit nënë, do të transformojë trupin tuaj dhe ky është efekti më i dukshëm. Të qenit nënë gjithashtu mund të ndikojë edhe në karakterin tuaj. Disa femra shtatzënë, ndihen shumë mirë, krenare për veten dhe të lumtura, ndjejnë një forcë të re. Të tjerat mund të kalojnë periudhë jo shumë të mirë, mund të jenë në ankth, ndjejnë frikën se nuk mund të jenë të afta për të për të qenë një nënë e mirë, ndjejnë frikën se do të mund të humbasin lirinë e tyre, etj. Për të mos folur më pas për frikën që ato kanë, nëse fëmija i tyre mund të ketë ndonjë keqformim. Përgjithësisht nënat e ardhshme përjetojnë ndjesi kontradiktore. Momentet e gëzimit dhe të euforisë mund të shndërrohen menjëherë në momente ankthi dhe shqetësimi.

Për të përjetuar një fazë lindjeje në harmoni, më parë duhet të mësojmë më së miri të gjitha fazat se çfarë ndodh gjatë shtatzënisë. E rëndësishme është që çdo përvojë, çdo ndjesi dhe mendim, duhet ta ndani me partnerin tuaj, sepse ai ashtu si ju gëzon të drejtën për të qenë i informuar për këtë ngjarje kaq me rëndësi në jetën tuaj në çift. Ardhja e një bebeje në jetën e një çifti të ri, të cilët e kanë dashur dhe planifikuar këtë, është një bekim i mrekullueshëm për ta.

Fëmija sjell shumë lumturi dhe dashuri tek ta. Sapo marrin dijeni për gjininë e fëmijës, çifti fillon të mendojë e të planifikojë emrin e bebes, modelimin e dhomës, rrobat e para, lodrat e para, etj. E gjithë kjo periudhë e pritjes së ëmbël, është thuajse magjike për një çift që dashurohen dhe e duan shumë këtë fëmijë që do të vijë.

Por ndodh që për disa çifte, të cilëve u vjen papritur dhe pa planifikim, shtatzënia u shkakton ndjenja konfuze, si: mospranim, pakënaqësi, pasiguri, apo edhe mërzi, duke shkuar e duke menduar dhe mënyra sesi të mos e sjellin në jetë këtë krijesë të bekuar, dhuratë nga Zoti. Është mirë që këto çifte të flasin me njëri-tjetrin, me të afërm të besuar apo të kërkojnë ndihmën e një psikologu për ta kaluar këtë fazë të pakëndshme e të pranojnë ta duan realitetin e tyre.

Disa këshilla që do t’i bënin mirë një çifti gjatë pritjes së ëmbël:

Shprehni atë që ndjeni! Kjo do t’ju ndihmojë të kaloni ndjesitë e ankthit. Bisedoni me bashkëshortin tuaj, me nënën, me miken tuaj më të mirë. Flisni me mjekun tuaj ose me nëna të tjera shtatzëna.

Bëni sport! Aktiviteti fizik mund t’ju ndihmojë të qetësoheni dhe të mbani një marrëdhënie pozitive me trupin tuaj që zhvillohet. Ju këshillohet të bëni yoga, të ecni dhe të notoni.

Lërini hapësirë babait të foshnjes! Që në shtatzëni nëna ka një lidhje të veçantë me fëmijën në formë intensive dhe gjithashtu mishtore, sepse e mban në barkun e saj. Ndaj është shumë e rëndësishme të ndihmoni dhe babain që të gjejë ekuilibrin e duhur dhe të ndihet pjesë e familjes.

Bëni dashuri gjatë shtatzënisë! Kur një çift pret një fëmijë, ka dëshirë të vazhdojë të bëjë dashuri. Është shumë e rëndësishme që kjo lidhje të zhvillohet me të njëjtën rrjedhë si më parë dhe të ekzistojë dëshira nga të dyja palët. Kjo shërben për të mbajtur të lidhur çiftin edhe pas lindjes së foshnjës.

Hyni në kontakt me fëmijën! Përkëdhelni barkun, flisni me fëmijën tuaj, dëgjoni muzikë relaksuese. Në këtë mënyrë do të hyni në kontakt me fetusin dhe do t’i mundësoni atij të zhvillohet në harmoni.

Botuar në Rvistën “Psikologjia”, Nr. 120

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com