Mirëqenie

October 5, 2018 | 8:05

Nga Jonida Rama: Komunikimi prind fëmijë, këshilla për fuqizimin e marrëdhënies

Kur lindim, jemi të lirë prej paragjykimeve dhe kemi një vizion të veçantë që na shoqëron gjatë gjithë fëmijërisë sonë, deri në momentin kur një i rritur na mëson një realitet ndryshe nga ai që mendonim se ishte jeta dhe bota.

Jonida Rama, psikologe

Jonida Rama, psikologe

Është e rëndësishme të kuptojmë që fëmijët janë qenie speciale, me shumë ndjeshmëri, që të rriturit duhet ta ushqejnë më shumë, duke i dëgjuar me zemër për të kuptuar më shumë prej tyre.

Komunikimi me fëmijët është pika thelbësore.

Të kapësh vëmendjen e fëmijës dhe t’ua shpjegosh gjërat në një mënyrë që të jenë sa më të kuptueshme për ta. Pra t’ju flasësh fëmijëve nuk është e vështirë. Ekziston gjithmonë një mënyrë që t’i bësh të të dëgjojnë. Komunikimi me fëmijët kërkon që të jesh i hareshëm dhe entuziast. Kur flitet për komunikimin te fëmija duhet të dimë që kemi të bëjmë me një proces kompleks që përfshin të paktën tre sisteme: fëmija, gjuha, konteksti i marrjes së gjuhës.

communication-parents-title-image_tcm7-170718

Por si duhet të jetë komunikimi prind-fëmijë?

Së pari, përpiquni të gjeni rregullisht kohë për të bërë diçka zbavitëse me fëmijën tuaj.
Kurrë mos debatoni me njëri-tjetrin përpara fëmijës, lidhur me disiplinën.
Jini dakord të dy palët (prindërit) lidhur me sjelljet e dëshirueshme apo të padëshirueshme dhe bini dakord si do t’i përgjigjeni një sjelljeje të papëlqyeshme.

Sqarojeni sa më mirë se kush është sjellja e papëlqyeshme, për shembull, nuk mjafton të thoni “dhoma jote është rrëmujë”, por duhet të sqaroni më saktë duke thënë “ke lënë shumë rroba në tokë, nuk ke rregulluar krevatin, librat janë të shpërndarë, etj”.
Prisni ndryshime të ngadalta të sjelljes. Mos prisni shumë! Lavdëroni sjelljen që po përmirësohet dhe po i afrohet asaj që dëshironi.

Mother with kids on kitchen

Kujtoni se sjellja juaj është model për sjelljen e fëmijës suaj.
Nëse njëri nga ju si prind po i mëson fëmijës disiplinën dhe tjetri hyn në dhomë, ky i fundit nuk duhet të ndërhyjë në argumentimin që po bëhet.
Të dy prindërit duhet të kenë një ndarje të barabartë të përgjegjësisë së disiplinës, sa më shumë të jetë e mundur. Nuk është mirë që fëmijët t’i disiplinojë vetëm njëri prind dhe tjetri të thotë: “Prit se ta rregullon babi/mami qejfin, kur të vijë”.

Edhe kur jeni shumë të lodhur, bëni shumë përpjekje të dëgjoni përsëri me kujdes fëmijën që po ju flet. Dëgjimi aktiv, i vëmendshëm është një punë e vështirë dhe është shumë më e vështirë kur trupi dhe mendja juaj janë të lodhur.

Mos e ndërprisni fëmijën kur po përpiqet të tregojë historinë e tij/saj.

Mos u bëni kritik apo kërcënues kur fëmija po tregon një ngjarje.
Mos përdorni fjalë fyese si për shembull, i trashë, budalla, dembel, apo fjali ofenduese të tipit kjo s’ka kuptim, ku di ti, ti je fëmijë.
Përforconi mbajtjen e komunikimit hapur me fëmijën, duke lavdëruar dhe pranuar përpjekjet e tij për të komunikuar.

1Këshilla për fuqizimin e marrëdhënies prind-fëmijë:

I thoni se e doni  

Çdo ditë i thoni fëmijës suaj se e doni, pavarësisht se çfarë moshe ka. Është shumë me rëndësi që edhe pas mosmarrëveshjeve mes jush, atëherë kur fëmija i juaj ndoshta ‘edhe nuk është personi më i dashur’, të tregoni dashuri ndaj tij. Një thjeshtë ‘të dua’, që do ta thoni në atë moment do të kontribuon në zhvillimin dhe fuqizimin e marrëdhënies prind-fëmijë.

Krijoni dhe zbatoni ritual të veçantë para se të bini në gjumë 

Për fëmijët e vegjël, leximi i librit të preferuar apo rrëfimi i përrallës para rënies në gjumë është një shprehi e përditshme, të cilën fëmijët me siguri se do ta mbajnë në mend gjatë tërë jetës.

Lejoni fëmijët t’ju ndihmojnë 

Nganjëherë prindërit në mënyrë të paqëllimshme lëshojnë rastin për të krijuar një marrëdhënie më të afërt me fëmijën, duke mos i lejuar të ndihmojë gjatë kryerjes së ndonjë detyre apo pune. Nëse ia lejoni fëmijës të zgjedh se cilat këpucë i përshtaten më mirë fustanit që dëshironi ta vishni, kjo nënkupton se vlerësoni mendimin e fëmijës. Natyrisht nëse keni kërkuar mendimin e fëmijës, jeni të gatshëm që ta pranoni atë! 

Luani me fëmijët tuaj 

Është me rëndësi që në të vërtetë të luani me fëmijët tuaj. Luani me kukulla, me top, këndoni së bashku, luani shah apo çfarëdo tjetër që është interesante dhe zbavitëse për ju dhe fëmijët tuaj. Nuk është me rëndësi se me çka luani, por është me rëndësi që të kënaqeni me këtë! Tregojuni fëmijëve mendjemprehtësinë tuaj. Fëmijët më të rritur kanë dëshirë të luajnë me letra, shah, videolojëra; derisa më të vegjlit kanë dëshirë pothuajse çdo gjë… është me rëndësi që ju të jeni pjesë e lojës.

Respektoni zgjedhjen e tyre

Fëmijët kërkojnë pavarësi që në moshën e hershme, ndërsa prindërit mund t’u ndihmojnë duke i nxitur në marrjen e pavarur të vendimeve.

Fëmijët janë prioritet 

Fëmijët duhet të dinë se janë prioritet në jetën tuaj. Ata mund ta ndjejnë stresin e prindërve dhe dinë se kur nuk duhet t’ua vejnë veshin. Nganjëherë pjesë përbërëse e të qenit prind është të mos u kushtoni vëmendje gjërave të vogla, por të kënaqeni me fëmijët tuaj. 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top