Ardhja në jetë e një fëmije është gëzim i pamat për të gjithë prindërit. Vitet kalojnë dhe ata rriten, duke na mbushur jetë me dashuri. Çdo prind përpiqet të bëjë më të mirën për fëmijën e tij, dhe shpesh përballet me dilemën nëse stili i prindërimit që ai ka zgjedhur është i duhur apo jo?!

Juliana Dulla, Master Shkencor, psikologe këshillimi
Nuk ka një recetë fikse për prindërimin. Është një profesion që mbart më shumë përgjegjësi se çdo profesion tjetër. Duam apo nuk duam, si prindër ne i përgjigjemi dhe sillemi sipas karakterit të fëmijës. Në familjet me dy ose më shumë fëmijë, prindi vetë e vë re që, sado të mundohet, ai nuk sillet njëlloj me fëmijët. Sipas studiuesve të ndryshëm, është para që prindërimi autoritativ, është më i suksesshëm. Këta janë prindërit që arrijnë të komunikojnë me fëmijët e tyre, i përfshijnë ata në bisedat e tyre. Sigurisht që ka një zgjedhje të bisedave që duhet të përfshish edhe fëmijët. E rëndësisshme është që mos neglizhohen apo përjashtohen totalisht nga marrja e dhënia e mendimeve, sepse nëse fëmijët i thua: do bësh si të them unë, ai do ndihet i pavlerë, dhe në këtë moment zhvillon vetëvlerësim të ulët për veten, tërheqje, turp dhe pasiguri për të ecur në jetë. Kështu, gjatë zhvillimit të tij fillon krijon ankth, ndihet i dështuar dhe i paaftë për të përballuar ngjarjet, emocionet dhe sfidat.
KËSHILLA
• Kaloni sa më shumë kohë të jetë e mundur me fëmijët tuaj
• Kërkoni mendimin e tyre dhe shkëmbeni ide me ta
• Ndërkohë që flisni me fëmijët, mos bëni gjë tjetër njëkohësisht, por përkushtojuni totalisht vëmendjen atyre
• Kur japin mendimin e tyre, vlerësojini pozitivisht. Vetëm kështu ata do të ndihen më çlirët dhe njëkohësisht do kenë vetëvlerësim të mirë për veten
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.