Këshilla & Arsye

January 25, 2018 | 14:46

Nga Kalina Zaka: Zemërimi te fëmijët, a është normale?

Unë besoj se fëmijët të cilët cilësohen si ‘të mirë’ janë fëmijë që dinë se si t’i zgjidhin konfliktet dhe problemet e tyre dhe fëmijët që cilësohen si ‘të këqij’ janë fëmijë të cilët nuk dinë si t’i zgjidhin këto probleme – James Lehman

Kalinë Zaka Psikologe klinike Terapiste ABA

Kalinë Zaka
Psikologe klinike
Terapiste ABA

Është e vështirë të përballesh çdo ditë me zemërimin e një fëmije. Shumë prindër shikojnë si problemin më të madh te fëmija e tyre sjelljen e papërshtatshme dhe tonet agresive të të komunikuarit. Në pjesën më të madhe të rasteve, fëmijët e dinë se çfarë duan dhe dinë, ose eksperienca i ka mësuar se si ta marrin atë që ata duan. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se kur fëmija është duke qarë dhe duke bërtitur, është duke tentuar të marrë diçka që ai e do dhe kjo është një mënyrë që ata kanë mësuar për të arritur atë që duan. Edhe pse mund të tingëllojë e çuditshme, zemërimi dhe sjelljet agresive janë pjesë normale e zhvillimit te fëmijët sidomos në grupmoshën 2-5 vjeç. Kjo sepse në këtë moshë ata ende nuk kanë të zhvilluar komunikimin verbal dhe sjelljet ‘e papërshtatshme’ si: goditjet, shkelmimet, tonet e larta të zërit dhe tonet agresive janë mënyrë për t’u shprehur dhe për të marrë atë që duan.

Te fëmijët 2-3 vjeç këto sjellje janë më të zakonshme, sepse në këtë moshë fëmijët janë ende në stadin e egocentrizmit dhe njohin vetëm këndvështrimin ‘unë’ dhe ‘i/e imja’.  Gjithashtu ata nuk e njohin mirë kodin e gjuhës dhe për këtë arsye ata përdorin këmbët, duart ndonjëherë edhe tonin e lartë të zërit për të zgjidhur problemin e tyre. Deri këtu asgjë nuk është shqetësuese. Ajo që vërtet është shqetësuese dhe alarmante është mënyra se si ne të rriturit përballemi dhe i menaxhojmë këto sjellje. Ajo që ne bëjmë zakonisht kur shikojmë se fëmija është shumë i zemëruar, është gjykimi i sjelljes së tij ose shprehja e autoritetit duke i kërkuar që të qetësohet. Dhe në fakt nivelet e larta të autoritetit që ne i parashtrojmë fëmijëve, nxisin dhe mbajnë konstante sjelljet agresive të fëmijëve. Zemërimi dhe agresiviteti janë dy emocione shumë të fuqishme që duhen respektuar. Mbi të gjitha kur shprehen nga fëmijët, kjo sepse në këtë rast nuk është vetëm një emocion, por është një lloj gjuhe që fëmija ka zgjedhur të përdorë për të na treguar si ndihet. Zemërimi dhe agresiviteti janë shumë të rëndësishme, pasi ato mund të jenë pasojë e nivelit të ulët të vetëvlerësimit të fëmijës, mund të shoqërohen me ndjenjën e pasigurisë, izolimit ose fëmija mund të ndjejë ankth për një situatë të cilën nuk e menaxhon dot pa ndihmë. Për këtë arsye është e rëndësishme, që kur këto emocione shikohen te një fëmijë në radhë të parë të respektohen si emocione dhe së dyti të dëgjohen dhe kuptohen.

Të bërtiturat dhe sjelljet që ne i quajmë të papërshtatshme do të ishte mirë t’i lexonim si një kërkesë e fëmijës për ndihmë. Në këto raste do të ishte e këshillueshme që t’i jepnit fëmijës kohën për të cilën ai ka nevojë që të qetësohet. Nuk do të ishte mirë të ndërhynit dhe të modifikonit, gjykonit apo korrigjonit sjelljet dhe emocionet e fëmijës. Kjo do i shtonte ankthin, pasigurinë dhe rrjedhimisht do të çonte në rritjen e nivelit të zemërimit. Është shumë e rëndësishme që zemërimin dhe sjelljet agresive t’i shikojmë si dy emocione të shëndetshme që tregojnë se fëmija është dukë u rritur dhe duke u përballur me disa situata të reja dhe të vështira dhe po kërkon ndihmën tonë. Është e rëndësishme që në këto raste fëmija të ndjejë se ne jemi aty për ta ndihmuar atë. Kjo mund t’i japë më shumë siguri, mbështetje dhe vetëbesim. Ul nivelet e ankthit dhe stresit dhe ul nivelin e zemërimit.

Në rastet kur sjellja dhe tonet agresive pengojnë zhvillimin e marrëdhënieve sociale, në rast se janë të rrezikshme për fëmijën ose moshatarët e tij, ose kur këto sjellje janë duke ndikuar jetën e të gjithë pjesëtarëve të familjes duhet të kërkohet ndihma e një profesionisti.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top