Fëmijët etiketohen dhe kategorizohen që në fëmijërinë e hershme në bazë të aftësive akademike që ata kanë. Në kopsht dhe në parashkollor, ata prezantohen për herë të parë me programet akademike dhe në varësi të aftësive që ata shpalosin në këto programe ndahen në dy grupe; në fëmijë shumë të zgjuar dhe në fëmijë “përtacë”.
Është shumë e rëndësishme që para se të etiketojmë këta fëmijë si përtacë dhe të paaftë për të mësuar, të kuptojmë arsyet përse ata nuk mund të ecin me ritmin e shokëve. Një arsye që i pengon disa fëmijë të mësojnë me të njëjtin ritëm si bashkëmoshatarët janë edhe vështirësitë në të nxënë.
Vështirësitë në të nxënë janë vështirësi neurobiologjike të procesimit të informacionit të ri. Vështirësitë në të nxënë nuk prekin nivelin e inteligjencës dhe fëmijët me këto vështirësi nuk janë dembelë apo të paaftë për të mësuar. Ata janë po aq të zgjuar, ndoshta edhe më të zgjuar se bashkëmoshatarët e tyre. Vështirësitë në të nxënë prekin mënyrën e marrjes së informacionit dhe procesimin e informacionit të ri, kjo e vështirëson përvetësimin e materialit akademik.
Vështirësitë në të nxënë ndryshojnë nga një fëmijë te një tjetër, pasi fëmijë të ndryshëm mund të shfaqin aftësi shumë të mira në një fushë dhe vështirësi të mëdha në një fushë tjetër akademike. Për shembull: ndërkohë që një fëmijë mund të luftojë me leximin dhe germëzimin, një fëmijë tjetër mund të dashurojë librat, por është në luftë me matematikën dhe logjikën numerike. Përveç kësaj një tjetër fëmijë mund të jetë i aftë të procesojë shpejt informacionin që lexon dhe mund të ketë shumë të zhvilluar logjikën matematikore, por ndërkohë ka vështirësi të kuptojë atë që të tjerët i komunikojnë me zë të lartë. Vështirësitë janë të ndryshme dhe kombinohen në mënyra të ndryshme, por të gjitha janë vështirësi në të nxënë.
Tipet më të shpeshta të vështirësive në të nxënë janë disgrafia (vështirësi në shkrim), disleksia (vështirësi në të lexuar ), diskalkulia (vështirësi në matematikë ), dispraksia (vështirësi në aftësitë motore), afazia/disfazia (vështirësi në komunikim; gjuha e folur dhe e kuptuar), vështirësi auditive dhe vizuale.
Vështirësitë në të nxënë nuk mund të “shërohen”, por mund të trajtohen. Vështirësitë në të nxënë zgjasin gjatë gjithë jetës. Por me ndërhyrjen dhe mbështetjen e duhur të gjithë fëmijët me vështirësi në të nxënë mund të jenë të suksesshëm në shkollë dhe më vonë në karrierë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.