Këshilla & Arsye

September 23, 2017 | 17:53

Nga Kalinë Zaka: Si ta kuptoj që fëmija im ka vonesë në zhvillim, shenjat e para të autizmit

“Fëmija im nuk më shikon në sy, nuk më dëgjon, është impulsiv dhe nuk i ndan lodrat me moshatarët. Jam shumë e shqetësuar. A është fëmija im me autizëm?”

kalina

Kalinë Zaka, psikologe klinike, terapiste ABA

Duket sikur vonesat e ndryshme në zhvillim dhe rritja e numrit të fëmijëve me autizëm është kthyer në një makth për prindërit e rinj. Përballja e përditshme e këtyre prindërve me frikërat e tyre i ka kthyer ata pothuajse obsesivë me fëmijët dhe duket sikur janë gjatë gjithë kohës me laps dhe me letër në dorë duke bërë “check” çdo detyrë që ata e kanë arritur dhe duke u shqetësuar pse disa të tjera ende nuk duken se janë arritur. Është e rëndësishme të rikujtohet se plotësimi i gurëve kilometrik nuk plotësohet te të gjithë fëmijët njësoj dhe shpesh disa fusha të zhvillimit kanë nevojë për më shumë kohë për t’u zhvilluar. Por kjo nuk do të thotë se fëmija ka vonesë në zhvillim apo që është i spektrit të autizmit, sepse është impulsiv dhe i kërkon gjërat e tij me dhunë.  Disa sjellje janë thjesht të keqpërshtatura ose të imituara nga mjedisi  që i rrethon.

1

Për të ditur nëse një fëmijë është i spektrit ose jo duhet të presim deri në tre vjet pasi simptomat dhe zhvillimi konjitiv i fëmijës është më i qartë. Megjithatë simptomat e para të autizmit mund të evidentohen në muajin e shtatë të lindjes.

Disa nga sinjalet e para të autizmit:

  • fëmija juaj nuk ju buzëqesh kur ju i dhuroni një buzëqeshje,
  • nuk i drejton duart drejt jush për ta mbajtur në krahë,
  • nuk reagon ndaj tingujve dhe është pjesën më të madhe të kohës i irrituar. Këto simptoma mund t’i evidentojmë që vitin e parë të jetës, por për të qenë më të sigurtë, duhet të prisni të paktën dhe një vit tjetër. Diagnoza mund të vendoset vetëm në moshën 2-3 vjeçare pasi autizmi prek tri fusha të zhvillimit te fëmijët, të cilat jo të gjitha mund të jenë të dukshme në vitin e parë të jetës.

2

Fushat që prek autizmi janë:

Bashkëveprimi shoqëror: vështirësi në krijimin e marrëdhënieve sociale dhe në përfshirjen në lojë me të tjerët.

Komunikimi: probleme me komunikimin verbal dhe jo vetëm. Vështirësi në bërjen e kërkesave dhe në disa raste fëmijët nuk munden as të imitojnë rrokje. Në rast se fëmijët kanë aftësi verbale, komunikimi i tyre përbëhet nga ekolalia ose nga të folurit jo në kontekst.

Imagjinata: kanë vështirësi në krijimin e lojërave dhe nuk përfshihen në lojëra imagjinare.

Simptomat e para të autizmit

Interesi i ulët ose inekzistent për tjetrin: Zakonisht fëmijët bëjnë të pamundurën për të marrë vëmendjen e prindërve, edukatorëve apo familjarëve edhe kur nuk flasin, nëpërmjet lëvizjeve, gugatjeve dhe buzëqeshjeve. Një fëmijë i spektrit nuk e bën këtë gjë. Ata nuk kanë interes për praninë ose mungesën e personave të tjerë.

Kontakt i dobët me sy: Në moshën dymuajshe fëmijët fillojnë të kenë kontaktet e para me sy. Nëse deri në moshën 1-2 vjeç fëmija ende nuk i shikon të tjerët në sy atëherë fëmija ka nevojë për vlerësim nga profesionistët.

Mungesa e fjalëve: Në moshën 6-muajsh, fëmija fillon gugatjet. Nëse në moshën 1-2 vjeç fëmija nuk thotë fjalë, por vazhdon me gugatjet atëherë duhet të drejtohemi te profesionistët. Mungesa e fjalëve jo gjithmonë tregon se fëmija është me autizëm.

Nuk reagon ndaj emrit: Nuk e kthen kokën kur e thërrasin në emër. Nuk reagon kur dëgjon emrin e tij.

Buzëqeshja: Nëse i buzëqesh një fëmijë ai do ta kthejë buzëqeshjen. Nëse fëmija nuk ua kthen buzëqeshjen ose nëse nuk shpreh emocione ndërkohë që luani me atë duhet të konsultoheni me një specialist.

Përdorimi jofunksional i lodrave: Fëmijët e spektrit zakonisht i shkundin, tundin, hedhin ose thyejnë lodrat e tyre.

Lëkundja e duarve: Tundja e duarve ose e këmbëve dhe shtrëngimi i gjymtyrëve mund të jetë një tregues me rëndësi për autizmin.

Imitimi: Fëmijët mësojnë të hanë, të luajnë dhe të buzëqeshin duke imituar të tjerët. Fëmijët e spektrit nuk imitojnë. Jo për qëllimin e të mësuarit apo të lojës.

Ekolalia: fëmijët e spektrit nuk munden të komunikojnë, por përsërisin fjalët e të tjerëve. Dhe këtë gjë e bëjnë pa pushim dhe jo për qëllime loje.

Rutina: Janë shumë të lidhur me rutinën ditore dhe irritohen dhe bëhen ankthioz nëse u ndryshohet rutina. Shfaqin interes obsesiv për disa objekte dhe i përdorin ato pa pushim.

3

Nëse fëmija ka një nga këto karakteristika nuk është diçka për tu shqetësuar, pasi disa nga këto elemente i gjejmë edhe te fëmijë me zhvillim normal, por që i kanë pjesë të karakterit të tyre. Nëse këto simptoma janë të kombinuara me njëra–tjetrën dhe intesiteti i tyre pengon apo ndikon funksionimin e përditshëm të fëmijës atëherë është e nevojshme një vlerësim te profesionistët.

Nëse fëmija nuk ka 4 ose më shumë simptoma të lartpërmendura, atëherë ai nuk është i spektrit të autizmit, mund të ketë vonesa të tjera të zhvillimit ose mund të ketë një zhvillim normal kjo varet nga intensiteti i simptomave dhe nga kombinimi i tyre duke marrë parasysh edhe karakterin e një fëmije.

 

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top