Epërsia e supozuar e burrit ndaj gruas, e lidhur tradicionalisht me atributet e burrërisë; qëndrimin ose sjelljen që rrjedh prej tij, në pasqyrimet e tij shoqërore. Fatkeqësisht, jetojmë akoma në një shoqëri maskiliste, kryesisht në Shqipëri ku emancipimi në këtë aspekt duket vite dritë larg.
Nga Kristal Hila, psikologe
Jetojmë në një shoqëri ku prindi lumturohet më shumë që të lindë djalë se sa vajzë «që të mbahet gjallë mbiemri». Ku preferohet të punosohet një burrë se sa një grua, në pozicione të larta pune. Ku në qoftë se një burrë ka patur shumë marrëdhënje është «i shkathet» ndërsa një grua në të njëjtën pozite quhet e përdale.
TRADITA
Që në periudhat më të hershme, roli kryesor i gruas ka qënë gjithmonë si shërbëtore. Duhet të mbante shtëpinë, ti lante këmbët burrit dhe vjehrrit dhe të shtronte tavolinën për të tjerët, se ajo do hante në fund. Duke filluar që në gjenezat e jetës së një foshnje, induktohet një mëndësi maskiliste, ku djali është shumë më lart se vajza. Kur lindte djalë duhet ta dinin të gjithë, gjuanin me armë në ajër, bëhej festë e madhe; ndërsa kur lindte vajzë një kafe e thjeshtë ishte më së e mjaftueshme. Nuk duhet lënë pa permendur që vajza mësohej që e vogël që të conte kafet në tavolinë, të shërbente kur vinin miq në shtëpi, ndërkohë që në atë moshë gjëja e vetme që duhet të bënte ishte të luante me kukulla. Objektivi i jetës duhet të ishte që të mësonte si të sillej te shtëpia e burrit, te shtëpia e saj e ardhshme. Natyrisht, vajza nuk kishte të drejtë të shprehte mendimin e saj, apo dhe të fliste. Thjesht, duhet të bënte atë që i thuhej, pa kundershtuar.
KANUNI I LEKË DUKAGJINIT
Libër i tretë
Martesa
Krye i dytë
Nye i dymbdhetët – 12
Tagri i vajzës: vajza, edhe në mos pasët prindë, ajo s’ka tagër me mendue për martëse të vet, tagri në dorë të vllaznve a të kushrijve.
Vajza s’ka tagër:
- a) me zgjedhë fatin e vet; do të shkojë për atë, për të cilin t’a fejojn
- b) m’u perzie në shkusi as në fejesë
- c) as në kepuce as në petka
Nye i trembdhetët – 13
Grueja a’ në dëtyrë:
- a) me i a ruejtë nderin burrit
- b) me i rrogue pa zhibla
- c) me i ndej nën sundim
- d) m’u pergjegje dëtyrve të kunores
- e) me i ndejë gadi më të veshmen e të mbathmen
- f) mos me i u perzie në fejes të të bijvë e të të bijave
Tagri i grues
Grueja ka tagër me lypë prej burrit të mbajtmen, veshen e mbathen
Krye i tetët
Trashigimet
Tagri i trashigimit në Kanu
Kanuja njef për trashigues djalin dhe jo vajzën
As te prindja as te burri grueja s’hin në pjesë te trashigimit
Krye i tretë
Nye i shtatëmbdhetët – 17
Tagri i djalit me për me leshue vajzën e zanun
Njatë here kur ti teket djalit, asht i lirë me leshue vajzën e xanun, porse sheji e gjithsa pare të ket la për vajzë i hupin; arsyeja asht: “Kush e lshon vajzën ndër unaze, kanuja i a ban gjobe hem shejin hem paret sa të kete la per të”.
Vajza nën unaze nuk ka tagër me lshue djalin
Vajza e xanun nuk mundet me e lshue djalin edhe në mos e pastët për sy. Po s’nigjoj vajza me shkue m’at fat, qi e kanë xanë, e edhe prindja i përkrahën se bisë, kjo s’mund të martohet ma për të gjallët e dhandrrit me tjetërkënd. Edhe po muer tjetër grue dhandrri vajza e xanun prej tij jet e lidhun se e lidhun. Me dekë te dhandrti, kanuja e liron vajzën, e po desht, mund të martohet për arsye qi “me deke të dhandrrit, sheji xehet i hupun”. Po s’ndigjoi vajza me shkue m’at fat, qi e pat xanë, edhe me perdhuni do t’ia apin atij, qi e ka xanë me “Fishek me shinë”; e për n’i rafte per sy vajza tue hikun, ky e vret me fishek të prindës së saj, e gjaku i vajzes shkon hupes, për arsye qi me fishek të tyne e vrau.
Nye i nandëmbëdhetët – 19
Cmimi qi nepej e nepet per gra
Cmimi qi nepej per varza e gra, tash 50 vjet e andej, përbahej prej 50,100.200 mije 400 grosesh.
Cmimi i kanusë së vonë përbahet prej 1500 groshve, aq sa ban gjaku i grues.
Krye i pestët
Nye i njizetetetët – 28
Me e rrahe burri gruen, nuk bjen ne faj kah kanuja, e as prindja s’mund t’a kerkojne te rrahmen.
Nye i njizetenandët – 29
«Grueja asht shakull për me bajte»
Grueja njifet si calikë për me e bajtë sa të jetë në derë të burrit, se prindja s’hjekin dorë prej sojet, e ndalin për vedi e mbi vedi të përgjegjmen për të, por edhe me lypë arsye, me ba me e gjetë gja.
«FJALË TE URTA»
Sa vrima ka muri, aq halle ka burri.
Guri te muri, vajza te burri.
Kur blen mall, nxitohu; kur merr grua, mendohu.
Burri eshte cadra e gruas.
Burri krijon ligje, gruaja krijon zakone.
Vajzën jepe në fis të mirë, se ta rregullojnë ata.
Nderi i burrit është gruaja.
Shtepinë e mban gruaja.
Bërtiti satë bije që të të dëgjojë nusja.
Goca pa nder, si lulja pa erë.
Nuse e bukur farfuri, por nga mendtë firifi.
Shtat e hije si asnjë shoqe, mendtë në krye asnjë koqe.
Gruaja e fut shejtanin në shishe.
Gruan dhe kaun merre nga vendi yt.
Gjuha e gruas shkrep pushken e burrit.
Fshati digjet, kurva krihet.
Lind djalë, e kam unë meriten; lind vajzë, e kemi te dy.
Flokë gjata, mendja pakta.
Ka patur gjithmonë elementë maskilistë në shoqerinë tonë. Edukimi ndaj respektit është hapi i parë drejt një shoqërie më pak maskiliste!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.