FB

October 30, 2021 | 8:04

Nga kriza drejt lindjes shpirtërore

Jeta është përshtatje dhe ndryshim, por pavarësisht kësaj duhet të mbijetojmë dhe është pikërisht kundrejt ndryshimit që aktivizohet qëndrueshmëria më e madhe. Një nga nevojat thelbësore të qenies njerëzore është nevoja për siguri dhe kjo është bazike në shoqërinë e tanishme, ku janë shtuar lidhjet virtuale aspak të qëndrueshme dhe më pak të parashikueshme.

Çdo ditë bombardohemi në nivel mediatik nga lajme që i përkasin vështirësive të mëdha që mbizotërojnë në këtë moment historik. Ngadalë-ngadalë brenda individit po mbivendoset një ndjesi alarmante. Fillimisht mendojmë se ne nuk do na përfshijë fati i keq, duket se lajmet nuk do ta prekin, por herë pas herë diçka brenda nesh fillon të punojë dhe të kërcënojë sigurinë personale. Në periudhën e fundit po shfaqen gjithnjë e më shumë probleme që lidhen me ankthin.

Qenia jonë është e përfshirë nga shqetësimet. Para se të ndodhë kataklizma e madhe, jemi të përfshirë nga një ndjesi ekstremisht negative dhe ankthioze në të cilën fjalia që na vjen ndërmend është: “Jam i pafuqishëm, e vetmja gjë që duhet të bëj është të largohem nga ky vend!”. Koha kalon dhe momenti i tanishëm vazhdon të konfirmojë këto dyshime, bëhet fjalë për të dalë nga kriza, por asgjë konkrete nuk po ndryshon. Strategjitë e ndjekura deri tani fillojnë të mos mjaftojnë më, ndaj duhet të shpikim diçka, por çfarë?

Kemi përzgjedhur katër hapa drejt mirëqenies për të përballuar këtë moment…

HAPI I PARË | Ithtarët e vërtetë të dështimit apo fatit jemi vetë: ky është rregulli i parë që duhet të ndiqni për të dalë nga kriza. Duhet të njihni veten në mënyrë që të veproni më mirë. Sa e kuptoni mendjen dhe botën tuaj emotive? Keni vetëm një apo më shumë aspekte? Cilat aspekte janë më të ashprat, dhe cilat përdorni si mundësi? Mendoni për një rreth. Ju jeni në qendër të tij, në brendësi dhe që këtu mund të bëheni të vetëdijshëm për atë që ndodh brenda jush rreth e qark dhe jashtë, në mënyrë që të veproni për të ndryshuar veten dhe situatën. Mundohuni të caktoni një pikë qendrore brenda rrethit tuaj dhe të rigjeni busullën. Krijoni rrethin personal, pozicionohuni në qendër të tij dhe shkruani emrin tuaj.

HAPI I DYTË | Filloni të dëgjoni veten, të vëzhgoni se çfarë ndodh brenda jush. Nga buron ankthi dhe frika që ndjeni? Çfarë ju rrethon? Si i përballoni ndryshimet? Në qendër të rrethit shkruani aspektet, të cilave doni t’i jepni më shumë zë në këtë moment. Shkruani se çfarë ndjeni, mendimet, imazhet që përcaktojnë gjendjen tuaj shpirtërore dhe mendore. Provoni të mendoni nëse jeni fleksibël apo të ashpër.

HAPI I TRETË | Tani çojeni vëmendjen tuaj drejt pikave dhe aspekteve që kanë tërhequr vëmendjen tuaj. Pyesni veten: A kam rrugëdalje? Si do të veproj? Kur do të përfundojë kjo krizë, ky makth? A ndiej inat? Më rreh zemra fort, do të vdes? E kam kokën të ngarkuar, a ka më vend për mendime të tjera? E gjitha kjo përcakton gjendjen tuaj emotive dhe mendore, dhe brenda rrethit tuaj jepini përgjigje pyetjeve të mësipërme.

HAPI I KATËRT | Mundohuni ta drejtoni mendimin tek aftësitë dhe cilësitë tuaja: Çfarë ju pëlqen? Çfarë dini të bëni? Çfarë dëshironi të bëni? E imagjinoni dot veten pas disa vitesh? Si? Ndiheni ndryshe? Ka ndryshuar gjendja juaj mendore? Shtojini në rrethin tuaj, pranë përgjigjeve të mëparshme përgjigjet e këtyre pyetjeve dhe përdorini në përditshmëri për të rigjetur kontaktin me aftësitë tuaja.

Duke filluar nga qendra, rrugëtimi është orientuar fillimisht te mendimet më shqetësuese dhe të rënda, dhe më pas drejtohet nga shumëllojshmëria e aspekteve që përbëjnë dhe përcaktojnë mendimet tuaja.

Tani mund të jeni autori i fatit tuaj!

Shumë herë gjendjet e ankthit dhe paniku lindin për shkak të largësisë që ekziston brenda jush, nga qendra e busullës. Për të rifituar ato që ndjeni dhe që ju përkasin është thelbësore të rigjeni një sfumaturë të ndryshme nga panorama e jetës, e cila duhet të rindërtohet ditë pas dite. T’i kushtoni momente refleksioni vetes është thelbësore për të rigjetur shpresën, dëshirën, projektet për një të ardhme më të mirë. Moslejimi i gëlltitjes së vetvetes nga një pikëpamje e vetme mund të hapë një vizion më të gjerë të vetes suaj.

Në disa momente, merrni në konsideratë që t’i drejtoheni një specialisti psikologjik për të rikapur fijet e historisë suaj, të cilat ndonjëherë, në disa momente të jetës, janë të ngatërruara dhe konfuze, në mënyrë që t’i sqaroni dhe riorganizoni ato vetë, për të vazhduar rrugëtimin e jetës me më shumë harmoni dhe qetësi.

 

 

Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 161

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top