Në fokus

January 29, 2018 | 8:02

Nga Lediona Braho: Vetëaktualizimi, një nga konceptet më të debatuara në psikologji

 

Ndoshta një nga konceptet më të debatuara në fushën e psikologjisë (pas kompleksit të Edipit të Frojdit) është vetëaktualizimi. I prezantuar fillimisht nga Abraham Maslow (1908-1970), vetëaktualizimi njihet si nevoja më e lartë në hierarkinë e nevojave të njeriut. Teoria e Maslow-t u quajt “Teoria e Hierarkisë së Nevojave”, e cila bazohet te dy supozime bazë: Së pari, sjellja njerëzore është e motivuar në mënyrë të vazhdueshme dhe së dyti, nevojat janë të strukturuara në një hierarki.

Lediona Braho, psikologe klinike

Lediona Braho, psikologe klinike

Sipas kësaj teorie, gjatë jetës, ne duhet të merremi me përmbushjen e nevojave tona fiziologjike (ushqimi), pastaj me sigurinë (një shtëpi), më tej me dashurinë dhe përkatësinë, derisa të arrijmë te respekti e vlerësimi nga të tjerët. Kur t’i kemi kënaqur këto në një masë të caktuar, duhet të merremi me talentet, potencialet dhe prirjet – nevojat e një natyre “më të lartë” – përmbushja e të cilave na drejton për te vetaktualizimi. Kjo pikëpamje ishte një revolucion për kohën.

Maslow përshkroi cilësitë e njerëzve të vetëaktualizuar. Sipas tij, këta njerëz karakterizohen nga një “perceptim superior i realitetit, pranim i vetes, të tjerëve dhe natyrës, spontanitet, rritje në qendërzimin e problemit, veçim dhe dëshirë për intimitet, autonomi dhe rezistencë ndaj enkulturimit, shpeshtësi më e madhe e eksperiencave kulmore, identifikim me specien njerëzore, strukturë më demokratike e karakterit dhe krijimtari mjaft e zmadhuar”. Njerëzit e vetëaktualizuar shohin më qartë, ngaqë lidhja e tyre me realitetin është më e drejtpërdrejtë. Ata nuk janë skllevër të shpresave dhe frikërave të motivimit të pamjaftueshmërisë, nuk kërcënohen apo frikësohen nga e panjohura. Ata e jetojnë jetën e tyre me efikasitet. Karakterizohen nga aftësia për ta pranuar veten, të tjerët dhe botën. Natyra e tyre është krijuese, por jo e një lloji të lidhur domosdoshmërish me talentin, ata janë krijues në mënyrë të ngjashme me krijimtarinë naive të fëmijëve. Nuk janë të etur për dashuri dhe vlerësim nga njerëzit e tjerë, pasi ata kanë arritur në pranimin e vetvetes. Megjithatë, kanë një marrëdhënie të thellë dhe të fortë me njerëzit, më tepër në trajtën e marrëdhënieve të karakterizuara nga përzemërsia dhe dhembshuria për gjithë njerëzimin.

piramide-di-maslow

Përtej cilësive të dalluara, njerëzit e vetëaktualizuar kanë edhe të meta. Pavarësisht se ata lëvizin në mënyrë të natyrshme drejt përsosjes, ata kanë shqetësime dhe probleme. Sa ne arrijmë t’i kuptojmë përmasat reale të këtyre problemeve, t’i sjellim në vetëdije apo ta empatizojmë këtë realitet problematik në të cilin jetojnë të vetaktualizuarit, nuk mund të thuhet. Ne jemi mësuar me një realitet deficit-motivuar, siç do thoshte Maslow dhe ka shumë gjasa të mos arrijmë të ngrihemi intelektualisht dhe shpirtërisht në nivelin e kuptueshmërisë së realitetit rritje-motivuar, për të mos folur më tej për t’u ngritur në nivelin e të jetuarit si ata.

Pse vetëaktualizimi është keqkuptuar?

Fakti që ky koncept është ndër më të keqkuptuarit në historinë e psikologjisë lidhet me mendimin se ai ka një natyrë përfundimtare. Maslow e sqaron këtë shtrembërim gjykimi: vetëaktualizimi nuk është një gjendje finale, por një fazë dinamike që karakterizohet nga nevoja të pamjaftueshmërisë mjaftueshëm të përmbushura, përmbi të cilat shfaqen progresivisht nevojat e rritjes. Këto dy nevoja nuk kundërshtojnë njëra-tjetrën, por faza e parë është një kusht paraprak për të dytën.

Për të argumentuar lëvizjen drejt Vetëaktualizimit, Maslow njohu dy kahet e forcave brenda nesh: nga njëra anë frika ose siguria, që na kushtëzojnë nga e shkuara, nga uterusi dhe gjiri i nënës dhe nga ana tjetër, rritja, që na shtyn drejt tërësisë së unit dhe funksionimit të plotë. Qenia zhvillohet kur kënaqësia e rritjes është më e madhe se kënaqësia e sigurisë. Prej këtej derivon pohimi se rritja e shëndetshme është një varg i pafundmë i situatave të zgjedhjes së lirë: do zgjedhim frikën apo rritjen? Nëse zgjedhja e lirë është me të vërtetë e tillë, e pakontaminuar nga frika, qenia zgjedh në drejtim të shëndetit dhe të rritjes.

Vetëaktualizimi merr kuptim nëse lidhet me autonominë: sa më të rritur të jemi, aq më autonomë priremi të bëhemi. Ky parim bazohet në filozofinë ekzistencialiste, e cila na ka furnizuar me probleme themelore filozofike që janë përshtatur brenda qarqeve të psikologjisë. Një nga problemet themelore ka qenë ekzistenca e lirë e individit dhe aftësia e tij për të zgjedhur vetveten. Ekzistencialistët na mësojnë se nuk ka vend tjetër për t’i gjetur vlerat përveçse tek Uni/Vetja. Sipas tyre, “e ulëta” dhe e “larta” janë të integruara dhe “personi autentik” është ai që trashendenton jo vetëm veten, por edhe kulturën e tij, i reziston enkulturimit dhe bëhet më i veçuar nga kultura apo shoqëria. Kjo filozofi, e cila frymëzon të jetuarit përmes zgjedhjes së lirë, ka shërbyer si burim i rëndësishëm për formimin e teorisë humaniste të Maslow-t.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top