Ishte udhëtimi i fundit drejt shpresës. Ishte udhëtimi i fundit drejt… vdekjes.
Në natën e ftohtë të 9 janarit 2004, brigjet e Jonit u bënë skenë e një prej tragjedive më të rënda detare të Shqipërisë së pasviteve ’90. Në brigjet e Karaburunit dallgët e ashpra dhe të pamëshirshme, përplasnin shpresat njerëzore mbi shkëmbinj. Ajo që nisi si një përpjekje për t’i ikur varfërisë, u shndërrua në një ngjarje që do të gdhendej përgjithmonë në kujtesën kolektive si simbol i emigracionit të dëshpëruar dhe i çmimit tragjik të “ëndrrës matanë detit”…
…Atë natë, ujërat e Jonit nuk dallonin më. Ishin një masë e vetme uji të ftohtë. Ndërsa gomonet ilegale të mbingarkuara bartnin në kufijtë e ekzistencës jetë njerëzore. Gratë mbështillnin fëmijët fort pas gjoksit, burra heshtnin për të mos treguar frikën, ndërsa më të rinjtë ishin të traumatizuar në një natë pis të zezë që ndillte vetëm zi. Trafikantët, – që kishin marrë nga 1500 euro për kokë, – u kishin premtuar shpëtimin, për t’i çuar në brigjet përkarshi me më shumë jetë e mundësi. Por deti, në heshtje, kishte të tjera plane. Kur mjetet e lundrimit u përmbysën, shpresa u shua vetëm në pak minutash, ndërsa i ftohti u bë arma e fundit, e padukshme, që mbylli rrugën drejt brigjeve italiane.
Kjo tragjedi nuk ishte vetëm një aksident detar. Ishte epilogu i dhimbshëm i një epoke, ku largimi shihej si e vetmja mundësi mbijetese dhe deti si një kalim i rrezikshëm, por i domosdoshëm. Ishte po aq, makutëria njerëzore, që në shkëmbim të parave i konsideronte jetët si një paketim i presuar për t’u hedhur tej. Karaburuni, me bukurinë e tij të egër, u shndërrua atë natë në një altar të heshtur kujtese, ku 28 jetë u shuan pa lamtumirë, duke e kthyer udhëtimin drejt shpresës në udhëtimin e fundit.

Nata e tmerrit
Gjithçka nisi në Gjirin e Palasës, ku një gomone e mbingarkuar me 36 persona – burra, gra dhe fëmijë shumica e të cilëve nga Veriu i Shqipërisë dhe më saktë nga qarku i Shkodrës, – u nis drejt Italisë. Dhe faktet e tjera rrëvenin se në fakt ishin dy gomone dhe tre drejtues trafikanë. Gomonet u nisën nga kjo zonë, – një pikë e njohur atëherë për nisjet ilegale drejt Italisë, – për shkak të vijës bregdetare të thyer, mungesës së kontrollit efektiv dhe afërsisë relative me brigjet italiane. Nisja u bë natën, për të shmangur patrullimet detare.
Natën e 9 janarit, kushtet meteorologjike u përkeqësuan ndjeshëm. Deti i hapur, me një forcë dallgëzimi që i kalonte 5-6 ballë, u shndërrua shpejt në një kurth vdekjeprurës. Në afërsi të gadishullit të Karaburunit, një nga mjetet lundruese pësoi defekt dhe mbeti në mëshirë të dallgëve dhe erës së ftohtë të jugperëndimit. Temperaturat shumë të ulëta bënë që uji i detit të shkaktonte hipotermi brenda pak minutash.
Shumica e udhëtarëve ishin refugjatë të varfërisë, të shtyrë nga mungesa e perspektivës në zonat rurale dhe iluzioni se Italia ishte porta e vetme e shpëtimit. Ata nuk ishin thjesht numra në një listë klandestinësh; ishin kryefamiljarë që kërkonin punë dhe nëna që shtrëngonin fëmijët në gjoks nën acarin e janarit.
Thirrja që trondi kombin
Një nga elementet më “alert” të kësaj tragjedie ishte thirrja telefonike e dëshpëruar e një prej viktimave drejt një televizioni kombëtar. Zërat që kërkonin ndihmë përmes telefonit, ndërsa mbyteshin në errësirë, u transmetuan live, duke e bërë mbarë opinionin publik dëshmitar të pafuqishëm të një vdekjeje të paralajmëruar.
Pavarësisht operacionit të kërkim-shpëtimit, – i cili u kritikua për vonesa dhe mungesë koordinimi, – bilanci ishte tragjik: 28 jetë të humbura. Disa familje humbën më shumë se një anëtar në të njëjtën natë. Trupat e pajetë u gjetën ditë më vonë; disa të nxjerrë nga dallgët në brigjet shkëmbore të Karaburunit, të tjerë u gllabëruan përgjithmonë nga thellësia e detit.
“Moratoriumi i skafeve”
Tragjedia e Karaburunit nuk ishte vetëm një dhimbje njerëzore, por edhe një kthesë politike. Kjo ngjarje detyroi shtetin shqiptar të ndërmerrte masa drastike, duke çuar në vendosjen e Moratoriumit të Mjeteve Lundruese – apo skafeve, siç njihen në gjuhën e përditshme, – një përpjekje për të goditur rrjetet e fuqishme të trafikimit që kishin operuar të paprekuara për vite me radhë.
Megjithatë, për familjarët e viktimave, drejtësia mbeti e cunguar. Ndërsa disa nga trafikantët u dënuan, “peshqit e mëdhenj” të trafikut dhe përgjegjësit institucionalë shpesh i shpëtuan llogaridhënies, duke e lënë plagën e Karaburunit të hapur.
Varri i ëndrrave
Sot, Karaburuni me bukurinë e tij të egër, qëndron si një monument i heshtur i dhimbjes. Ngjarja është krahasuar me katastrofën e Kanalit të Otrantos të vitit1997, duke u konsideruar si ngjarja më e rëndë detare pas saj, dhe si provë se plagët e emigracionit të tranzicionit nuk ishin mbyllur ende.
Kjo tragjedi mbetet një kujtesë e kohës kur Adriatiku dhe Joni nuk ishin destinacione turistike, por një varr i hapur për ëndrrat e shqiptarëve. Ajo na kujton se pas çdo statistike emigracioni fshihet një histori njerëzore, një familje e shkatërruar dhe një shpresë që u shua mes dallgëve të ftohta të janarit.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

