Psikofakt

August 25, 2017 | 14:19

Nga Leonard Veizi: Dy fjalë për Arlindën

“Jam duke kryqëzuar gishtat për ty! Do Zoti dhe fiton. Arlinda”. Mesazhi qëndron aty prej vitesh, si një dëshmitar i harruar në një nga skutat e largëta të celularit. Megjithatë unë nuk e kam fshirë. Ishte dikush që lutej për mua, të fitoja në një konkurrim…, dhe kaq. Vetëm dy fjali, por në sinergjinë e përhershme të saj ato vinin deri tek unë me po të njëjtën shtysë. I njëjti mesazh në një kohë tjetër do të më dukej relike, por sot ndodhi e kundërta, më ngjasonte me një qenie plot jetë.

Ndërsa Arlinda nuk është më.

Nga Leonard Veizi, shkrimtar, gazetar

Nga Leonard Veizi, shkrimtar, gazetar

Ajo e la këtë botë për të shkuar diku tjetër, ndoshta më të mirë se kjo ku ne që vazhdojmë të jetojmë, kërkojmë të ikim, por thjesht, për arsye burokratike nuk na është dhënë viza ende.

Lajmërimi përmes internetit, se Arlinda Canaj nuk ishte më mes nesh, duket si një lojë fjalësh, si shaka pa vend a si një virus elektronik që kërkon të shkatërrojë një sistem të ngritur paqësisht, mes një emri, një fotoje dhe një jetëshkrimi të kompozuar si me magji. “Arlinda ndërroi jetë”.

Togfjalëshi nuk ka vend aty. Sepse qoftë dhe një presje e gabuar, e shpërfytyron krejt kompozimin. “…ndërroi jetë…”

Kaq e thjeshtë qenka?

Me sa duket…

Arlinda kishte ende për të dhënë nga shpirti i saj, në gazetë a portal, në krijimtarinë artistike, e padyshim si nënë më shumë se të gjitha këto… E si mund të largohej në këtë mënyrë, duke i braktisur të gjitha. Por ajo iku, ndoshta e mërzitur nga kjo botë, ashtu si shumë nga ne. E la jetën e zhurmshme të metropolit, aty ku boritë e makinave dhe vetë gazi sulfurik të marrin frymës, aty ku vlerat dhe antivlerat bashkëjetojnë në një rreth vicioz, e ku paratë vlejnë më shumë se vetë dinjiteti njerëzor. Thjesht iku. Shkoi në një vend më të paqtë. Aty ku energjisë së saj pozitive nuk i vendosin barriera, dyer të blinduara, dhe as ndonjë banderolë me simbolet e refuzimit. Ajo iku, apo siç thuhet ndryshe: ndërroi jetë. Sepse në këtë dimension, a në një dimension tjetër padyshim, qenësia e saj pa frymëmarrje do të jetë e pranishme a e kudondodhur.

arlinda-nardiArlindën e njihja prej vitesh, që nga koha kur punonte në Radio-Tirana. Bashkëbisedimi i fundit ishte në postën elektronike “Më pëlqejnë shumë këto shkrimet e tua te ‘Konica’. I lexoj gjithmonë. Urime”. Dhe ajo çfarë ka mbetur së fundmi nga Arlinda për mua, është kjo fotografi e bërë pas përurimit të romanit të saj “Ankth Virgjëreshe”, dhe fjalët e shkruara pas urimit tim: “Shumë faleminderit o Nardi. Rrofsh!”.

Arlinda iku nga kjo jetë.

Lamtumirë…

Marrë nga: http://leonardveizi.blogspot.al/2017/08/dy-fjale-per-arlinden.html

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com