Për sqarim: nuk kam gjë me gratë edhe as që mund të mendohet se mund të kem, por s’do rresht së shkruari rreth ca fenomeneve të paprecedenta që ato – pra gratë apo femrat siç thotë Bukovski – herë i marrin me vete e herë i lëshojnë ku e shohin të arsyeshme. E bëj këtë sqarim sepse ca kohë më parë botova një shkrim me titullin: “Gratë me celular në timon”. Nuk pata keqkuptime dhe as akuza për sjellje maskiliste. Të paktën në sipërfaqe, se pas krahëve çfarë nuk thuhet. Sot po shkruaj edhe më keq, një shkrim me titullin: “Kur gratë me “tezet” për krahu pushtojnë detet”.
Po e nis:
Ka lezet të bësh plazh më Shqipëri. Të marrësh një javë leje e të shëllohesh në rrezet e diellit sa të marrësh ngjyrën bronx, por dhe të zhytesh në ujë sa të të mbahet fryma. Adrenalinë e gjallë. Relaks total. Po qejf i madh ama, jo shaka.
Por nuk mund të mbarojë kaq bukur. Si në ëndërr. Se nuk merr as kuptim e gjithë kjo panoramë ngjyrash si ylberi.
Se në plazhet shqiptare mund të lahesh sa të duash që prej çastit që zbardh dita e deri rreth orës 08.00 po të mëngjesit. Por kujdes: po vajti ora 09.00 mendojeni mirë. Uji ndotet rëndshëm e si zor që në gjithë atë det të gjesh ca metra katror me ujë të pastër kristal. Sepse pas orës 09.00 çfarë nuk gjen në ujë, gjithfarë mbetjesh njerëzore.
“Si ka mundësi që të ketë gra të tilla – më thotë ime shoqe, ndërkohë që jemi vënë në garë për të bërë pozën më artistike të një pecete higjienike që notonte serbes afër bregut. Unë ngrita supet në pafajësinë time dhe belbëzova. “Epo… derisa ka, domethënë që ka”. Peceta notonte e patrazuar. Plazhistët kalonin përbri saj indiferent. Sigurisht, një pjesë e tyre, ata që i kishte zënë vapa, e merrnin përsipër rrezikun, veç për pak freski natyrale. Ca më tutje po notonin dhe ca “ushtarë”. Sërish garuam me gruan për foto pa blic. Mendova se kot kishte dalë ajo fjala: “Bëje urinën në det se kripa ta sjell në gjellë”. Tani duhet parë dhe përbërja e gjellës. Sepse mbi të gjitha deti është dhe një WC gjigante. “Ushtarët” u bashkuan me pecetën higjienike dhe vazhduan rrugën drejt bregut. Aty filluan ca zëra civilë që filluan revoltën. “Shyqyr – thashë me vete, – se për rritjen e çmimeve nuk revoltohemi. Mbase marrim yrysh nga pecetat higjienike”.
Ç’është e vërteta këtë fenomen e kam hasur vazhdimisht vitet e fundit. E kam fjalën për pecetat higjienike të femrave. Ato që në terminologjinë e përditshme jemi mësuar të dëgjojmë se quhen: “lines”. Duket se do jetë bërë modë, që gratë futen me to e dalin pa to. Por ime shoqe më tha se nuk kishte asnjë informacion për këtë modën e re. U futëm në “google”. Asnjë fjalë për be.
O te keqen e grave – mendova. – Vijnë e ikin “tezet”, por ditët e plazhit duhen bërë të plota. O t’u bëfshja për gratë. Në mes të detit kujtohen se u kanë ardhur “tezet”, por me to përkrahu vazhdojnë të çajnë detin. Pastaj, ashtu si me marifet, shohin majtas e djathtas dhe fiu e lëshojnë piceten higjienike në ujë.
Deti është i madh, çfarë nuk përtyp.
Marrë nga blogu i autorit
http://leonardveizi.blogspot.al/2017/08/kur-grate-me-perkrahu-pushtojne-detet.html?m=1
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.