Çudi e madhe me emrat e shqiptarëve. Në lashtësi të çante emri Bato, aq sa mund të mendosh se ky emër ishte i përhapur në dy të tretat e popullsisë ilire. Nga mesjeta u përqafua fort emri Konstandin. Ca më pas në modë do të futeshin emrat Islam e Qeramudin. Gjatë vitet të ndërtimit socialist të vendit u vendos një rregull i zbatueshëm për të gjithë ku shtetasit e porsalindur shqiptarë të pagëzoheshin me emra shqip. U hartua dhe një listë e iu la dezhurnit të maternitetit me qëllim që çiftet e reja, ca fetarë, ca ateistë e ca paganë, të hiqnin dorë nga emrat e shenjtorëve e të orientoheshin me emrat shqip. Por shqiptarët, si gjithmonë ia gjenin anën e t’ia shkisnin regjimit, qoftë dhe me një element të tillë. Fjala vjen, ata të mijtë nuk ma vunë emrin Ilir dhe as Bardhyl, por Leonard.
E për të thelluar argumentin, po vazhdoj si më poshtë:
Dikur, por dhe në ditët e sotme, arrin ta njohësh menjëherë një grek, vetëm nga emri. Se vetëm Niko vërtitet në ato treva. Një turk po e po. Natyrisht, nuk do bëjmë ADN-në për t’i gjetur origjinën e vërtetë. Por edhe një italian gjithashtu e dallon po nga emri ku dominion Serxho e Anxhela. Ndërsa shqiptaret jo. S’ka burrë që mund t’i dallojë nga emri, veç nga prerja e jashtme ku nuk do shumë mundim. Dhe kjo ndodh sepse këtu te ne ka nga të gjitha llojet e emrave. Emra grek, turk e italianë, nga të gadishullit ballkanik, e ata që na erdhën nga stepat e Uraleve. Së fundi përqafuam dhe pjesën e Andeve.
Demek, turli emrash.
E meqenëse ka zëra që thonë se ne si popull jemi ca si kozmopolit, këtë punën e emrave nuk po e rendis tek gjërat e këqija të shqiptarëve.
Mirëpo ajo që më shqetëson këto kohë, e më bën ta ngre si shqetësim, është se vitet e fundit, jo vetëm ua huazojmë emrat amerikanëve dhe francezëve, por kemi filluar t’i shkruajmë edhe si ata.
“Nuk e kam emrin Ana, por Anna. Kështu dua të më shkruhet”. Ishte koha kur kisha çelësat e një redaksie në dorë e më duhet të vendosja dhe për shkrimet që sillte mileti i apasionuar për të shkruar gjithfarë gjërash. “Po në gjendje civile si e ke? – e pyeta. “Lëre gjendjen civile se ata janë prapa bote, do t’u bëj dhe një kërkesë që të ma ndryshojnë se e kanë bërë dhe të tjera më parë se unë” – argumentoj artikullshkruesja. Nëse ndodh kjo, duhen marrë masa ndaj nëpunëses së Gjendjes Civile, besoj unë. A mund të shkelen në këtë mënyrë rregullat e drejtshkrimit? E përcolla Anna-n, duke i thënë të gjente një gazetë tjetër ku të plotësonte trillet e saj.
“Me quajnë Brajan…, e kam me “Y”- më tha një djalë dhe rrudhi buzët teksa po i shkruaja emrin. “E shkruajta ashtu siç e shqiptove” – ia ktheva. “E kuptoj, por unë i kam me “y” jo me “aj”. U nxeha, por e mbajta veten: “Po këtu nuk jemi ne Mançester, mo shoku, as në Belfast. Si u shkruajtka me “y” e u shqiptoka me “aj”.
Ka dhe një rast tjetër kur njëfarë Anila më tha që emri i saj shkruhej “Anyla”, por këtë herë i mësuar me këtë situatë, nuk ia fërshëlleva fare.
Dhe po e mbyll me rastin Christian, me të cilin e mbylla kapitullin pa e hapur.
Po e thelloj argumentin në dëm të vetes:
Ca kohë më parë, kur një botues më tha se do të bëja kërdinë në shitjen e romanit tim të ri që kisha çuar për botim, nëse në kopertinë do të mbaja mbiemrin “Veiss”. Nuk pranova.
“E njoh mirë tregu, – kërkoi të më mbushte mendjen botuesi. – Veprën e ke të mirë. Por e keqja është se shqiptarët nuk kanë besim të autorët shqiptar”. “Si i bëhet? – e pyeta jo pa shqetësim”. “Po ja, atë që thashë, të ndryshojmë pak emrin”. “Po ç’të keqe ka emri im?”. Jo ore jo, emrin e ke tullë ti. Leonard. Si Leonardo Da Vinçi. Po mbiemri… Ndaj të them, ta ndryshojmë pak. Fare pak. Ç’i ka gjetur këngëtaret që kanë emra skene”. Mirëpo unë i kisha shkruar ca libra me firmën “Leonard Veizi”, pa përmendur disa mijëra shkrime në gazeta. “E çfarë sjell kjo?”, e pyeta sërish. “Do dukesh si gjerman, – më tha ai. – Sa ta marrin vesh që je shqiptar, ikën 10 mijë kopje. Përndryshe nja 300 kopje do shesësh, e shumta 500”. Nuk pranova. Doli siç tha ai.
Nuk jam penduar ende për këtë veprim “monstruoz” timin. Do kisha shitur 10 mijë kopje për dy “ss” Nuk pranova ta deformoja fare pak mbiemrin që më ka lënë babai, dhe babait ia ka lënë i ati, d.m.th gjyshi im. Në botë plot shkrimtarë kanë shkruar me pseudonime. Në Shqipëri gjithashtu: Kuteli, Poradeci, Sazan Goliku e së fundmi Tom Kuka. Po unë… Kaq e vështirë ishte të bëhesha “Leonard Veiss”. Nuk ishte as pseudonim, vetëm një deformim i vockël, gati i papërfillshëm. Por unë qëndrova stoik, pas mbiemrit otoman që nuk dihet se në çfarë sanxhaku të Azisë së Vogël e ka prejardhjen e u rrafshua në gjysmën e Jugut të Shqipërisë, por dhe pas drejtshkrimit të shqipes, që nuk lejon përdorimin e dy shkronjave të njëjta, përveç rasteve të veçanta.
E bëra këtë shkrim jo sepse më ka shkuar mendja ta ndryshoj mbiemrin, pasi tanimë ata që më njohin, më njohin kështu. Tek e fundit përderisa jam shqiptar, pse duhet të ngjasoj me një gjerman, qoftë dhe për fasadë.
Dhe në fund të asaj që doja të shtroja:
Të çuditshëm fort ne shqiptarët. Në kohën kur u TV “Tirana” transmetoi një serial brazilian me titullin “Skllavia Izaura” në maternitetet gëlonin, aq sa me këtë emër quanim dhe ca furgona të vegjël policie, prodhim italian, që me të shtyme nxinin dy vetë e gjysmë brenda. Ca kohë me parë ishim në ndikimin e Dorës dhe Anjezës së Dikensit pasi u trasmetua telefilmi “David Koperfild”. Pas viteve ‘90 u futëm në periudhën e art të Pamelës. Ndërsa tani po përjetojmë epokën e Alehandros. Dhe së fundi me dy “nn” a me dy “ss” shyqyr që e kemi nga një emër. Se sa e vështirë do ishte marrëdhënia njerëzore pa të.
http://leonardveizi.blogspot.al/2017/07/nje-tur-arkeologjik-per-emrat-e.html
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.