Të rriturit, jo gjithmonë arrijnë ta kuptojnë e njohin fëmijën. Dhe kjo për arsyen e thjeshtë, sepse fëmija po ndërton botën e tij të brendshme, ndërsa i rrituri e ka kaluar këtë fazë, ai e ka ndërtuar të brendshmen e tij, ndërsa fëmija jo. Prindërit duhet të pranojnë këtë të vërtetë. Mospranimi i kësaj të vërtete ka shkaktuar jo pak drama e deri tragjedi.

Ilira Gjika, Mjeke Pediatre
Prindërit nisen nga ideja që e kanë fëmijë dhe detyrimisht duhet ta njohin. Ja që nuk është kështu, edhe pse janë në raporte të tilla, si nënë-fëmijë apo baba-fëmijë, janë dy njerëz të ndryshëm dhe për më tepër në faza të ndryshme të jetës. Gjithashtu, njohja ka të bëjë me një gjë fikse, ndërsa fëmija dhe i rrituri janë qenie në proces, ku në çdo çast, ndodh një gjë e re, shpesh dhe pa u kuptuar. Një pengesë tjetër shumë e madhe, është, se fëmija ende nuk mund t’i shprehë dhe tregojë gjërat, që e trembin apo e shqetësojnë. Ai nuk di të tregojë atë që kupton, sepse është i parritur. I duhet durimi dhe mbështetja e të rriturit, pyetja e duhur, si dhe koha e duhur. Por edhe këto nuk e realizojnë të plotë njohjen.
Një problem tjetër i fëmijës, që e ndërlikon edhe më shumë situatën, është ndjenja e turpit që provon fëmija nga prindi, sidomos kur nuk është i sigurt për veprimin që ka kryer, mos prindit nuk i pëlqen dhe ndihet i zhgënjyer prej tij. Mos u çudisni, ka shumë fëmijë që vuajnë në heshtje keqtrajtime të shokëve të shkollës vetëm që të mos e marrin vesh prindërit. Apo e kanë të vështirë të flasin për ndjesitë e tyre sepse ndihen të pasigurt se çfarë do të mendojnë prindërit. E vetmja mënyrë që thyen barriera është të mbani dialogun gjallë edhe kur duket se fëmija bezdiset apo ngre zërin. Fëmija ka shumë nevojë për këtë dialog qoftë 5-10 apo15 vjeç.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

