Fëmija kur ndihet keq apo i pa kuptuar nga i rrituri, demonstron dy çrregullime që i rrituri nuk ia kontrollon dot, të cilat janë: e ngrëna dhe gjumi. Fëmija, kur shfaq këto dy sjellje, i rrituri duhet të kuptojë se ka një gjë, që nuk shkon. Dhe është detyrë e të rriturit që ta zgjidhë.
Sjellja është pasojë edhe mosngrënia është një mënyrë të sjelluri. Pasi përjashtohet problemi shëndetësor, i rrituri me kujdes dhe durim përpiqet të ndihmojë fëmijën të rifitojë ritmin e mëparshëm, pra të ngrënën e mirë. Nëna duhet të ketë kujdes dhe të shmangë fiksimin tek e ngrëna. Kur refuzimi i ushqimit kthehet në sjellje, gjëja e parë që rekomandohet është qetësia e nënës. Ajo me shumë kujdes duhet t’i rimësojë fëmijës rëndësinë e ushqimit. Do të ishte mirë që ushqimin t’ia përgatiste ajo vetë. Dhe fëmija të ishte prezent gjatë përgatitjes.
Një mënyrë mund të jetë kur të ushqehet nëna ta ftojë edhe fëmijën, djalë apo vajzë qoftë. Ato mund të hanë në një pjatë apo në pjatat e njëri-tjetrit. Kjo lojë mund dhe duhet të bëhet vetëm nga nëna. Gjithashtu mund të merret një vazo me lule dhe çdo ditë nëna dhe fëmija së bashku duhet të kujdesen për lulen duke e vaditur çdo ditë në të njëjtën orë.
Nëna duhet ti shpjegojë rëndësinë e këtyre veprimeve për shëndetin e lules: ‘tani duhet të ushqejmë dhe lulen se përndryshe ajo fishkët e thahet dhe nuk rritët e bukur’. Me këto lojëra dhe kujdesi fëmija rifiton qetësinë për të ngrënë e shijuar ushqimin.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.