Mirëqenie

January 9, 2021 | 8:10

Covid, vaksina italiane ReiThera do të jetë me një dozë të vetme dhe ruhet mjaft lehtë

Një vaksinë krejt italiane kundër Covid-it me një efikasitet mbi 92% mund të miratohet deri në verë. Italia gjithashtu është bashkuar në garën drejt vaksinës, e cila është e aftë të na kthejë në normalitet, kjo vaksinë është zhvilluar nga kompania bioteknologjike ReiThera, në Castel Romano, afër Romës.

Vaksina italiane ReiThera

Efektive me një dozë të vetme dhe e ruajtshme në një temperaturë midis 2 dhe 8 gradë (pra më lehtë e kontrollueshme se ajo e Pfizer), vaksina ReiThera ka kaluar në mënyrë të shkëlqyeshme fazën 1 të provës. Rezultati ishte i mundur falë mbështetjes së Qeverisë, Këshillit Kombëtar të Kërkimit dhe Rajonit të Lazios. Testet mbi 90 vullnetarët e parë u autorizuan nga Agjencia Italiane e Barnave (Aifa) dhe u kryen në spitalin Spallanzani në Romë dhe në Qendrën e Kërkimeve Klinike Verona.

Në ditët e fundit, komisioneri i jashtëzakonshëm për urgjencën covid Domenico Arcuri njoftoi se qeveria ka caktuar “burime të mjaftueshme për të financuar zhvillimin e mëvonshëm të ReiThera”. Nëse fazat pasuese konfirmojnë rezultatet e shkëlqyera të këtij hapi të parë, miratimi i EMA mund të arrijë përpara vjeshtës.

Vaksina italiane kundër Covid-it

Ilaçi do të prodhohet dhe zhvillohet tërësisht në Itali. ReiThera, në fakt, kontrollohet gjithashtu nga një kompani zvicerane por presidenti Antonella Folgori theksoi se kompania “punon në territorin italian, paguan taksa në Itali dhe kjo vaksinë u zhvillua nga studiuesit që punojnë në Itali”. Gjatë eksperimentimit, kjo vaksinë nuk kishte ndonjë efekt anësor serioz në 28 ditët e para, një rezultat që sinjalizon diçka pozitive. Qëllimi i kompanisë, pasi të miratohet, është që të prodhojë 100 milion doza në vit.

Vaksina italiane

Vaksina përdor adenovirus, i cili përdoret për të “mbartur” një sekuencë të kodit gjenetik që bën që sistemi ynë imunitar të reagojë, duke e shtyrë atë të zhvillojë antitrupa. Zgjedhja ra mbi adenovirusin e gorillës, sepse, ndryshe nga ai njerëzor, ai nuk njihet menjëherë nga sistemi ynë imunitar, duke siguruar kështu kohën e nevojshme për të nxitur metabolizmin tonë për të zhvilluar antitrupat e nevojshëm për të mbrojtur veten kundër koronavirusit.

 

 

 

Burimi / https://www.nonsprecare.it/

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top