Mendja e fëmijës ka një energji të paimagjinueshme, që bën të mundur “rrugëtimin” drejtë së ardhmes, nga një nivel i caktuar, në një nivel më të avancuar. Përdorimi i vjershave si praktikë gjuhësore, në moshën 0-6 vjeç, shkatërron pikërisht mekanizmat, që e nxitin fëmijën të gjejë e artikulojë fjalën e tij.
Fëmija shikon dhe dëgjon të rriturin si e artikulon dhe kur e përdor një fjalë të caktuar dhe nëpërmjet mendimit, memories dhe kurajos së tij, ai ushtrohet çdo ditë, çdo orë, çdo minutë për të artikuluar me fjalë atë që ai vetë mendon. Dhe kjo nuk është, aspak, një punë e lehtë, sepse ka të bëjë me të ardhmen dhe të qenit i rritur.
E ardhmja është një zbulim dhe eksperiencë individuale. Ajo nuk duhet të jetë një eksperiencë e gatshme e dikujt tjetër, por një arritje hap pas hapi e vetë fëmijës. Fjalët e të rriturit duhet të jenë si shkallë për të arritur fjalët dhe mendimet e veta fëmija, jo të recitojë fjalët e të rriturit. Dhe vjersha është pikërisht një eksperiencë dhe konkretizim i gatshëm i dikujt tjetër dhe për më shumë i rritur.
I rrituri i organizon dhe shpreh gjërat me mekanizma të kompletuar dhe kur përdoren përmendësh ato shtypin dhe nuk lejojnë zhvillimin e fjalës së vetë fëmijës.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.