Nuk ka gjyshe në botë që mund të zëvendësojë nënën. Edhe sikur nëna të jetë e keqe, detyra e gjyshes është të mos bëhet më e mirë se nëna. Ajo duhet të ndihmojë nënën që të nxjerri më të mirën nga shpirti për fëmijët e sajë, kjo është gjyshja.
Por mesa duket qenka shumë e vështirë që gratë të mund të bëhen gjyshe prej vërteti. Edhe pse ka shumë gjyshe të mira, të thjeshta e të mençura, që janë krah nënave të reja, shumica lë shumë për të dëshiruar. I pushton një lloj zilie që nuk arrijnë dot ta komandojnë. Ndërhyjnë vend e pa vend ndërmjet nënës dhe fëmijëve. Pa menduar fare që nipërit dhe mbesat e tyre, duan të dinë fjalën e nënës. Ato gjyshe që ndërhyjnë brutalisht dhe shëmtuar duke përdorur fëmijët dhe duke ja kundërvënë nënës, po kështu, pa përgjegjësi janë sjellë edhe me fëmijët e tyre.
Ky konflikt femër-femër, femër e re-femër e vjetër, i cili fillon e tirret që herët në marrëdhënien nënë-vajzë, vazhdon të jetë prezent në ditët tona, po aq i egër sa në kohërat e shkuara. Natyrisht nënat e reja kanë fituar një lloj kurajo, por prapë janë peng i frikës nga nëna. Ky konflikt nuk është kaq i thjeshtë, nuk është konflikt midis dy grave, nuse – vjehërr apo nënë vajzë. Jo, është konflikt pushteti femër-femër, i ushqyer nga mënyra patriarkale e të jetuarit e të menduarit.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.