Efekti që krijon prekja ka kohë që është vënë në qendër të studimeve shkencore dhe sidomos efekti që krijon dora e njeriut. Studimet janë zhvilluar jo vetëm te njeriu, por edhe te kafshët, peshqit e zogjtë, si dhe ndërveprimet e tyre. Shkencëtarët kanë studiuar këtë efekt në një numër të madh kafshësh dhe janë habitur me efektin pozitiv të prekjes së butë të dorës së njeriut.
Ata kanë konstatuar diçka që mjedisi natyror nuk e ofron. Kafshët e trajtuara nga njeriu me butësi janë shumë më të sigurta dhe inteligjente. Ndikimi i prekjes ka influencuar edhe në cilësinë e trupit, i cili ka rezultuar më i shëndetshëm e më i bukur. Nga këto studime të gjëra e të hollësishme, shkencëtarët kanë arritur në konkluzionin se njeriu në veçanti ka një nevojë fondamentale për prekjen, si përkëdhelje, përqafim, kapja dorë për dore e mbështetje. Prekja është një mënyrë komplekse e komunikimit të njeriut me njeriun.
Në periudhën e foshnjërisë dhe të fëmijërisë, prekja ka kulmin e zhvillimit dhe lë gjurmët e saj për mirë apo për keq. Nëse prekja në fëmijëri është e ashpër, pa kujdes dhe vend e pa vend, këto ndërtojnë gjurmë të tilla që është shumë vështirë të korrigjohen apo përmirësohen kur fëmija rritet.
Prindër, nëna dhe baballarë, gjyshër dhe gjyshe, kujdes kur prekni fëmijët apo nipërit tuaj, sepse padashur, mund të transmetoni ashpërsinë dhe jo butësinë dhe për pasojë do të ushqeni e fuqizoni frikën dhe jo sigurinë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.