Këshilla & Arsye

November 14, 2018 | 11:04

Nga Lira Gjika / Prindër, tregohuni më të vëmendshëm dhe mos flisni pa u menduar, pasi shpesh vrisni sigurinë dhe besimin e fëmijës

“Pse sillesh kështu, ti po e mërzit mamin”. “Bëhu djalë i mirë, bëhu vajzë e mirë se mërzitet mami pastaj”. Këto shprehje, që më shumë e bëjnë fëmijën konfuz se e ndihmojnë të njohë e mësojë të mirën, vazhdojnë të jenë pjesë e fjalorit të të rriturve në edukimin e fëmijëve. Për fat të keq këto shprehje i përdorin jo vetëm prindërit dhe gjyshërit, por edhe edukatorët e mësuesit.

Ilira Gjika, Mjeke Pediatre

Ilira Gjika, Mjeke Pediatre

Të rriturit në vend që t’i nxitin e zhvillojnë fëmijës vetëdijen dhe respektin për veten, duke përdorur shprehje të tilla, i tregojnë fëmijës që ai vetë nuk ka ndonjë rëndësi, e vetmja gjë e rëndësishme, është të mos mërzitet nëna. Këto shprehje që fëmija i interpreton se ai është bezdi dhe barrë do të ishte mirë të mos përdoren më. Këto shprehje vrasin pikërisht atë që e bën njeriun zot të vetes së tij. Është siguria dhe besimi te nëna që së bashku do të bëjnë këtë udhëtim, i cili i rrit të dy, fëmijën si njeri dhe nënën në mëmësi.

Është kjo marrëdhënie e fuqishme nënë-fëmijë, që bën të mundur pranimin e jetës si zbulim dhe kënaqësi edhe pse vështirësitë janë shoqëruese të kësaj rruge. Fëmijës kur i bën pyetjen “pse sillesh kështu?” nuk e kupton se ku qëndron e keqja. Fëmija mendon se i rrituri i di të gjitha dhe duhet të kuptojë kur fëmija është keq dhe ka nevojë për ndihmë, mirëpo kjo ndihmë nuk i vjen dhe gjendja acarohet edhe më shumë.

Të rriturit nervozohen, ata nuk kanë durim të presin dhe aq më tepër ta qetësojnë fëmijën. Nuk kanë “kohë” dhe kështu i bien shkurt dhe i thonë: “je i keq” dhe “mërzite mamin”. Të rritur jini pak më të vëmendshëm dhe mos flisni e veproni pa menduar. Gjithashtu, mos harroni parimin “në interesin më të lartë për fëmijën”. Me fjalë e pranoni të gjithë, por me vepra çaloni shumë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top