Në fakt është një pyetje që duhet t’ia bëjmë vetes ne të rriturit. Teorikisht, është detyra e të rriturit të ndihmojë të parriturin nëpërmjet edukimit, të ndërtojë një sistem vlerash, që e drejton drejt respektit ndaj vetes, jetës dhe tjetrit.
Nga Lira GJIKA, psikologe
Është detyra jonë, që edhe kur rrëzohen e bëhen “pis”, ti nxitim të mos mbeten “pis”. Por mesa duket, ne të rriturit nuk dimë të ofrojmë ndonjë gjë me vlerë, përveç parave dhe etiketimeve. Është gjëja më e lehtë të nxehesh edhe pse mund të jetë shumë e drejtë, por nuk është më e mira. Më e mira është të “vrasim” mendjen për zgjidhje. Por mesa duket ne kemi frikë të “vrasim” mendjen tonë, sepse siç e thotë dhe fjala, ne e perceptojmë të menduarin “vrasje” dhe ky akt të tremb shumë.
Mesa duket ne nuk kemi frikë kur shajmë, por kur mendojmë, sepse na duket e njëjtë me vrasjen ( të paktën siç kuptohet nga shprehja). Sjellja e të rinjve të sotëm lë shumë për të dëshiruar, por është e njëjta mënyrë e sjelljes së të rriturve pranë tyre. Po të dëgjojmë fjalorin që përdorim ne të rriturit e moshës së dytë dhe të tretë (femra, meshkuj) në kafene, bilardo apo në rrugë, sidomos kur nuk na shkon ndonjë gjë për shtat, nuk pyesim me kë jemi dhe ku jemi. Të njëjtën gjë bëjnë edhe të rinjtë, sillen e flasin si të rriturit.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.