Këshilla & Arsye

December 4, 2018 | 12:57

Nga Lira Gjika / Të rritur, kujdes me shprehjet që krijojnë diskriminim gjinor

Kur i kërkojmë djalit të mbrojë motrën apo femrën në përgjithësi, “se ajo është vajzë”, dashur padashur, kultivojmë idenë se femrat janë të paafta të mbrojnë veten dhe kanë nevojë për mbrojtjen e mashkullit, ndërsa mashkulli është i fortë dhe mbrojtës. Kështu, pa kuptuar, kemi nxitur te djali ndjenjën e pushtetit mbi femrën si një person inferior dhe pse jo, që t’i shërbejë atij, mashkullit kushdo qoftë. Kështu automatikisht, është krijuar rruga e diskriminimit, përçmimit dhe moskonsiderimit si një person tjetër, i femrës.

Ilira Gjika, Mjeke Pediatre

Ilira Gjika, Mjeke Pediatre

Kujdes, prindër, gjyshër, edukatorë, mësues, këto shprehje vetëm e ngatërrojnë fëmijën dhe nuk lejojnë kultivimin e të mirës, respektit dhe të pranimit të tjetrit si njeri pavarësisht seksit. Mos i kërkoni një djali të mos sillet keq me një vajzë apo ta mbrojë atë, sepse është femër, por insistoni se nuk mund të sillemi keq me një njeri-tjetër apo kur ka nevojë duhet ndihmuar si çdo njeri tjetër dhe jo pse është vajzë. Duhet insistuar që si meshkujt dhe femrat janë njëlloj. Përpiquni të kultivoni barazinë gjinore. Kështu i bëni më të afërt dhe më të besueshëm me njëri-tjetrin.

Ka shumë vëllezër, që i kanë barrë motrat e tyre pikërisht nga ky lloj edukimi, që duhet t’i mbrojnë edhe pse mund të kenë hallet e tyre. Të gjithë të rriturit pa përjashtim, duhet t’i mësojnë njerëzoren fëmijëve, gjinia duhet lënë për në fund. Kështu do të mund të shmangim supremacinë e mashkullit ndaj femrës dhe bezdinë që provojnë djemtë që duhet të mbrojnë e kujdesen për motrat kohë e pa kohë.

Prindër përpiquni të mos i lodhni fëmijët me edukimin e gjinisë si një detyrë apo nënshtrim. Edhe diçka:- femra nuk është e dobët, por meshkujt nuk e përballojnë dot, prandaj dhe e dhunojnë dhe e gjithë kjo, për faj të këtij edukimi të keq.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top