Këshilla & Arsye

February 12, 2018 | 8:42

Nga Lira Gjika / Vlerësojini fëmijës fjalën dhe jo të bërtiturën!

“Ku kupton ky mi? Ky është i vogël? Ku di ky”? Këto shprehje zhvleftësuese të të rriturve dhe sidomos e prindërve, janë refreni që dëgjon fëmija gjatë mësimit dhe artikulimit të fjalës.

Ilira Gjika, Mjeke Pediatre

Lira Gjika, Mjeke Pediatre

Është e çuditshme sjellja, indiferenca dhe mosbesimi i prindërve ndaj fjalëve të fëmijës. Prindër! Fëmija çdo fjalë, që shqipton e thotë me seriozitet të plotë. Nuk është si i rrituri, që flet sipas rastit dhe shpesh duke shmangur atë që mendon vërtetë.

Fëmija, kur flet dhe pohon, vërtetë zërin e ka të ulët dhe jo të fuqishëm, sepse e para është i parritur dhe e dyta pret “verdiktin” tuaj. Dhe ju pa u menduar gjatë artikuloni një nga ato shprehjet: “se flet kot, se ky nuk di”. Në këtë rast, kur prindërit duhet të jenë të vëmendshëm e të mahnitur, bëhen indiferent apo mosbesues. E kundërta ndodh kur fëmija qan apo bërtet, atëherë e marrin seriozisht, madje i nënshtrohen. Pra, e marrin me mosbesim e shaka, kur flet dhe i nënshtrohen kur bërtet.

Prindër, është në dorën tuaj çfarë do ti vlerësoni fëmijës, të bërtiturën apo fjalën. Prindër përpiquni të dëgjoni fëmijën tuaj me seriozitet dhe respekt edhe pse është i vogël. Mos i bëni sjellje të bërtiturën, por fjalën.

E folura dhe artikulimi i çdo fjale nuk është një gjë e lehtë, dhe të rriturit këtë gjë e dinë shumë mirë, pasi shpesh hasin vetë vështirësi për të gjetur fjalën e duhur dhe për të folur me përgjegjësi pa u emocionuar apo hutuar. Kujdes prindër dhe ju të rritur të tjerë, ato shprehje ndërtojnë mosbesim te fëmija për fjalën e tij. Përpiquni ti mënjanoni nga përdorimi.

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com