Mirëqenie

August 29, 2018 | 10:00

Nga Lorela Garuli / Rizgjimi i natyrës, energjia që ajo fal!

Identiteti social dhe psikologjik i individit është i paplotë pa aspektin e tij biologjik dhe të lidhur me natyrën. Këtë e dëshmon një shembull shumë i thjeshtë. Fakti se e përditshmja jonë është e organizuar në bazë të dritës dhe energjisë diellore. Nëse njeriu do të ishte i shkëputur nga mjedisi i vet, me siguri dhe jeta jonë do të ishte e strukturuar në një tjetër formë.

Lorela Garuli, Psikologe dhe Pedagoge

Lorela Garuli, Psikologe dhe Pedagoge

Në një nivel më makro e duke ecur përherë paralel me ciklet natyrore, viti ynë kalendarik është i organizuar sipas 4 grupeve të mëdha stinore. Në këtë pikë, pa më të voglin dyshim, ardhja e pranverës është periudha që zgjon energjitë dhe nxit aktivitetin. Bashkërisht me natyrën, “çel” dhe njeriu. Evidencat dëshmojë se përmirësimi i gjendjes psikologjike dhe humori më i mirë në fillimin e stinës së gjelbër, nuk është një mit apo përshtypje subjektive, krejt përkundrazi. Ndryshimet stinore që sjellin temperatura më të larta, më shumë diell, më shumë orë dritë, nxisin çlirimin e një sërë hormoneve që ndikojnë drejtpërdrejt në një gjendje emocionale më të mirë.

Natyra është një “nënë” bujare. Konkretisht me pranverën, ajo plotëson dhe përmbush me plot emocione të bukura, të freskëta e të larmishme. Zgjohen instinkte dhe impulse për të qëndruar më shumë në natyrë dhe për t’u përqafuar nga ngjyrat e pranverës. Drita, dielli që zbukurojnë, aroma që ngacmojnë, peizazhe që gjallërohen, perëndime që zgjaten. Të gjitha janë nën emrin e pranverës, që fal pozitivitet, energji dhe ushqim për shpirtin. Pranvera përkthehet në optimizëm dhe dëshirë për të jetuar me ritëm, intensitet, dinamizëm. Na motivon të shohim të bukurën dhe të mirën kudo, ndaj nuk na mbetet gjë tjetër vetëm ta mirëpresim e ta shijojmë!

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 129

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top