Dashuri, komunikim, afrimitet, mbështetje… Këto janë shtyllat që kërkon një adoleshent. Këto janë themelet e padukshme, por jetike, mbi të cilat mund të ndërtohet një njeri i shëndetshëm emocionalisht. Në adoleshencë, zemra rreh fort jo vetëm nga hormonet, por edhe nga etja për t’u ndjerë i rëndësishëm, për t’u dëgjuar, për t’u parë dhe për t’u përqafuar pa kushte.
Kjo është mosha që kërkon të jetë në qendër, por jo nga egoizmi, por nga një nevojë e thellë për miratim, për identitet, për mbështetje të paepur në një botë që shpesh i gjykon shpejt, i refuzon lehtë dhe i dënon pa i kuptuar.
Adoleshentët nuk janë rebelë për sport. Ata janë në mes të një furtune të brendshme hormonale, emocionale dhe identitare, dhe shpesh as vetë ata nuk dinë si të lundrojnë. Në këtë betejë me veten dhe botën, nuk kanë nevojë për dënime e moralizime, por për duar që i mbajnë, sy që i kuptojnë, zëra që i mësojnë me butësi, jo me frikë.
Por, për fat të keq, çdo ditë na zgjon një lajm tronditës. Një adoleshente 16-vjeçare vendos të largohet përgjithmonë nga kjo botë, në heshtje, pa fjalë, larg familjarëve. Dhe ne zgjohemi me një tjetër dhimbje të pamatë, me një tjetër pikëpyetje të madhe: Ku ishim ne të rriturit, kur ajo kishte nevojë për ne?
Në një tjetër cep të qytetit, dy të rinj, po 16-vjeçarë, luftojnë me thika brenda mureve të shkollës, aty ku duhej të rriteshin me dije dhe siguri. Pse duhet të jetë shkolla një fushë beteje dhe jo një strehë? Ku gabojmë si prindër, si mësues, si shoqëri?
Pyetja që më ngacmon, që më vret shpirtin është: A është vërtet kaq e vështirë të rritësh fëmijë emocionalisht të shëndetshëm? A është më e lehtë të lindim sesa të edukojmë, të duam, të dëgjojmë?
Në Shqipëri, shpesh dëgjojmë për nevojën e shtimit të lindshmërisë. Por ç’vlerë ka të rritet numri i lindjeve, kur cilësia e jetës emocionale dhe psikologjike e fëmijëve tanë është në rënie? Kur gjithnjë e më shumë të rinj jetojnë me boshllëk, me pasiguri, me plagë që nuk shihen?
Ndoshta nuk kemi nevojë për më shumë fëmijë, kemi nevojë për më shumë prindër të vetëdijshëm, të pranishëm, të dashur. Prindër që nuk i ushqejnë vetëm, por i dëgjojnë, i shohin, i vlerësojnë.
Ndoshta na duhen më shumë mësues që edukojnë me zemër, që janë model dhe jo frikë. Na duhen më shumë figura që frymëzojnë, jo që shtypin.
Dhe mbi të gjitha, na duhet një shoqëri që nuk nxit garën dhe krahasimin, por mirësinë, empatinë, dhe fuqizimin emocional. Sepse përtej çdo vështirësie, vdekja nuk është zgjidhje!
Zgjidhja është të krijojmë një botë ku jeta të ndihet e denjë për t’u jetuar.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.