Editorial

December 1, 2023 | 8:27

Nga Orjona Tresa / Dhurata më e bukur e çdo fundviti është vetë jeta!

Dalëngadalë po e lëmë të shkojë edhe një vit. Një kalendar që padyshim edhe në këto 365 ditë do të bartë ngjarje të ndryshme. Sepse e tillë është e orientuar jeta. Ashtu si stinët e vitit me fenomenet e tyre. Ka tërmete, stuhi, rrebeshe, acar, por edhe ditë të ngrohta, diell, shkëlqim. Mes këtyre ditëve, disa të shkurtra që shoqërojnë dimrin, e disa të gjata që i vishen verës, disa data na nguliten fort në kujtesë, si mënyrë orientimi apo rifillimi për t’iu gëzuar jetës. Ndërsa ka dhe të tjera që, as që mbahen mend, si për të dhënë sinjalin e mosrëndësisë që ato kanë.

Kur vjen dhjetori, na duket se ditët kanë fluturuar. Rendim të kuptojmë si ndodhi, ndërsa padyshim si për ta kurorëzuar të suksesshëm si vit, vlerë i japim vetëm atij, shëndetit. Kjo fjalë shndërrohet në urimin më të dëshiruar për gjithsecilin nga ne, që padyshim të tillë do të dëshironim deri në fund të jetës tonë. Por nuk mjafton vetëm ky dhjetor për të reflektuar për shëndetin, janë muajt e gjithë jetës që bëjmë, të cilët na tregojnë dhe mësojnë rëndësinë që ka për ne. Na duhet shumë të reflektojmë për mënyrën se si sillemi me të, se si përpiqemi ta përmirësojmë atë, se si duhet ta mbajmë parasysh, pa u bezdisur se diçka krejt e pavend po na ndodh. Mund të duhet si një pasrendje fjalësh që shpesh ia diktojmë jetës tonë. E gjejmë veten të themi ‘të kemi shëndetin’ po vetëm për të nuk tregohemi mjaftueshëm të kujdesshëm. Kohën ia lëmë angazhimeve të tjera që përkufizojnë gjithashtu jetën aktive tonë, por shëndetin gjithmonë e renditim të fundit.

Pra, një marramendje që na e vështirëson këtë marrëdhënie në raport me mirëqenien tonë, duke mos ia dhënë rëndësinë që meriton. Dhe kur arrijmë në pikën e fundit të mbushjes, e shohim teksa derdhet me rrëmbim dhe na lëndon, trishton.

Jeta është gjithçka kemi. Është gjithçka meritojmë. Dhe, duhet të funksionojë! Për aq kohë sa ka mjekësi, ka shkencë të përparuar që të mirëmban dhe të ndihmon ta vijosh jetën me hapa të rregullt dhe të sigurt. Pavarësisht ekzistencës tonë në një vend ku profesioni i mjekut apo ndihmësmjekut është kanalizuar në atë të mirëmbajtësit të regjistrit dhe sistemit të vizitave online, (ku në fakt duhet të vizitojë apo mjekojë fizikisht, por edhe të informojë pacientët e tij për kontrollet rutinë), kjo e largon edhe më shumë atë nga ajo marrëdhënie që duhet të përbëjë shumë herë më tepër interes për ecurinë e jetës së gjithsecilit.

Dhe çfarë mbetet? Të bëhemi gjithëditur edhe në këtë drejtim, duke u përpjekur të tregohemi të kujdesshëm në mënyrë autodidakte për shëndetin tonë, që nga kontrollet e gjakut e deri te vizitat sipas nevojës me mjekun që na e thotë mendja se duhet të shkojmë.

E megjithatë, në emër të jetës, duhet t’i japim vlerë, sepse është e jona, dhe është investimi më i mirë që mund të bëjmë. Me gjithë vështirësitë e ndeshura, pafuqinë për të ndryshuar rrjedhën e gjërave, sforcimit për ta bërë të funksionojë institucionin e mjekut publik ashtu siç është model në botë, ku çdo gjashtë muaj të thërret të ndjekësh shëndetin tënd, të paktën të insistojmë për fëmijët, për veten, të dashurit tanë, për të mos i lënë në pikën e fundit të shpresës dhe të kemi jetën që meritojmë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top