Kudo ku përpiqemi për të krijuar të mira materiale, kudo ku hedhim një hap në një shteg të ri e të parrahur, vëmë në punë trurin. Sepse në rastin më ekstrem na duhet të mbijetojmë. Diku me mund të lehtë, sepse kemi mësuar si të veprojmë, por diku tjetër na duhet të mprehim njohuritë, duke mësuar njëherësh prej rrethanave më shumë nga sa dimë.
Nga Orjona Tresa, gazetare
E gjithë jeta është një sfidë e tillë, e pakushtëzuar. E udhëheq veten në shtigje të reja, të panjohurash dhe zbulime që deri në atë çast kanë qenë nëse jo një padituri, një obligim i dashur për të mësuar më shumë. E ku ka më bukur se të mësosh në vazhdimësi, sepse prej saj varet dhe cilësia e jetës. Në përditësim e sipër ti mëson të bësh një jetë jo vetëm aktive dhe të mençur, por dobiprurëse për gjithçka lidhet me funksionalitetin tënd. Teza e të mësuarit gjithë jetën interpretohet nga specialistët e shëndetit mendor si një proces, që pavarësisht moshës, është e vazhdueshme deri në fund. Të mësuarit, apo mirëmbajtja e trurit është një veçori tejet e domosdoshme, për të mos qenë peng i disa mekanizmave kushtëzues, bllokues. Nëse i referohemi teknologjisë, e cila na merr vëmendjen si një e tërë, pavarësisht të mirave që na sjell, nuk ka të njëjtën ndjesi si kontakti fizik dhe lëvizja rrethanore e palimit, e cila konfiguron atë që na ushqen vërtetë mendërisht.
Por mbi të gjitha na zhvillon sensin edukativ dhe kulturor, për të cilin duhet të mendojmë seriozisht. Të mësuarit gjatë gjithë jetës është një proces në thelb edukativ, një do mosdoshmëri për zhvillimin e njohurive dhe aftësive. Nuk ka ndasi nëse je një akademik, profesionist, punonjës i thjeshtë apo fëmijë. Është një rrugëtim i pandalshëm, që nis sapo hap sytë në botën e re. Është një udhëtim i frytshëm njëherësh, një leksion jete që mund ta përfitosh shkëlqyeshëm nëpër libra dhe institucione arsimore, por po aq edhe në jetën e vërtetë, në praktikë. Edukimi është jetë dhe e gjithë jeta është mësim. Por, e gjitha varet nga aftësia që ka shoqëria për ta diktuar dhe lejuar këtë.
Për të mos përmendur Tiranën, sepse si kryeqytet ka fatin të ketë institucione të pambarimta arsimore, shtetërore apo publike qofshin, qytetet më të vogla, si edhe fshatrat jo pak periferikë, vuajnë nga largësia apo mungesa e shkollave. Ky realitet i trishtë transmetohet çdo fillimviti të ri akademik shkollor. Fëmijë që nuk munden të ndjekin shkollën, duke mbetur të pafuqishëm para dijes. Çfarë do të thotë kjo në ikje dhe rifillim ciklesh? Prapambetje. E përtej kësaj, fenomene që na cenojnë dhe lëndojnë për shkak të paditurisë. Sepse në këto zona të errëta nuk ka më dritë diturie, por veç errësirë mjeruese dhe shkatërruese.
Arsimimi është jeta! Duhet të kapemi fort pas tij. Është motivi për të qenë ambicioz për vazhdimësinë, këmbëngulës, sfidues dhe i realizuar. Të mësuarit është një aleat në të gjitha situatat e jetës. Tek e fundit, të nxënit e vazhdueshëm të bën më të pranueshëm në shoqëri, sepse ti ke një armë të fuqishme të cilën e përdor për të dalë nga çdo situatë.
Botuar tek Revista Psikologjia, Nr.183, muaji Shtator
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.