Në Fort Totten, në Kuins të Nju Jorkut, pranë ujit dhe mes gjelbërimit, ndodhet një kamion zjarrfikës që tërheq vëmendjen jo për pamjen e tij, por për atë që mbart. Në trupin e kuq të automjetit janë shkruar emrat e 343 zjarrfikësve të FDNY-së që humbën jetën më 11 shtator 2001. Isha aty dhe vendosa të pozoja pranë tij. Ishte një fotografi, por arsyeja nuk ishte thjesht fotografia. Doja të fiksoja një vend ku emrat e 343 njerëzve janë bërë pjesë e hapësirës.

Kamioni memorial
Njëzet e pesë vjet pas sulmeve ndaj Kullave Binjake, në Fort Totten qëndron kamioni me mbishkrimin “Ladder 343 – Never Forget – Box 55-8087”. Në trupin e tij janë vendosur, njëri pas tjetrit, emrat e 343 anëtarëve të Departamentit të Zjarrfikësve të Nju Jorkut që humbën jetën atë ditë. Lista nuk ka nevojë për shumë shpjegime. Pas çdo emri fshihet një jetë, një familje dhe një vend pune ku ai njeri nuk u kthye më. Ky nuk është kamioni origjinal i Ladder 3, i cili u dëmtua rëndë gjatë shembjes së kullave dhe sot ruhet në Muzeun Përkujtimor të 11 Shtatorit në vendin e Qendrës Botërore të Tregtisë. Automjeti në Fort Totten është një kamion memorial, i ndërtuar për të ruajtur kujtimin e 343 zjarrfikësve.
Çfarë do të thotë 55-8087?
Edhe mbishkrimi në kamion ka historinë e vet. Box 55-8087 ishte kodi i alarmit për incidentin në Qendrën Botërore të Tregtisë. Pas përplasjes së avionit të parë, sistemi i emergjencës mobilizoi njësitë e zjarrfikësve drejt Manhatanit. Brenda pak minutash, një numër i madh njësish të FDNY-së u nisën drejt kullave. Në fund të asaj dite, 343 prej tyre nuk u kthyen.
Numri 343 përfshin zjarrfikës, oficerë dhe personel tjetër të shërbimit zjarrfikës që ndodheshin në operacionin e shpëtimit. Humbja ishte veçanërisht e rëndë për FDNY-në, sepse shumë prej tyre u futën në ndërtesat që digjeshin ndërsa njerëzit e tjerë përpiqeshin të dilnin prej tyre.

Fort Totten
Fort Totten është një ish-fortifikim ushtarak në veri të Kuinsit, në një pikë nga ku shihen ujërat e Long Island Sound. Sot zona ka një funksion krejt tjetër: pjesë të saj përdoren nga strukturat ushtarake, ndërsa hapësirat përreth janë të hapura për publikun. Në këtë mjedis, kamioni memorial duket pothuajse si një objekt i ardhur nga një tjetër kohë. Përreth ka pemë, rrugica dhe qetësinë karakteristike të një parku. Në kamion, ndërkaq, qëndrojnë 343 emra. Edhe “Never Forget”, fraza e vendosur mbi të, këtu nuk ka nevojë për shpjegim. Mjafton të lexosh listën.
11 shtatori nuk përfundoi me shembjen e kullave. Pas operacioneve në Ground Zero, shumë prej njerëzve që punuan atje u përballën me pasoja shëndetësore dhe një pjesë e tyre vdiqën në vitet që pasuan.
Por në Fort Totten kujtesa është më konkrete: një kamion, një numër alarmi dhe 343 emra të shkruar mbi llamarinë. Dhe kjo mjafton!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

