Editorial

November 24, 2018 | 8:03

Nga Orjona TRESA / Kur fëmijët kanë si model prindin

Të gjithë të rriturit e kanë brenda vetes të qenit fëmijë. E mbajnë me kujdes dhe mundohen të mos e ekspozojnë, sigurisht. Sepse vetëm kështu mund të luajnë më mirë rolin e të rriturit. Ndërkohë fëmijët janë bota nga ku shqisat tona bëhen më fleksibël, mendimet tona marrin më shumë formë, frymëzimi kthehet në një adrenalinë marramendëse, shqetësimet shtohen e zbehen njëkohësisht, sepse është zëri i tyre që na fton me ëmbëlsi të bën të harrosh gjithçka.

Orjona Tresa, gazetare

Orjona Tresa, gazetare

Datën enkas të fëmijëve, siç është 1 Qershori, e kisha lënë pas, në fëmijërinë time, bashkë me organizimet festive, balonat, tullumbacet, qeset me karamele apo diçka më shumë se aq. Por fëmijërinë nuk e kam lënë gjëkundi. Atë e merrke gjithmonë me vete. Janë kujtimet që flenë aty, me ty, e zgjohen herë pas here. M’u rikthye në vëmendje kjo festë, atëherë kur gëzuam një qershorin e parë të vajzës. O Zot sa bukur ishte! Ajo që lodronte pa fund barit të gjelbër të natyrës. Që shijonte luledelet mbi kokën e saj, e qeshte gjithë shpirt prej flladit që e përkëdhelte në lëndinën e Parkut Kombëtar. Një lodër me kast, një kapricio e toleruar, një udhëtim fëminor bashkë me të për t’iu përshtatur moshës, e pse jo, një rilindje falë atmosferës poetike shoqëruar nga këngët e të vegjëlve e cicërimat e zogjve në sfond.

Fëmijët janë gjëja më e bukur në jetë dhe kapitali më i çmuar njerëzor. Ndaj na takon neve si prindër të tregojmë kujdesin që ata meritojnë, për t’i bërë shembujt e duhur të së nesërmes. Një fëmijëri e munguar, e cenuar, është një e ardhme pa dritë, është një ardhme pa ngjyra, pa jetë. Një gjë të tillë e hasim shpesh. Megjithatë jo pak raste kanë dëshmuar të kundërtën. Janë fëmijë të braktisur, të lënë në mes të katër rrugëve, fëmijë me problematikë sjelljeje, plot vese negative deri në deformim të karakterit të tyre shoqëror, gjë që i ka çuar deri në akte ekstreme. Psikologët thonë se çdo etapë e jetës duhet përjetuar, duhet prekur, duhet ezauruar, në të kundërt, pasojat shoqërojnë një rritje me boshllëqe që kërkojnë zëvendësimin.

Por jeta e një fëmije është si roli i mësuesit të klasës së parë. Është ai parësori në nisjen drejt rrugës së dijes, është ai që të mëson hapat e parë, që e formon në edukim e që mbeten të pashlyera në kujtesë përgjatë gjithë jetës. Nëse një mësues jo i denjë do të linte boshllëqe tek një fëmijë, atëherë këto do të mbeteshin të pakorrigjueshme e do të bëheshin normë në qenien e një individi të rritur. Ka një qasje ndryshe në vitet që flasim.

Nëse para viteve ’90 ishim mësuar me një sistem ku ndaj fëmijës kishte shumë kërkesë llogarie, nuk tolerohej lehtë, i ngarkoheshin detyra e përgjegjësi, madje më shumë se ç’i takonin. Sot gjendemi në dy ekstreme, atë të abuzimit e braktisjes dhe tolerancës së pakufishme. Këto forma sjelljeje, të cilat kanë ndryshuar rolet mes brezave, duket se po krijojnë një shoqëri metafizike, duke nxjerrë në pah vonesat edukative përgjatë një 30 vjeçari tranzitiv.

Çfarë duhet të bëjmë, kur shohim që rreziku është kaq evident? Kushdo e ka të qartë në vetvete se çfarë duhet të bëjë për një shoqëri të mirë të së nesërmes. Nëse do ta lëmë kohën ta na e marrin veset dhe edukimi i rrugës, t’i lëmë fëmijët të bien pré e kapërcimit traumatik të fazave të rritjes dhe edukimit jashtë normave, atëherë nuk mund të viktimizohemi e ta gjejmë fajin tek tjetërkush. Modeli duhet të jemi vetë ne, prindërit! Ne që duam më të mirën e fëmijëve tanë, të përpiqemi t’u edukojmë të mirat, për të pasur dhe ata nesër një jetë më të mirë!

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 132

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top