FB

September 25, 2025 | 16:30

Nga Orjona Tresa: Kur lajmi shndërrohet në iluzion, rreziku i sensacionalizmit në shëndet

 

Një analizë mbi mënyrën se si titujt e bujshëm deformojnë të vërtetën shkencore dhe ndikojnë emocionalisht te publiku, në një kohë kur fjala e shkruar ka më shumë fuqi sesa mendojmë.

orjona-foto-editorial-ok

Gjatë këtyre ditëve, edhe si lexuese e medias online, kam hasur në një numër të madh artikujsh dhe postimesh me tituj tronditës që shpallnin se “Rusia ka shpikur vaksinën 100% shëruese të kancerit”. Megjithatë, në asnjë rast nuk u specifikua se për cilin lloj kanceri bëhej fjalë. Kjo më shtyu të kërkoj më thellë, dhe çdo faqe që më shfaqej befas, pavarësisht se kishte emra të ndryshëm portalesh, fliste për të njëjtën temë, me ndryshime vetëm në dizajnin e titujve. Në përpjekjet e mia për të gjetur informacion të besueshëm, nuk arrita të gjeja përshkrime të detajuara të vaksinës, as emra të shkencëtarëve të njohur që ishin përfshirë në këtë “zbulim të madh”. Kjo mungesë transparence më bëri të dyshoj për saktësinë e informacionit. Por, kur disa portale mediatike shqiptare filluan të publikojnë lajme të ngjashme, duke përdorur tituj të ngjashëm dhe pa referenca të qarta shkencore, vendosa të bëj një kërkim më të thelluar.

 

lajme-fakeNjë kërkim më i thelluar i këtij lajmi, tregon se bëhet fjalë për një deklaratë të dhënë nga zyrtarë rusë për një vaksinë të quajtur “Enteromix”, që sipas tyre do të përdorë teknologjinë mRNA dhe do të jetë falas në vitin 2025. Por deri më tani, asnjë revistë shkencore ndërkombëtare nuk ka publikuar të dhëna të detajuara klinike për efektivitetin e kësaj vaksine. Asnjë emër i njohur në fushën e onkologjisë nuk është lidhur publikisht me këtë projekt. Asnjë protokoll testimi i verifikueshëm nuk është bërë publik. Pra, lajmi nuk është më shumë se një pretendim, i bërë publik në mënyrë të vakët dhe të pjesshme. Megjithatë, ky pretendim ka marrë jetë të plotë në shumë faqe informative si fakt i konfirmuar, madje i sigurt dhe që garanton jetën, duke çuar lexuesin drejt një përfundimi emocional: “Kanceri më në fund është shëruar”. Por ky është një deformim i thellë, jo vetëm i lajmit, por edhe i etikës së raportimit. Në një shoqëri ku besimi te shkenca është i brishtë, ku lajmet për pandemitë, luftërat, sëmundjet dhe shpëtimi marrin ngarkesë të madhe emocionale, nuk kemi luksin të jemi të pakujdesshëm. Të besosh dhe të përhapësh një lajm të tillë pa verifikim nuk është thjesht keqinformim, është keqpërdorim i emocioneve të njerëzve që, përballë sëmundjes, kapen pas çdo fije shprese.

Si gazetarë, ne kemi përgjegjësi jo thjesht për të informuar, por për të filtruar, sqaruar dhe matur fjalën tonë. Shkenca nuk e njeh sensacionalizmin. Një vaksinë e mundshme kalon vite kërkimesh, faza të shumta testimesh, mbikëqyrje ndërkombëtare dhe më pas vlerësim publik. Pa këto elemente, çdo pohim për “vaksinë kundër kancerit” është vetëm një titull në ajër, një mjegull e rrezikshme që na e zbeh gjykimin dhe na e ushqen iluzionin.

Në një kohë kur vëmendja online është e lirë, por pasojat e keqinformimit janë të rënda, është detyra jonë të ruajmë integritetin e informacionit. Të mos jemi zëri i parë që përhapim një gjysmë të vërtetë, por ai që ndalet për të pyetur: “Po nëse nuk është e vërtetë? Po nëse dëmton më shumë se ndihmon? Sepse lajmi i vërtetë nuk ka nevojë për të bërtitur që të dëgjohet. Ka nevojë për saktësi, thellim, dhe përgjegjësi. Të mos harrojmë: ajo që sot përhapim për klikime, nesër dikush mund ta marrë si shpresë dhe pastaj ta humbasë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top