Editorial

November 12, 2019 | 8:22

Nga Orjona TRESA / Kur libri shqip të ngrihet në apogjeun e merituar!

Libri shqip nuk është në ditët e tij më të mira… Përpiqemi çdo ditë me propaganda nga më të ndryshmet për të afruar lexuesit me librin. Bëjmë biseda mes njëri-tjetrit për të kuptuar vlerën e të lexuarit, por edhe interesin e grupmoshave të ndryshme që kanë kundrejt të shfletuarit e lexuarit në letër. Më së shumti, në prag panairesh letrare dëgjojmë për bjerrje të numrit të lexuesve dhe të gjitha problematikave që vijnë nga ai.

Orjona Tresa, gazetare

Orjona Tresa, gazetare

Deri këtu jam dakord, sepse pa dije mbetesh gdhë. Dhe ma do mendja nuk është fort e nevojshme që të përzgjedhësh fjalën e të tregohesh elokuent dhe aty ku nuk duhet, duke zëvendësuar fjalën gdhë me një të ngjashme, pak më elastike. Sepse gdhë-ja, është gdhë. Dhe gdhë-ja nuk të hap sytë, por të lë të jetosh si asgjë, pa ambicie, pritshmëri, e shumëçka tjetër që kushdo i ka në fillim të rrugëtimit. Por ka dhe një gjë që më shqetëson. Ajo që në gjuhën e marketingut quhet antipropagandë, e që shquhet me anën e një misioni njëjavor para datave të panaireve. Fokusi vlen më së shumti, për të tërhequr vëmendjen drejt librave të huaj. Nuk kam asgjë me këtë pjesë, është forma më e mirë për të marketuar një libër që kritika botërore e ka ngritur në apogje. Sepse është kjo kritikë që e ngre lart një libër, ose anasjelltas, e fundos atë.

Po libri shqip, ku është në këtë mes? Ku çalon puna me shkrimtarin shqiptar? Pse nuk merr ai gjithë vëmendjen që meriton? Mesa duket qenka kritika! A duhet t’ia vëmë fajin asaj? Padyshim që po, për një pjesë të mirë të problemit. Nuk mund të ketë kritikë me kokrra, nëse nuk ka një institucion mirëfilli për të “certifikuar” në njëfarë mënyre një vepër letrare. Dhe do apo nuk do, kjo vepër letrare e një shkrimtari shqiptar mbetet “pa zot” myket në raftet e librarive, sepse lexuesit nuk janë të motivuar të shkojnë tek ai.

Po ku është hallka tjetër e defektit? Padyshim botuesi. Në këtë labirint, shpëtimi mbetet më mirë, blerja me të gjitha të drejtat e një autori jashtë kufijve, për mos t’i rënduar barra e një institucioni të mekur vendas, që edhe kur e hedh firmën sheh akoma nga miku apo mikesha e kujt është autori tek anëtarët e një jurie çmimesh.

Libri, por jo vetëm, të gjitha botimet shqip duhet të zënë një vend të veçantë mes nesh. Në kontaktet e vazhdueshme me librashitësit, ka një stepje kur bëhet fjalë për krijimtari vendase, ndërsa po në gjuhën e tyre ama, kërkojnë një produkt nga jashtë. A thua se edhe përkthyesit tanë nuk e kanë nevojën e një filtri sikundër shkrimtarët që krijojnë vepra në shqip.

Ka plot meselera që në këtë tokën tonë mesa duket do të zgjasin për një kohë të gjatë e të pacaktuar. Prioritet na kanë mbetur autorët e vjetër, bashkëkohës të një epoke tjetër. Dhe me gjithë kufizimet e mundshme, arritëm të bëjmë emra të mëdhenj si vend. Ndërsa sot, pas gati 30 vitesh pluralizëm, nuk po arrijmë të shquajmë a bëjmë të njohur emra që meritojnë të jenë të tillë. Epo na rroftë oratoria dhe propaganda…

Por pse u nisa të shkruaj për librin në këtë editorial të “Psikologji”-së? Sepse prej 15 nëntorit të 1995 kemi një ditë botërore të librit. Është 23 prilli, ditë që e ka origjinën e vet në Spanjë, në zonën e Katalonjës, ku atij që blinte një libër i dhurohej edhe një trëndafil. “Libri ka qenë historikisht instrumenti më i fuqishëm i shpërndarjes së njohurive dhe mjeti më efikas për të siguruar ruajtjen e këtyre njohurive, se çdo nismë për promovimin e librave të rinj është një faktor i pasurimit kulturor etj”.

Por dhe kjo histori e ka një pikënisje. Po më 23 prill të vitit 1616 u nda nga kjo botë Servantesi e Shekspiri. Emra më të mëdhenj se kaq në letërsinë botërore vështirë se ka. Por 23 prilli shënon edhe lindjen ose vdekjen e disa shkrimtarëve të tjerë botërorë. Kjo është arsyeja, për të cilën kjo datë domethënëse për letërsinë universale është caktuar nga Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s për t’i bërë homazh botëror librit dhe autorëve të tij dhe për të inkurajuar të rinjtë, që të zbulojnë kënaqësinë e të lexuarit, si edhe për të respektuar kontributin e pazëvendësueshëm, që kanë dhënë krijuesit për progresin social dhe atë kulturor.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 142

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com