Na ndodh të gjithëve të ngarkohemi në përditshmërinë tonë, të këmbejmë dy fjalë më tepër e ndonjëherë të ngremë tonet duke menduar se e drejta është në anën tonë. Na ndodh, kjo është e vërtetë, sa në familje, me partnerin apo fëmijët, por edhe në vendin e punës, ku gjithashtu kalojmë një pjesë të rëndësishme të ditës.
Lëndimet që prodhojnë fjalët nga një gjaknxehtësi apo nervozizëm mosmarrëveshjesh janë të pashmangshme, dhe kur qetësohemi, jemi po ne ata që pendohemi për mënyrën se si jemi sjellë. Por ajo që dëmton edhe më shumë emocionet tona është bartja e ndjenjës së fajit, e cila pavarësisht se kush ishte fajtori, na bën ta përjetojmë situatën e prodhuar me përndjekjen e shëmtisë që zgjat.
Natyrshëm që një video, krejt njerëzore mes dy të rriturish, dy bashkëshortësh ende pa një vendim gjyqësor për ndarje, të prodhonte me shpejtësi shpërndarjeje, një vlug komentesh e reagimesh përmes rrjetesh sociale. Dy persona të rritur, në ambientet e shtëpisë së tyre, që i kërkonin me tone të ndryshme nga përditshmëria llogari njëri-tjetrit. Zemërimi i përkiste atyre të dyve dhe një personi të tretë, mazhordom apo ndihmës i familjes së ashtuquajtur mbretërore, i cili në mbrojtje të palës mashkullore, përpiqej të ftonte seksin e kundërt të qetësohej. Askush nuk ka të drejtë të dijë me saktësi dhe brutalitet (klikueshmëria e videos në rrjet e tregon këtë), të dijë se çfarë bisedash kishin këta dy të rritur, emra të njohur publikë në Shqipëri, në lidhje me debatin që kishin. Por mesa duket, vuajarizmi, këtë herë përmes teknologjisë, na bën edhe më përgjues e lakmitarë për ta vazhduar tjerrjen e rastit në skutat më të errëta të mendësisë provinciale e të pashëndetshme tyren.
Kujt i bën mirë kjo gjë që pa? Sa u lehtësua? Vërtetoi ndoshta veten e tij aty brenda asaj skene të padëshiruar? U bind se e drejta qëndron vetëm tek njëra palë? Ia shëndoshi egon apo e frymëzoi të bëjë të njëjtën gjë? U kënaqët nga tensioni i gruas apo nga mllefi i burrit që dhe për pak kohë pritet të shkurorëzohet, e ndoshta si kauzë do t’i shërbejë edhe kjo video që qetësisht dhe lehtësisht e vetëxhiroi?
Turp.
Për mua ishte menaxhimi më i shëmtuar i një deklarate po kaq të shëmtuar pakënaqësish dhe inatesh mizogjene, mllefe arkaike dhe mendësore të një shekulli që duket se nuk mbaron në këtë drejtim. Një shoqëri që argëtohet pas teknologjisë që i mundëson gjithfarëlloj gjërash, e harron që po burgos gjithnjë e më shumë mendjen e vet me këtë ushqim hidhësirë.
Fyese, për një grua, nënë, vajzën e çiftit të shumëpërfolur, që kur të rritet do t’i duhet të mësojë për të drejtën, pa e nisur mirë se si qëndron e drejta!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.