Këshilla & Arsye

November 26, 2017 | 19:30

Nga Orjona Tresa: “Natë misterioze” rrëmben Durrësin në magjinë e dramës shqipe

Tre meshkuj dhe një femër ndeshen me njëri-tjetrin në platformën e një treni udhëtarësh. Nisen veçmas për të zbritur në të njëjtin stacion dhe çuditërisht kanë të njëjtën rrugë për të bërë derisa mbërrijnë në pikën e paracaktuar. Të katërt janë ftuar të marrin pjesë në kremtimin e një ditëlindje. Por asnjëri prej tyre nuk e njeh njeriun që feston. E megjithatë askush nuk nguron ta pranojë sfidën e të ndërmarrë një udhëtim të çuditshëm, për të mbërritur në një ngrehinë të vjetër dhe të madhe ku… nuk i pret askush.

Nga Orjona Tresa, Gazetare

Nga Orjona Tresa, Gazetare

Ky është prologu i një drame shqipe vënë në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu”. Një vepër e kohës me ngjyresat e një jete të trazuar nga tranzicioni. E shkruar nga një dramaturg shqiptar, por që gjithsesi merr vlerat e një drame universale. Dhe më pas se kaq:

…intrigë, ankth, frikë…

dritëhije që duken e zhduken aty për aty, duke e vështirësuar udhën e zgjidhjes së një konflikti që ka nisur nga çasti i parë i hapjes së siparit.

…dialog filozofik…

Epilogu ishte edhe më i papritur se sa të gjithë elementet e tjera të përdorura nga autori për të të futur në kurthin e dramës.

salla

***

Në takimin e tretë që kjo dramë pati me publikun e qytetit të Durrësit, m’u dha rasti të isha dhe unë spektatore. Ndonëse pjesëmarrja nuk ishte aq mbresëlënëse sa mund të pritej për një vepër e tillë, vlerësimi i publikut në plate ndihej në tik-taket e suspansat emocionuese që përçonte çdo frymëmarrje skenike.

E megjithatë duhet thënë, se trupa e qytetit bregdetar vazhdon të jetë shumë aktive në tregun skenik, edhe kur shumë prej qyteteve të tjera thuajse i kanë mbyllur dyert e teatrove të tyre. E në këtë situatë jo aq të favorshme për dramën shqipe, spektatori skeptik e ka të vështirë të ngjisë shkallët e teatrit edhe pse çmimi për një shfaqje, duhet thënë, është krejt simbolik.

6 aktorë, të Durrësit e Tiranës bashkë, por nën udhëheqjen e një regjisori nga Prishtina, sollën një vepër-dramë të kohës, emocione që për autorin e saj, Ferdinand Hysi, i pranishëm në lozhë edhe gjatë shfaqjes së saj të tretë, risollën ngacmime nga gjurmët e një drame të shkruar kohë më parë.

Dhe kthehemi tek “Natë misterioze”…

***

Trekëndëshi i Bermudeve është një nga misteret më të mëdha të njerëzimit. Por po aq ai është pjellë e një sërë zhdukjesh rastësore e të pazakonta. Në skenë, një hartë me kufijtë e këtij vendi të quajtur Bermuda, paralajmëron se misteret do të vazhdojnë. Ajo është një nga urat lidhëse mes personazheve të panjohur. Të tjerat zbulohen pak nga pak.

Koha është e keqe, plot shi e shkreptima.

Katër të panjohurit me nga një valixhe në dorë, të cilët kanë bërë rrugën e përbashkët drejt të panjohurës, presin në po të njëjtin holl të shfaqet njeriu që i ka ftuar për të festuar. Por ai nuk duket gjëkundi, vazhdon t’i mundojë. Ata kanë mbetur brenda një ngrehine nga ku nuk mund të dalin më. Ndërsa në një analizë të vazhdueshëm faktesh e të dhënash në dukje të rastësishme mundohen të gjejnë dritën në tunel. Dhe aty kuptojnë diçka: Dikush ka në duar jetët e tyre. Di gjithçka për ta dhe i ka thirrur në të njëjtin vend… ndoshta për t’u kërkuar nga një gjë të çmuar. Një gjë të cilën ata nuk mund ta japin.

Skena dhe gjithë mizanskena zhvillohet në një terren gjysmë të ndriçuar. Ankthin vazhdon ta shoqërojë muzika e përzgjedhur për një rast të tillë dhe vetë efektet skenike. Gjithçka të bën të mbash frymën dhe të përqendrohesh te personazhet që kërkojnë me ngulm të dinë se përse një i panjohur i ka ftuar në ditëlindjen e tij, për më tepër kur marrin vesh se ai në të vërtetë ka vdekur.

Ditëlindjen e kujt po festojnë?

Mos ndoshta të një njeriu që ata i kanë rënë në qafë, apo të një tjetri që ka sakrifikuar diçka nga vetja për ta? Ka ardhur koha për shpagim apo për t’i kthyer reston njeriut pa emër e pa fytyrë.

Misteri bëhet më i madh.

Ankthi gjithashtu.

Por për më shumë se kaq, duhet të merrni ato pak shkallë që të ngjisin drejt skenës së “Aleksandër Moisiut” në qendër të qytetit të Durrësit dhe të ndiqni dramën e Ferdinand Hysit me regji të Ben Apollonit dhe lojën e arritur të aktorëve: Gjergj Doçi, Suela Bako, Mimoza Marjanaku, Amos Muji Zaharia, Xhejn Fama dhe Marvin Tafaj.

shfaqje

o

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top