Dëshmi

November 25, 2026 | 16:00

Nga Orjona Tresa: Një histori ndryshe nga Bylisi…

Në një fshat a qytezë në perspektivë si Hekali, aty ku vetëm pak metra më në lartësi gjenden ndër gjurmët e hershme të gjenezës shqiptaro-ilirike, historia nuk ka të bëjë vetëm me atë çfarë ke lexuar nëpër libra historie e manualet arkeologjikë. Sepse në Bylis, në këtë qytet mahnitës të lashtësisë, nga 360 gradë të horizontit e deri thellë nën tokën ende të pazbuluar, peizazhi është i pabesueshëm, gati joreal a ndoshta fantazmagorik. Dhe vetëm kur e prek e kupton se çfarë ke humbur deri në çastin e njohjes me të.

bylis-vjosa

Pak njerëz kanë mbetur sot në Hekal. Ndërtesa administrative, biblioteka – më e reja e asaj treve –, një shkollë, pak biznese lokale si dhe disa shtëpi vazhdojnë të mbajnë gjallë jetën e qendrës ndërmjet Klosit e Ballshit të Mallakastrës. E megjithatë, këta pak njerëz janë jashtëzakonisht dashamirës, sidomos ndaj artit dhe ndaj atyre që vijnë për të njohur historinë dhe kulturën e lashtë të këtij vendi. Janë mikpritës. Por duan edhe një fjalë të mirë t’ua thuash.

Deri në Hekal, – që është i cilësuar si “Ballkoni i Mallakastrës” – rruga është e shtruar, e latuar dhe e vijëzuar si një gjarpërushë që ngjitet nga fusha deri në majë të kodrës, në 540 metra mbi nivelin e detit. Tek-tuk lëviz ndonjë makinë. Aq punë ka, aq mundësi ka. Por ndonjëherë, pikërisht në vende të tilla, ku gjithçka duket më e qetë dhe më e varfër në mjete, mund të gjesh diçka që në qytetet e mëdha duket sikur po humbet, dëshirën për të bërë diçka pa pritur asgjë në këmbim.

biblioteka-hekal

Në këtë njësi administrative, me iniciativën dashamirëse të një gazetareje me përvojë shumëvjeçare, Albana Shala, u ngrit krejt vullnetarisht Biblioteka e Hekalit. Me të u bashkuan edhe pak fëmijë e adoleshentë të vendit, të cilët ndihmuan në mbledhjen e librave dhe në riorganizimin e dhomës që do të shërbente si një hapësirë kulture dhe informacioni për banorët, por edhe për vizitorët e huaj që do të mbërrinin në këtë vend. Një qilim i vjetër, dritare të reja, rafte të punuara vullnetarisht nga njerëz të komunitetit dhe një regjistër dore ku janë shënuar më shumë se njëmijë tituj. Biblioteka u miratua dhe u vendos me pozitivitetin e zyrtarëve të Komunës në një prej ambienteve të godinës katërkatëshe, aty ku ndodhen edhe shërbime të tjera vendore.

Por atë që e bën të veçantë Bibliotekën e Hekalit nuk është vetëm numri i librave. Prej disa muajsh, aty zhvillohen takime letrare,  “Bylis Whispers”, me personazhe të ndryshëm të letërsisë, vendase dhe të huaj. Arieni nga Holanda, fotograf i lirë në profesion, kujdeset për imazhet në celuloid. Arturi nga Fieri fikson me kamerë zhvillimin e bisedave. Albana e ka nisur këtë nismë dhe moderon të ftuarit. Më të vegjlit kujdesen për sistemimin e karrigeve. Gjithçka merr formë me vullnet të lirë.

takimet

Gjatë muajve të verës, takimet e “Bylis Whispers” u zhvilluan në hollin jashtë godinës së Komunës, ku biseda bëhej më e ngrohtë dhe më gjithëpërfshirëse për të gjithë të pranishmit. Janë biseda letrare ndryshe nga ato mondane, të zhvilluara në ambiente me ajër të kondicionuar, sistem audio dhe kushte të tjera që shpesh e kthejnë pjesëmarrjen në një lloj marrëveshjeje të heshtur përfitimesh. Në Hekalin e Bylisit nuk ndodh kështu. Këtu gjithçka është më e thjeshtë. Dhe, ndoshta pikërisht për këtë, më e sinqertë. Nuk ka nevojë të jesh “mbreti” dhe as “dama” e takimit. Nuk ka nevojë të krijosh një skenë me kod veshjesh, ku njëri flet dhe të tjerët dëgjojnë vetëm sepse kështu e kërkon formati. Aty njerëzit ulen, flasin, dëgjojnë dhe bëhen pjesëmarrës sipas dëshirës.

Albana Shala, gazetare, përkthyese dhe shkrimtare, ishte shpërngulur nga Shqipëria më shumë se tri dekada më parë. Holanda ishte bërë vendbanimi i saj i ri. Pas gjithë asaj përvoje dhe me dëshirën që letërsia vazhdonte t’i zgjonte, vendosi të ndërmerrte një nismë të re, krejt shpirtërore. Zgjodhi Hekalin, zgjodhi Bylisin. Jo rastësisht. E kishte kundruar këtë vend në lindjen e diellit dhe në muzgun e tij, në atë panoramë ku qielli takohet me pyjet, malet, tokat e gjelbëruara dhe Vjosën, e cila, pavarësisht bjerrjes së saj, ende krijon një prekje të veçantë mes shqisave, me shtrirjen dhe ngjyrën e saj. Kështu, një ditë të bukur, siç lulja e orës na surprizon me çeljen e saj, ajo u bë banore e Hekalit. Bashkë me Arienin, bashkëshortin e saj. Ajo u tregoi banorëve pasionin që ka për këtë vend dhe shumë shpejt u lidh me ata pak njerëz që kishin mbetur aty. Njerëz që, siç ndodh shpesh në vende të tilla, kishin më shumë arsye për të shprehur pakënaqësinë ndaj vendit sesa për të treguar të mirat e tij. Kur Albana u foli për iniciativën e saj kulturore, ata e mirëpritën. Dhe në çdo takim janë aty. Jo vetëm për të mbështetur, por për të qenë edhe vetë pjesë e tyre. Faktorë të kësaj jete të vogël kulturore që po merr formë.

takime1

Dhe Hekali po ringrihet. Jo vetëm nga resortet apo hotelet, por edhe në jetën e tij kulturore. Sepse nga ky vend kanë dalë jo vetëm figura patriotike si Rrapo Hekali, por edhe njerëz të shquar të shkencës, mjekësisë, politikës, letërsisë e fushave të tjera. Pakkush flet për ta. Pakkush ka kohë t’u bëjë zë. Por hekalasit, në njëfarë mënyre, nuk kanë nevojë për shumë fjalë. Ata e flasin me veprën që mban emrin e tyre.

Ditët e fundit të shtatorit, ishim të ftuar në një bisedë me një autore austriake, Andrea Grill. Në profesion është biologe. E ka ushtruar këtë profesion edhe në pedagogji, por paralelisht, një ëndërr tjetër, më e madhe, siç ishte përkthimi, i ka shtuar dëshirën për të sjellë në gjuhë të tjera vepra të autorëve me kombësi të ndryshme. Andrea njeh tetë gjuhë, ndër to edhe shqipen. Dhe e flet për mrekulli. Sikur të mos e dija origjinën e saj, do të thosha se është një “Tironce e vërtetë”. Në bisedën e ngrohtë me ne, ajo tregoi se ka përkthyer në gjermanisht poezi të Ismail Kadaresë dhe Mimoza Ahmetit. Është edhe poete e prozatore dhe ndau me ne disa vargje të ndjera, të cilat i gërsheton bukur me profesionin e saj të parë, të qenët biologe.

bylis-takim-letrar

Ndoshta pikërisht këtu qëndron një prej bukurive të letërsisë. Ajo është një botë e pasur ku kulturat ndërthuren dhe sa më shumë shkëmbehet në gjuhë të tjera, aq më shumë pasurohet. Një libër që udhëton nga një gjuhë në tjetrën fiton një jetë tjetër. Edhe takime të tilla letrare i bëjnë mirë çdo komuniteti. Na e zbehin pak mjegullën e rutinës që na kaplon nga ngarkesa politike, mediatike, tokësore. Na largojnë për pak nga zhurma dhe na rikthejnë te një realitet më njerëzor, më i thjeshtë, më pragmatik në kuptimin e mirë të fjalës. Një realitet që, në fakt, na bën mirë të gjithëve.

Albana zgjodhi jo rastësisht Hekalin, Bylisin. E zgjodhi për të ftuar e bërë bashkë miq të vjetër e të rinj. Për të kaluar një kohë cilësore, ku libri të na mbledhë seriozisht rreth një tryeze të përbashkët. Për të rifreskuar opinionet tona, këndvështrimet tona dhe, pse jo, për t’u njohur me njerëz të rinj, miq që janë kulturalisht të shëndetshëm dhe që na frymëzojnë.

bylis-hekal

Deri në Hekal, pa ndalesë, shkohet për rreth dy orë. Mund të shkosh për të vizituar Parkun Arkeologjik të Bylisit, një prej dëshmive më të rëndësishme të trashëgimisë sonë të lashtë. Mund të shkosh për të soditur një vend me rrënjë ilirike. Por mund të shkosh edhe për diçka tjetër: për të parë se si, në një vend ku kanë mbetur pak njerëz, edhe ata mund të mblidhen rreth një libri. Dhe ndoshta kjo është historia tjetër e Bylisit që vjen deri në ditët tona. Jo vetëm gurët, muret, rrënojat dhe gjurmët e një qytetërimi të lashtë. Por edhe njerëzit që sot, me aq sa kanë, përpiqen të mos e lënë vendin të heshtë.

bylis-foto-arjen-veldt

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top