Editorial

April 3, 2023 | 10:50

Nga Orjona Tresa / Për baballarët, që dinë të jenë nëna e të rrisin fëmijët!

“Babi është heroi im”, “Babi është princi im”, “Babi është dashuria ime e parë”… citime, që ndoshta me të drejtë, do të bënin paksa xheloze figurën tjetër prindërore, nënën. Por sa qëndron e drejta në njërën anë e sa në tjetrën? Kjo është një pyetje pas së cilës mund të mbërthehesh fort, mund të japësh sugjerime, shpjegime, të justifikohesh, por edhe të mund të mbetesh peng, sepse secili prej prindërve në fakt mishëron një rol që është përcaktuar për të qenë i tillë në jetë dhe meriton atë që përcakton gjithashtu lidhjen tonë si fëmijë me ta.

Janë figura dhe modele sa të ndryshme, aq dhe të ngjashme në sytë e fëmijës. Por ashtu si një nënë mund të japë më shumë se babai, ka dhe etër që e bëjnë po kaq mirë rolin e nënës. Modelet janë nga më të ndryshmet, edhe pse duhet ta pranojmë se nënat janë ato që dominojnë më së shumti në prindërimin e fëmijës. Nuk dua të ndalem në këto radhë tek nëna, sepse ekuilibri i të shkruarit për të ka peshuar gjithmonë më shumë, dhe e ka të merituar, me të drejtë. Ajo që më entuziazmoi dhe më bëri të ndalem, është ngacmimi që më dha një shkrim i cili tregonte disa lloje baballarësh, duke e vënë theksin në paralelizma të tillë si: “Ka burra me fëmijë që thonë ‘më në fund erdhi fundjava që të pushoj’ dhe ka baballarë që thonë ‘më në fund do kalojmë fundjavën së bashku’; Ka burra me fëmijë që kthehen nga puna dhe thonë ‘jam i shkatërruar’ dhe nga ata baballarë që thonë ‘më ka marrë malli’; Ka burra me fëmijë që kanë nevojë vetëm për një mbiemër për t’u ndjerë si baballarë, dhe ka baballarë që kujdesen për fëmijët e tyre edhe nëse kanë një mbiemër tjetër…

Bota është e ndarë mes atyre burrave që sapo kanë futur dy spermatozoidë dhe baballarëve që zgjedhin të jenë pjesë e jetës së fëmijëve të tyre.” Jo aq e ndërlikuar për ta kuptuar këtë mesazh. Sepse kush e ka jetuar figurën dhe rolin e babait, e ka të qartë në mendjen e tij se çfarë e ka bërë të ndihet i/e lumtur me të dhe çfarë jo; ku nuk ka funksionuar roli i tij dhe çfarë do të donte të kishte dashur të ndryshonte nga ajo marrëdhënie… Disa njerëz natyrshëm kanë rezervat e tyre, varësisht periudhave dhe kohëve të jetuara në një mentalitet më të vjetër, krahasuar me modelet e reja, të cilat gjithashtu shoqërohen me përvoja të mira, por edhe dëmtuese.

Megjithatë, ku ka më bukur se ata që renditen në shembuj pozitivë baballarësh, që nuk e kursejnë veten për asgjë para fëmijës. Jo thjesht për realizimin e kapricove të moshës së tyre, por për atë që ata kanë nevojë më së shumti, dashurinë, mbështetjen, tregimin e rrugës së drejtë. Janë po aq baballarë sa të kujdesen që fëmijës mos t’i mungojë asgjë nga ushqimi i vlerave për jetën, duke mos e nisur asnjëherë bisedën me “unë”… por duke u dhënë paepur për rritjen e një fëmije të shëndetshëm mendërisht të së nesërmes dhe për shoqërinë.

 

 

 

 

Botuar tek Revista Psikologjia, Nr.178, muaji Prill

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top