FB

June 2, 2023 | 8:12

Nga Orjona Tresa / Prindër, fëmijët nuk fyhen, por edukohen!

Qëndrojmë ende mes dy brezash kulturalisht, një këmbë nga e kaluara më shumë konservatore dhe një këmbë nga e tashmja shumë më liberale. Një brez që ende ushqen metodikat besnike të edukimit të vet, ku mospëlqimi, kërkesa e lartë e llogarisë dhe detyrimet në familje apo shkollë, pa ia bërë qejfin as fëmijës që i përgjigjet pro, janë kushte të pakthyeshme.

Nga Orjona Tresa, gazetare

Madje shkojnë deri aty sa shkelja e parimeve të shndërrohet në një seri mallkimesh keqardhëse. Aq sa goja t’u nxjerrë më të keqen e më të keqes. Ekstreme vërtet, dhe shumë e shëmtuar. Ekziston ende kjo gjuhë vreri dhe urrejtjeje ndaj fëmijëve të pabindur. Nuk u çrrënjoska lehtë!

…Po e nis me një detaj që personalisht më shokoi teksa e ndesha. Isha duke sistemuar diçka në dhomë dhe dritaren e kisha lënë hapur. Jashtë dita vazhdonte të ishte e vrullshme. Të vegjlit, nga ata të sapongritur në këmbë e ca pak më të mëdhenj, lodronin në “parkun” e sajuar poshtë pallatit. Midis makinave sigurisht, sepse është e vetmja mundësi ku mund të argëtohen. Ja ashtu, si në labirint, për të shpenzuar energjinë e tyre moshore, pavarësisht dëmit nga ku rrezikohen. Por kjo është sfidë më vete e tyre, ku për të mos cekur makinat e luksit, rrezikojnë edhe të lëndohen. Por fëmijët nuk pyesin për këto!

Teksa luanin, mesa duket, njëri më çapkëni po ia bënte për borxh gjyshes, që kishte dalë jashtë ta ruante. E moshuar ajo, nuk i mbajnë më nervat. Befas dëgjova thirrjen: “Po rri mirë more rakitik!” M’u duk sikur këtë goditje të beftë e mora edhe unë, disa kate më lart. U lëndova! Ende me gjykime të tilla? Në fakt, duhet të jemi mirënjohës që kemi fëmijë. Me gjithë rrëmujën që shkaktojnë, duhet të kuptojmë fare mirë se një fëmijë ka nevojë për më shumë komunikim të rregullave dhe jo për fyerje. Nuk është hera e parë që dëgjoj nga gjyshër, – një lidhje e pazëvendësueshme familjare, – që tejkalon pjesën e edukimit me nipat apo mbesat. E gjitha tregon një gjendje emocionale apo pamundësi psikologjike për të menaxhuar rritjen e pasardhësit më të vogël. Këtu del një problem tjetër, që ndoshta jo për faj të tyre, u mbivendoset si peshë përgjegjësie, të cilën me kohë në rininë e tyre e kanë ezauruar. Sepse gjyshërit, sado në formë të duken për t’u kujdesur për më të rinjtë e familjes, ata nuk kanë më energjinë për ta përballuar atë detyrë që për moshën e tyre është e tepërt.

Kjo do të thotë më haptazi, se ata e kanë kryer misionin e tyre si prindër me fëmijët e tyre, e nuk mund të bëhen prindër nga e para. Ndihma e vetme që mund të japin, është mbështetja plotësuese për rrethana lehtësuese, siç mund të jetë gatimi, sistemimi i shtëpisë apo kujdesi për një vakt i të vegjëlve. Sepse ajo ndihma që shumë nga prindërit e rinj e kërkojnë me orare të tejzgjatura nga prindërit e tyre të moshuar, të kthehet në bumerang. Ky lëmsh mbingarkese kanalizohet i gjithi tek fëmija, i cili mes dy edukimesh, – prindërit figura e parë, dhe gjyshërit, të dytët, – krijojnë një konfuzion moralesh, ku nga njëra anë liria është me pash, dhe nga ana tjetër, mosdurimi shndërrohet në kufizime, gjykime dhe moralizma.

 

Secili në vendin e vet: prindi të kryejë rolin e prindit, dhe gjyshërit të tyrin. Është më e mira e mundshme që duhet të bëjmë për fëmijët. Sipas specialistëve të shëndetit mendor, fëmijët duhet të shoqërohen në një rrugë rritjeje, pa autoritet dhe shtypje: bëjini të kuptojnë se ku e kanë gabim, shpjegoni arsyet e çdo qortimi, në mënyrë që ata të kuptojnë rregullat, t’i përvetësojnë dhe për rrjedhojë t’i respektojnë ato. Mund të ndodhë që të humbisni durimin dhe t’i zbatoni këto sjellje jofunksionale, por e rëndësishme është të dalloni gabimin; mos kini frikë t’i kërkoni falje një fëmije, pasi gjithmonë ka kohë për të riparuar!

Së fundi dua ta mbyll se: më dhimbsen gjyshërit që vrapojnë të pamundur ndaj fëmijëve të fëmijëve të tyre, me një ndjenjë të madhe përgjegjësie. Sepse ata nuk duan t’u ndodhi asnjë e keqe, dhe as gërvishtja më e vogël atyre që aq shumë i quajnë “mjalti i mjaltit”. Dhe për këtë sakrifikojnë pa pushim dhe tejet të sforcuar, nervat dhe energjinë… që në fakt u mungojnë. Ndaj në një pamundësi ekstreme, harrojnë dhe mallkojnë me fjalë që nuk i mban kandari.

 

 

Botuar tek Revista Psikologjia, Nr.180, muaji Qershor

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top