Në një shoqëri që vrapon pas dukjes, pas modës dhe pas pëlqimeve në rrjete sociale, qytetaria është bërë si ajo rroba e vjetër në fund të dollapit, e harruar, e pavlerësuar, e mënjanuar. Por është koha ta rikthejmë. Jo si një detyrë të thatë morale. Por si një trend. Si një kod nderi. Pse jo, edhe si një mënyrë për të qenë “cool”.
Sepse nuk ka asgjë më moderne, më evropiane, më njerëzore, sesa të respektosh rregullin, radhën, tjetrin. Nuk ka asgjë më “in” sesa të mos hedhësh mbeturina në rrugë, të mos bllokosh semaforët, të mos i flasësh policit me përbuzje, të mos i tregosh sistemit mesataren e gishtit çdo ditë.
Qytetaria duhet të shndërrohet në një normë që shkëlqen si standard. Që frymëzon dhe që detyron ata që e shkelin të ndihen keq. Jo me ligj, por me sy. Me heshtjen e zhgënjimit. Me përçmimin e heshtur të të tjerëve. Të ndihen në turp, siç ndihet ai që vishet me fallco dhe do të shesë mend në Instagram. Të ndihen fajtorë, siç ndihet dikush që kapet duke kopjuar në një provim dhe nuk e fal më veten.
Nuk mund të ndërtojmë shtet, derisa të mos ndërtojmë qytetarë. Dhe nuk ka qytetarë, nëse ata që e shkelin normën, ndihen heronj, të fortë, të mençur. Koha e tyre duhet të marrë fund!
Është koha e t’i bëjmë “virale” vlerat!
Të promovojmë modelin e qytetarit që nuk gërhet në autobus, dhe as pështyn, që ndihmon të moshuarit në rrugë, që nuk bën zhurmë pas mesnate, që respekton të tjerët pa frikë, por me krenari. Dhe kur dikush e shkel qytetarinë, të mos mbyllim sytë. Por të reagojmë. Me fjalë. Me përçmim. Me mospranim.
Qytetaria nuk është luks. Është kusht për të qenë pjesë e një shoqërie të shëndoshë. Dhe nëse duam të bëhemi vend europian, i zhvilluar, i drejtë, atëherë duhet të fillojmë jo me autostradat, por me njerëzit. Me sjelljen. Me mentalitetin.
Qytetaria duhet të bëhet modë! Dhe shkelja e saj, turp. Vetëm kështu ndryshon një vend.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.