Editorial

January 25, 2022 | 8:15

Nga Orjona Tresa / Revista Psikologjia, një qasje reale në kohë të ndryshme

Mbillni pozitivitet! Asgjë më shumë nuk ka vlerë se një fjalë e mirë, një qëndrim pozitiv, një buzëqeshje apo një urim. Të gjitha i kemi vetë në kontroll. Të dorëzohesh, të biesh pre e humbëtirës, e ligësisë, negativitetit, është gjëja më e thjeshtë. “E keqja ka aftësinë të dominojë” thotë ime emtë, dhe ndoshta e ka njëfarë të drejte. Të humbasësh kontrollin ndonjëherë duket se ka më shumë shanse se të ruash ekuilibrin, sepse forcat që na menaxhojnë së brendshmi, vetëdija dhe nënvetëdija ndërveprojnë në mënyrë të paimagjinueshme. Çfarë ndodh?

Në kohërat që jetojmë, pandemia ka ndikuar gjithashtu në të pasurit më shumë stres. Problematikat janë hasur nga bisedat me lexuesit tanë, të cilëve jemi munduar t’u kthejmë përgjigje në kohë reale. Shumë prej çështjeve lidhen me pandeminë, pasojat në marrëdhënie, jetën e përditshme. Teknologjia ka ndikuar gjithashtu, duke përcjellë nga burime të ndryshme, informacione rreth situatës, shumicën e rasteve me nota të larta pasigurie, ankthi e frike.

Për të gjitha këto, në një hark kohor njëvjeçar, jemi përpjekur të përmbushim misionin e revistës Psikologjia, duke i ardhur në ndihmë kujto, si në botimin print ashtu edhe në faqen tonë elektronike apo rrjetet sociale. Falë fokusit të revistës në trajtimin psikologjik të problematikave të ndryshme, prej 15 vitesh Revista Psikologjia shërben si një portë e rëndësishme burimore për dhënien zgjidhje të situatave që lindin nga përditshmëria.

Problemet me fëmijët, bashkëshortin, lindjen, vdekjen, marrëdhëniet prindërore, ato shoqërore në punë, jeta në komunitet, arsimimi si vlerë, e një sërë temash të prekshme që nuk kanë kurrë fund. Sepse kështu është e konceptuar të jetë jeta e njeriut. E nuk ndodh vetëm tek ne kjo ngarkesë dhe nevojë për t’i dhënë shpjegim me sy tjetër gjërave, por në të gjithë botën.

Në këtë rrugëtim u jemi mirënjohës psikologëve, punonjësve socialë, të cilët janë bashkëpunëtorët më të zellshëm në kontributin e tyre disavjeçar. Janë të shumtë dhe ata që na janë vetë-ofruar nga të gjitha trojet shqiptare. Emra të rëndësishëm në fushat përkatëse, që kanë ndihmuar në njohjen, zbërthimin dhe dhënien zgjidhje të shumë pyetjeve dhe çështjeve në adresë të revistës.

Të lexosh shkrime psikologjike, është aftësia për t’u lidhur me emocionet e tua, për të zbërthyer më mirë ndjenjat që provon, për të ndërtuar një teori ndryshe nga ajo që të ka rrëmbyer momentalisht. Shumë pikëpyetje marrin përgjigje, dhe kjo krijon aftësinë për të marrë nën kontroll situatën e për ta menaxhuar dhe administruar veten drejt rezultateve të duhura. Ndaj, sikundër të lexuarit edhe misioni i Revistës Psikologjia i shërben përmirësimit të gjendjes shpirtërore.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 163

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top