Nuk janë vetëm fluturat në stomak një emocion më shumë që ngacmon. Dashuria është ndjenja, ndonjëherë foshnjërake, sepse ashtu na bën të ndihemi, e ndonjëherë e plotfuqishme, sepse ka gjithë energjinë që na lejon të përfshihemi.
Dashuria është ushqimi, pa të cilin emocionet tona nuk do të merrnin kuptim. Është oksigjeni, i cili na zgjat jetën. Dashuria është mbështetje pa kushte e pa bërë asnjë pyetje. Është emocionuese e drithëruese. Është qetësuese, para shumë shqetësimeve. Është bindëse para shumë dilemave. Është e bukur, pikërisht sepse kështu na bën të ndihemi kur dashurojmë!
Dashuria është ajo ndjenjë që na e mban shpirtin gjallë. Dhe atë e shprehim në çdo gjest apo veprim kujdesi që tregojmë. Zgjohet sa hapim sytë bashkë me mendimet tona, për të vijuar me veprimet që i përshtaten nevojave të atyre me të cilët ndajmë jetën tonë. Kur ajo gërshetohet, kur secili prej nesh në familje e dhuron ndihmën e tij në formën e vlerës për tjetrin, kjo tregon atë dimension dashurie pa të cilin nuk bëjmë dot. E kjo dashuri na mban gjallë në vijueshmëri, një garanci për lumturinë tonë.
Dashuria ka gjithë peshën për të na bërë të mirëfunksionojmë ne jetën tonë, të kudogjendur, jo vetëm në familje. Është qetësia që na fal, harmonia dhe përkushtimi për t’i ushtruar si ndjenja edhe në marrëdhënie më të tjerët. Sepse dashuria ka forcën e mposhtjes së energjive jo të mira.
Dashuria nuk mund të jetë thjesht një frazë apo epitet i thirrur ngjashmërie. Ajo është forma që ne zgjedhim t’i japim në çdo gdhendje tonën në faza të ndryshme të jetës. E kjo ndjenjë na bën të ndihemi më të plotë. Na hap sytë, na orienton drejt zgjidhjeve, na jep forcë dhe na motivon, duke zgjuar gjithmonë emocione të bukura.
Dashuria është një univers që dikton jetën tonë. I jep kuptim ekzistencës tonë. E përjetojmë së pari në krahët e nënës, babait. Ajo na zgjon instinktin për të dashur. E pas këtij afirmimi, hyjnë në proces dhe dashuri të tjera, për motrën, vëllanë, më tej për miqtë dhe kur rritemi për të dashurit tanë, ata që zgjedhim të vijojmë rrugëtimin e dytë dhe më të rëndësishëm të jetës tonë.
Sepse dashuria është shumëdimensionale, sigurisht.
Dashuria është e rëndësishme në çdo fazë të jetës. Në piramidën e nevojave të Maslout, dashuria përfshihet në nevojën për përkatësi dhe pranim, dhe për këtë arsye është më urgjente për ne sesa nevoja për vlerësim dhe vetëpërmbushje. Erik From thotë se “pa dashuri njerëzimi nuk do të mbijetonte asnjë ditë”. Po, sepse të duash është një aftësi që nuk ndalon së mësuari. Dashuria do të thotë gjithashtu të duash dhe jo vetëm të të duan, do të thotë të japësh dhe jo vetëm të marrësh.
A mund të ekzistonte një botë pa dashuri?
Kurrsesi.
Dashuria është një ilaç i mrekullueshëm që të mbush me gëzim dhe energji dhe të shëron nga pasiguritë, pakënaqësitë, ankthi apo depresioni. Asgjë nuk është më e mirë për shpirtin dhe trupin sesa kjo ndjenjë që prek pjesën më të brendshme tonën.
Dashuria na bën më të mirë!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.