Lumturia është mirëqenie. Ajo reflektohet! Shndrit sytë e përjetuesit. Ata sy që përcjellin gëzim, harmoni, dashuri. Sa herë ju ka ndodhur që pas një dite të mbarë, fitimtare, njeriun e parë që takoni, i shprehni gjithë ngazëllimin tuaj. I përcillni ato kode dashamirësie për të cilat keni nevojë t’i shprehni, e pse jo, t’i ndryshoni për mbarë ditën edhe atij që ndoshta fare pak çaste më parë dita e vet nuk i kishte shkuar siç duhej.
Nga Orjona TRESA, gazetare
Kjo formë mirëqenieje shprehet më së shumti te fëmijët. Ata janë të paqtë sepse nuk njohin negativitetet. Janë qelibarë brenda moshës. Dinë ta ndajnë lumturinë e tyre dhe ta paqëtojnë me njëri-tjetrin duke falur mirësi. E kundërta ndodh me ne të rriturit, ku jetës ia kemi marrë ca leksione. Pra, gabojmë edhe me dashje, për ndonjë pakënaqësi apo xhelozi, pikërisht atëherë kur rritja, lumturia, mirëqenia e dikujt na bën xhelozë. E këtu lumturia nuk gjen shteg. Ajo transformohet. Ndodh që në çaste të pavolitshme, të paarrira, jo plotësimi, reflektimi ynë shndërrohet në një humnerë zemërimi.
Rrjedha shkon me një mënyrë të pamatur, e cila nxjerr flakë. Janë flakë përcëlluese që cenojnë dhe djegin atë që pabesueshmërisht deri dje mund të ishte më i respektuari. Ditë të papritura si këto na ndodhin të gjithëve. Nuk jemi imun. Sado që të përpiqemi e të tejkalojmë veten, ato janë pjesë e rrugëtimit tonë në jetë. Ne biem pre sa herë diçka nuk funksionon te fuqia e mbajtjes së kësaj peshe.
Dobësia shndërrohet në virtyt dhe ia lë fatin në derë dikujt tjetër. Ngarkesa që faturohet, ndikon në një gjendje aspak të dëshirueshme. Përvoja dhe maturia janë çelësi i hapjes së portave drejt lumturisë. Janë dy shtylla bazë ku duhet të fokusojmë mirëqenien. Gjithmonë ka kohë për të besuar dhe pajtuar këtë të vërtetë. Nuk është një koncept. Është realitet. Një përvojë jete sfiduese, një revolucion me diferenca jetësore nga të tjerët, na bën më të fortë në mënyrën e të gjykuarit. Na bën përzgjedhës të gjërave më me rëndësi që duhet t’i përkasin jetës sonë. Kjo përvojë ecën paralel me maturinë, pjekurinë e të përballuarit të stuhive në rrugëtimin tonë prej të gjalli. Janë shtyllat e shenjta që na tregojnë drejtimin e duhur.
Në përditshmëri, në gjuhën komunikative, sidomos me fëmijët, u themi gjithmonë shprehjen: “Mos e harro kurrë të shkuarën! Sado të kesh arritur në jetë, gjithmonë ktheje kokën pas. Do të të ndihmojë të mos humbasësh njeriun që ishe dje. Përndryshe, rrëzimi nga një sfidë e papritur dhe kthimi pas, do t’ju prishë lumturinë”. Kjo e fundit është më e dhimbshme. Ndaj, përpara se të lëndojmë veten, apo padashur të bëjmë të tjerët të ndihen të tillë, le të kontribuojmë në vlerën e harmonisë, lumturisë, mirësisë.
Kaluam dhe ende po grahmojmë një të keqe që nuk dimë se kur do të shuhet përfundimisht. Pasoja e pandemisë është mbi të gjitha tek kriza ekonomike. Këtë det problemesh nuk duhet ta lejojmë dhe ta besojmë se do të na fundosë. Jeta nga sfida të tilla është e përbërë. Kjo nuk do të thotë që duhet të karakterizohemi nga dobësia. Ne duhet të luftojmë për jetën. Lumturisht një herë na jepet. Të përballemi dhe të përpiqemi për të është detyra jonë. Të mendojmë të jemi më dashamirës, të themi urimet më pozitive, të paqëtojmë shpirtin tone dhe të atyre që na duhet të ndajmë kohën, të tregohemi zemërgjerë, të mos fyejmë, shajmë, lëndojmë, gjykojmë. Rruga e përmirësimit nis nga vetja!
Përgatiti: Orjona TRESA | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 170
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.