Nuk ka errësirë përveç paditurisë… shkruante Shekspiri, ky gjeni i letërsisë angleze dhe i letrave mbarëbotërore, të paktën 400 vite më parë. E padyshim edhe për shekujt e tjerë të mijëvjeçarit të tretë, ai do të mbetet idhtari për lexuesit të cilët do të kalojnë mes veprave të tij si mes një labirinthi plot gurë të çmuar që trashëgohet në vazhdimësinë e përjetshme.
Mençurinë e tij e kemi të nevojshme edhe sot, 403 vite pas largimit të tij nga bota e të gjallëve. Sepse gjithçka e shkruar prej tij i qëndron kohës. Nuk janë mesazhe të koduara, si ato të Da Vinçit në pikturat e tij magjepsëse. Janë të thjeshta, të trajtuara në gjuhë lakonike, nën petkuj personazhesh, larmi karakteresh reale të një shoqërie krejt të ngjashme me të sotmen që veç në dukje të jep përshtypjen e diçkaje moderne.
Ky dramaturg i ndritur, poet dhe aktor njëherësh bën çudi me fjalën, dialogun. Të fton, të përzë, të vë në lojë, të bën me faj, të godet e të qafon, duke transmetuar mesazhe të qarta e krejt të kuptueshme. Ndër to ai qëmton paditurinë, e cila e bën të dobët një vend, e mbi të gjitha lehtësisht të skllavërueshëm.
Padituria është një dhimbje dëshpëruese e pafund. Një gjë të tillë Shekspiri e lufton në personazhet e veprave të tij, duke gërshetuar mes tyre komiken dhe tragjiken bashkë, apo thënë ndryshe tragjikomiken. Ai luan me satirën për ta goditur errësirën që sjell padituria. Në zërin e një gaztori oborresh, – Loço te “Nata e Dymbëdhjetë”, – shigjeton dhe thumbon: “Marrëzia bredh nëpër botë si dielli, ajo shkëlqen kudo”… “Zoti u dhëntë mençuri atyre që kanë, kurse budallenjtë le të përdorin talentin e tyre”, apo “Zgjuarsi, mësomë të bëj një marrëzi të bukur”.
I pamëshirshëm dramaturgu mesjetar me gjithçka ka të bëjë me injorancën dhe idiotizmin njerëzor. Arti poetik i Shekspirit arriti kulmin duke u bërë themelues i dramës moderne. Lindi më 23 prill 1564 në Stratford mbi Avon dhe në të njëjtën datë të vitit 1616 u nda nga jeta në po të njëjtin qytet.
“Dashuria është jeta. Qesh, dëfre or tungjatjeta! Ç’na pret nesër nuk e dimë. Lumturinë s’e gjejmë ngaherë, puthmë e ëmbla symëshqerrë! Do ta qajmë një ditë rininë”.
Uilliam Shekspir e ngriti artin dramatik në majat më të larta. Kur flitet për të shumë pak autorë i qëndrojnë përkrah dhe asnjë tjetër sipër tij. Studimet, analizat dhe komentet rreth këtij dramaturgu janë të panumërta, por përfundimi është i njëjtë: vepra shekspirane është e admirueshme si tërësi dhe në përbërësit e veçantë. Vepra e tij së bashku me Biblën dhe Deklaratën e të Drejtave të Njeriut janë shtyllat në të cilat ngrihet identiteti i Evropës historike.
Sot e gjithë ditët, Shekspiri konsiderohet si shkrimtari më i shkëlqyer i gjuhës angleze, e në mënyrë absolute, një ndër shkrimtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Ndikimi i tij është i pashembullt në jetët njerëzore. Sepse sado i palexuar të jesh, askush prej nesh, në perëndimin e Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, në Azi, Afrikë, Australi e Amerikë Latine nuk mund të mos ketë dëgjuar për Otellon, Hamletin, Makbethin dhe mbi të gjitha për Romeo e Zhuljetën.
Sot Shekspiri njihet si një ndër shkrimtarët më të famshëm në botë me 37 vepra për teatrin, nga të cilat 13 tragjedi, 10 drama historike dhe 14 komedi. Ka qenë dramaturg, komediograf, por edhe aktor. Ai jo vetëm që shkroi disa tragjedi të jashtëzakonshme të cilat hynë në historinë e letërsisë botërore, por edhe shumë komedi dëfryese që nuk u shfaqen kurrë nëpër skenat angleze. Pjesa tjetër e krijimtarisë përfshinë 154 sonete që mbahen si realizimi poetik më i çmueshëm i gjithë kësaj periudhe dhe 2 poema të gjata.
Në fund fare mund të themi se Shekspiri ishte një gjeni. Dhe vepra e gjeniut bashkë me emrin e tij, e shumëfishuar në mënyrë marramendëse në disa dhjetëra gjuhë, nuk mund të vdesë kurrë.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 144
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.