Shtëpia është zemra e festave për fundvit është hapësira ku bashkohemi me të dashurit tanë, me nënën, babain, motrën, vëllain, gjyshërit dhe të ftuar të tjerë të familjes së madhe.
Nga Orjona Tresa, gazetare
Shtëpia është vendi që nuk do të të mërzitet kurrë, në jetë të jetëve, sepse prej aty ke marrë gjithë dashurinë pakushte. Aty ke kujtimet më të bukura, ku bëhesh nostalgjik veçanërisht në periudhat festive. Në shtëpinë tënde je gjithmonë i ftuar, i mirëpritur, i dashur. Rituali, për këdo ka një traditë familjare të vjetër, shkrihet me biseda të pafundme të orëve të vona. Ndajmë një kohë të shkuar, duke rikthyer në kujtesë se si festonim dikur.
Me dëshirën e madhe për ta shijuar sa më bukur festën si fëmijë, ku përfshiheshim në dekorime të punuara nga duart tona të vogla, me zbukurimin e bredhit të gjelbër natyral, me pambukë, kartolina të bëra vetë, vargje zinxhir shumëngjyrësh dhe yje prej kartoni të kuq; kur përqaseshim afër nënës për të dhënë sadopak ndihmën tonë për përgatitjen e tryezës, shtrimin e mbulesës, pecetave të punuar me moline disangjyrëshe, serviseve të veçanta për festën; kur këndonim e trokitnim gotat e urimeve për një vit të mbarë që do të dëshironim në vinte më pas, në tavolinën e madhe ku nuk mungonte gjeli i detit dhe ëmbëlsira e bakllavasë.
Shtëpia është vendi i paqes dhe dëlirësisë, të cilin asnjë vend tjetër nuk e zëvendëson më mirë se ajo. Është ai vend i ngrohtë shpirtëror ku merr kuptim marrëdhënia jonë mes të dashurve të zemrës, një vend që kapërcen kufirin midis vetvetes dhe botës fizike. Shumë prej jush e ndjejnë këtë lidhje emocionale sa herë bashkohen me familjen e madhe të tyren. Me lehtësimin e masave prej pandemisë, sot e duam më shumë se kurrë këtë bashkim, një nevojë për të vlerësuar të shkuarën jo të largët, emocionet e përjetuara të bashkësisë, pastërtisë, qëllimeve të drejta dhe ndershmërisë mes njëritjetrit, të cilat në kohë moderne janë zbehur.
Një vend si familja mund të ndikojë në ndjenjën tuaj se kush jeni, aq thelbësor për mirëqenien tuaj psikologjike. Por gjithashtu, ndikon dhe në mënyrën se si sillemi me të tjerët. Psikologët thonë se dashuria për një vend, qoftë shtëpia ku keni jetuar gjithë jetën, apo fushat dhe pyjet ku keni luajtur si fëmijë, mund të imitojë dashurinë që ndjeni për njerëzit e tjerë. Studimet kanë treguar se një zhvendosje e detyruar mund të shkaktojë thyerje zemre dhe ankth aq intensiv sa humbja e një njeriu të dashur. Një studim tjetër zbuloi se nëse ndjeni një lidhje të fortë me qytetin ose vendbanimin tuaj, do të jeni më të kënaqur me shtëpinë tuaj dhe gjithashtu do të jeni më pak në ankth për të ardhmen tuaj.
Mënyra se si e shohim jetën tonë dhe çfarë jemi bërë varet nga vendi ku kemi jetuar dhe përvojat që kemi pasur atje. Pavarësisht se nga vijnë, njerëzit priren të mendojnë për shtëpinë si një vend qendror që përfaqëson rendin, një kundërpeshë ndaj kaosit që ekziston diku tjetër. Ceremonia festive forcon lidhjet me familjen.
Gjatë festave, traditat tona ndoshta tingëllojnë të njohura: të ngrënit me familjen, shkëmbimi i dhuratave, takimi me miqtë e vjetër dhe vizitat e shkëmbyera me ta. Këto rituale afirmojnë dhe rinovojnë vendin e një personi në familje dhe shpesh janë një mënyrë kyçe për të forcuar strukturën shoqërore të familjes. Prandaj, shtëpia është një vend i sigurt, ku ndiheni të kontrolluar dhe të orientuar siç duhet në hapësirë dhe kohë; është një urë lidhëse midis të shkuarës dhe të tashmes suaj, një lidhje e qëndrueshme për familjen dhe miqtë tuaj.
Është një vend ku, siç shkruante me vend poeti Robert Frost, “kur duhet të shkosh atje, ata duhet të të marrin”.
Botuar tek Revista Psikologjia, Nr.174, muaji dhjetor
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.